Përfaqësuesi i KE-së njihet me problemet e shqiptarëve

August 2, 2009   | Shtypi / Mediji

Jean-Charles GARDETTO ,Nazif Cungu, Mehmet Bardhi,Podgoricë – Kryetari i Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu, kryetari i LD në MZ, Mehmet Bardhi, dhe deputeti i Koalicionit Shqiptar “Perspektiva”, Amir Hollaj u takuan të mërkurën, më 8 korrik, me raportuesin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Zhan Sharl Gardeto.
Në njoftimin për media të lëshuar pas këtij takimi nga tre përfaqësuesit e subjekteve shqiptare thuhet se ata e njoftuan raportuesin Gardeto me përfaqësimin autentik proporcional të shqiptarëve në organet shtetërore dhe në organet e vetëqeverisjes vendore në trevat ku shqiptarët janë autoktonë, ligjësimin e mandateve të garantuara në Kuvendin e Malit të Zi, decentralizimin e pushtetit, rishqyrtimin e privatizimeve të deritashme, kthimin e pronave ish pronarëve, realizimin e plotë të administratës në gjuhën shqipe.
Sa i përket problemit të përfaqësimit, tre përfaqësuesit shqiptarë morën si shembull Prokurorinë e Malit të Zi, ku në mesin e rreth 80 prokurorëve dhe ndihmësprokurorëve nuk ka asnjë shqiptar.
Lidhur me mandatet e garantuara në Kuvendin e Malit të Zi, ata kanë thënë se kërkojnë pesë mandate, ndërsa sa i përket decentralizimit të pushtetit, kthimin e kompetencave vetëqeverisjeve vendore – komunave, formimin e Komunës së Tuzit në kufijtë natyrorë të Malësisë me të drejta të plota.
Përfaqësuesit shqiptarë kanë nënvizuar se kërkojnë “rishqyrtimin e privatizimeve të deritashme, me theks të veçantë të “privatizimeve” në trojet shqipare të cilat u bënë nga lartë, nga Podgorica, pa pëlqimin e pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve legjitimë shqiptarë”.
Këto privatizime, sipas tyre, “nuk kanë dhënë rezultate pozitive, por përkundrazi janë një formë e shembull i kolonizimeve dhe okupimeve të reja nga Qendra me pasoja të rënda për popullin shqiptar”.
Ata kanë thënë se kërkojnë po ashtu kthimin e pronave të marra në cilëndo formë në periudhën njëpartiake – komuniste si dhe realizimin e plotë të administratës në gjuhën shqipe që nënkupton emërtimin e rrugëve dhe shesheve në administratë në shkolla dhe institucione të tjera.
“Në pyetjen e z. Gardetto se a jemi dakord me ndryshimin e normës në Ligjin për Zgjedhjen e Këshilltarëve dhe Deputetëve, ku në Ligjin Aktual parashihet që 50% të mandateve të fituara t’i shpërndajë subjekti, e cila normë është në kundërshtim me standardet evropiane, pasi i bie në lajthitje zgjedhësit me rastin e votimit, siç tha zotëri Gardeto, përfaqësuesit shqiptarë i thanë mysafirit të lartë se në këte segment janë të gatshëm për të shqyrtuar këtë normë me rastin e ndryshimit të Ligjit apo aprovimit të Ligjit të ri zgjedhor, meqenëse nuk prekë dretëpërsëdrejti në interesat tona dhe se ne jemi të gatshëm të respektojmë standardet evropiane”, theksohet në njoftimin për media.

Kohapress