Populli refuzon çdo propozim joshës të Stambollit

August 2, 2009   | Kulturë / Kultura

KALAJA E ULQINIT_001ULQINI NË VITET E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT 1878-1881 (29)
Para se të largohej nga posti qeveritar, Abedin pashë Dinoja ndërmori edhe një hap tjetër. Duke e parë se dorëzimi i Ulqinit nuk mund të zgjaste pa fund, ai e përsëriti misionin e Mustafa pashë Vlorës. Ai planifikonte t’i bindte shqiptarët se më mirë do të ishte sikur ta lëshonin trevën e Ulqinit me 10 000 banorë e të shpëtohej provinca e Çamërisë me 100 000 frymë. Për këtë hap ai u premtoi shqiptarëve se, po të mos e kundërshtonin dorëzimin e Ulqinit, Porta do t’u jepte disa të drejta autonomiste.
Sulltani urdhëroi që ministri i luftës të shkonte në Hot dhe Grudë dhe të përpiqej t’i bindte shqiptarët që t’ia lëshonin këto territore Malit të Zi. Në qoftë se nuk do t’ia dilte në krye kësaj detyre, ai atëherë do të shkonte në Ulqin dhe do të bënte çdo gjë që ishte e mundur që ky qytet me rrethina t’i lëshohej Malit të Zi. Në qoftë se do të arrihej kjo gjë në mënyrë paqësore, atëherë malazezët do t’i lëshonin rajonet që i kishin pushtuar deri atëherë. Duhej të përpilohej një hartë dhe në të të shënohej se Hoti dhe Gruda bashkë me Dinoshën i mbesin Perandorisë Osmane. Lëshimi i Ulqinit do të bëhej sapo të merrej njoftimi zyrtar se Fuqitë e Mëdha janë dakord.
Lidhja Shqiptare e përcillte gjendjen ndërkombëtare. Në letrën e firmës Stef Bianki Tarabulluzit në Prizren të datës 26 gusht 1880, theksohej se “po ndihet se Turqia po ia lëshon Ulqinin Malit të Zi. Komisioni i zgjedhur në emër të popullit mori hapa edhe për këtë punë. Jemi angazhuar për ta çuar në këmbë Anën e Malit. Sot pasdite, në orën 8, po nisim nja 400 shkodranë të mbledhur prej familjeve që kanë pasur nga tre vetë në shtëpi. Kemi çuar me marrë nga 100 malësorë prej çdo fshati. Po duket se deri nesër e pasnesër po bëhen nja 3-4000 vetë me gjithë ulqinakët. Pritet se do të vijnë nja 3000 dibranë. Janë lajmëruar edhe nga Tirana. Edhe nga Ana e Malit e Kraja kemi mbledhur nga një për shtëpi. Pritet se po vijnë 100 prej Hotit, 100 prej Kastratit, 100 shkrelë, 100 kelmendas e 100 postribas e të gjithë do t’i çojmë për Ulqin”.
Porta e Lartë vuri lidhje me Lidhjen Shqiptare për ta lehtësuar dorëzimin e Ulqinit. Ajo dërgoi një delegacion për të zhvilluar bisedat zyrtare. Mirëpo, siç lajmëronte shtypi i kohës, nuk kishte shpresa në suksesin e të deleguarit të Portës, sepse shqiptarët kishin vendosur të mobilizonin të gjithë ata që ishin të aftë të bartnin pushkën. Theksohej se revolta e shqiptarëve ishte plotësisht e arsyeshme, sepse ata e kishin plotësisht të qartë se Porta e Lartë dëshironte të zgjidhte problemin e saj me Malin e Zi. Oficerët e ushtrisë u vinin vëllezërve të tyre në ndihmë nga çdo anë dhe nuk e mohonin braktisjen e ushtrisë dhe bashkëpunimin e tyre me forcat e Lidhjes Shqiptare.
Shihej se Riza pasha nuk kishte fuqi të ndikonte te shqiptarët për të mos bërë rezistencë. Prandaj qeveria turke ngarkoi Hysen pashën, që me autoritetin e tij të ndërhynte te populli shqiptar që të mos kundërshtonte dorëzimin e Ulqinit. Ky, më 27 gusht 1880, i dërgoi Lidhjes në Shkodër një telegram ku thuhej: “Së shpejti do të vijnë luftanijet e Fuqive të Mëdha për t’ia dorëzuar Ulqinin Malit të Zi. Prandaj ju këshilloj që për të mirën tuaj t’i mbushni mendjen popullit, që Ulqini të dorëzohej shpejt”.
Përgjigjja e popullit, e nënshkruar nga paria e Shkodrës, më 28 gusht 1880, ishte: “Përmbajtja e urdhërit telegrafik që erdhi dje iu komunikua fjalë për fjalë popullit, si myslimanëve ashtu edhe katolikëve. Por, si në kërkesat e protestat e derisotme, ashtu edhe këtë herë, populli përgjigjet se kurrkush nuk e pranon që Ulqini t’i jipet Malit të Zi”.
Duke parë se në asnjë mënyrë nuk mund ta bindte popullin shqiptar, ministri turk i luftës e thirri parinë e Shkodrës, që më së pari të bindej ajo e pastaj ta bindte popullin se duhej t’u nënshtrohej urdhërave të Portës së Lartë. Përgjigjja ishte se djemtë që ishin nisur për Ulqin i kishte thirrur vetë populli i Ulqinit për ndihmë.
Ndërkohë, në Stamboll filloi një krizë qeveritare për largimin e Abedin pashë Dinos dhe për formimin e një qeveri të re më energjike kundër shqiptarëve.
Para se të largohej nga posti qeveritar, Abedin pashë Dinoja ndërmori edhe një hap tjetër. Duke e parë se dorëzimi i Ulqinit nuk mund të zgjaste pa fund, ai e përsëriti misionin e Mustafa pashë Vlorës. Ai planifikonte t’i bindte shqiptarët se më mirë do të ishte sikur ta lëshonin trevën e Ulqinit me 10 000 banorë e të shpëtohej provinca e Çamërisë me 100 000 frymë. Për këtë hap ai u premtoi shqiptarëve se, po të mos e kundërshtonin dorëzimin e Ulqinit, Porta do t’u jepte disa të drejta autonomiste.

Mr. Riza Rexha
Koha Javore

YouTube Preview Image

1