Intervistë me Xheladin Zenelin, kryetar i shoqatës shqiptaro-amerikane “Ana e Malit” në Nju Jork

August 3, 2009   | Intervista / Intervju

Diaspora të vazhdojë

jetë aktiveXheladin Zeneli

Intervistë me Xheladin Zenelin, kryetar i shoqatës shqiptaro-amerikane “Ana e Malit” në Nju Jork, dhe ish deputet në parlamentin e Malit të Zi.

Koha javore: Z. Zeneli, si ish-deputet i LD në MZ në Kuvendin e Malit të Zi, si i vlerësoni zhvillimet brenda spektrit politik shqiptar në Mal të Zi?

Xh. Zeneli: Me keqardhje mund të konstatoj se edhe pas gati njëzet viteve të vendosjes së pluralizmit politik, statusi i shqiptarëve në Mal të Zi është ende i pazgjidhur. Dhe përgjegjësia kryesore për këtë bien, në radhë të parë, mbi subjektet politike shqiptare dhe mungesën e gatishmërisë së tyre për angazhim serioz në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në këtë shtet të ri.
Partitë politike shqiptare po merren shumë me vetveten; gjithashtu po merren me polemika dhe akuza të ndërsjella dhe shpeshherë harrojnë se ato (partitë politike shqiptare) kanë më shumë gjëra që i bashkojnë sesa i ndajnë. Më shumë i gëzohen humbjes apo dështimit të palës rivale sesa fitores apo suksesit të vet. Nëse kjo energji negative që po dominon në raportet e tyre nuk kthehet në gjenerator për angazhimin e mirëfilltë në realizimin e kërkesave legjitime të shqiptarëve, atëherë vështirë se mund të flitet për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi.
Sot spektri politik shqiptar karakterizohet nga lokalizmat, krahinarizmat, karrierizmat e përfitimet personale dhe si pasojë e këtyre dukurive negative kemi parcializimin e çështjes shqiptare si dhe dominimin e politikave partiake në mungesë të një strategjie të përbashkët të veprimit për të mirën e përgjithshme të shqiptarëve në Mal të Zi.

Koha javore: Cilat janë kontaktet Tuaja me LD në MZ?

Xh. Zeneli: Kontaktet e mia me partinë, anëtar i së cilës kam qenë dikur, nuk janë as më pak dhe as më shumë sesa me partitë e tjera nacionale.

Koha javore: Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi ka qenë e përzier në mënyrë indirekte edhe diaspora shqiptare. Kjo ka sjellë përçarje në mesin e vetë diasporës, por edhe reagime të ndryshme në radhën e partive politike shqiptare në Mal të Zi. Si e vlerësoni këtë veprim të diasporës?

Xh. Zeneli: Ndërhyrja e një pjese të diasporës, gjegjësisht e një organizate të saj, në mënyrë të njëanshme në fushatën parazgjedhore, për mendimin tim, ishte e nxituar dhe e pamatur. Aq më tepër kur kjo organizatë u themelua kohë më parë me qëllim të bashkimit dhe bashkëveprimit të të gjitha shoqatave dhe organizatave në diasporë që rreth vetes grumbullojnë anëtarë me prejardhje nga trojet e veta etnike në Mal të Zi. Dhe me këtë ndërhyrje u krijuan tensione të panevojshme, në radhë të parë në mes të pjesëtarëve të diasporës.
Njëkohësisht edhe faktori politik në vendlindje duhet ta kuptojë frustrimin e diasporës lidhur me mosefikasitetin e partive politike shqiptare në aspektin e formimit të koalicioneve parazgjedhore, mungesës së një platforme të përgjithshme politike bashkëpunimi në mes tyre për çështjet me interes të përbashkët, etj.

Koha javore: Cila duhet të jetë pozita dhe roli i diasporës në rrjedhat politike dhe shoqërore në vendlindje?

Xh. Zeneli: Lidhur me këtë, unë kam shprehur mendimin tim edhe më parë dhe gjithnjë mendoj që diaspora duhet të vazhdojë të ketë rol aktiv në rrjedhat politike në vendlindje. Në rend të parë, diaspora duhet të përqendrohet në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe lobimin e kërkesave të tyre pranë qendrave vendimmarrëse dhe me influencë, rol ky që diaspora ka luajtur gjate gjithë historisë së vet. Kurse sa i përket rolit të diasporës dhe përfshirjes së saj në rrjedhat politike në vendlindje, diaspora mund të luaj rol të rëndësishëm duke bëre presion te qeveritë përkatëse, dhe në rastin konkret te qeveria malazeze, për më shumë të drejta për shqiptarët në këtë republikë. Karshi subjekteve politike shqiptare, diaspora për shembull, mund të luaj rol ndërmjetësues me rastin eventual të formimit të koalicioneve parazgjedhore të subjekteve politike shqiptare apo të ushtrojë ndikim në unifikimin e faktorit politik shqiptar.
Unë më parë kam bërë thirrje për depolitizimin e diasporës dhe, me këtë rast, dëshiroj që të bëj edhe një sqarim plotësues. Depolitizim në kuptimin e mosngjyrosjes së diasporës me njollat e partive politike në vendlindje që do të thotë se diaspora duhet të udhëheqë gjithmonë një politikë me karakter afatgjatë kombëtar dhe në asnjë mënyrë të bëhet vegël e politikave ditore partiake në vendlindje, aq më tepër kur këto parti nuk po gjejnë gjuhën e perbashkët lidhur me realizimin e kërkesave jetike të shqiptarëve në Mal të Zi. Ndërhyrja e diasporës duhet të jetë e kufizuar në mënyrë që të respektohen rregulloret e vetë partive politike.
Diaspora apo ndonjë organizatë e saj, nuk mund të përfshihet, për shembull, në përpilimin dhe renditjen e listave zgjedhore të partive politike, edhe përkundër faktit që ne në diasporë shpeshherë nuk pajtohemi me kanditatët e tyre, por kjo është një e drejtë e tyre që duhet respektuar. Megjithatë diaspora ka të drejtë të kërkojë dhe të bëjë trysni mbi faktorin politik shqiptar që të formohet Klubi i deputetëve të partive nacionale në Parlamentin e Malit te Zi sepse kjo është në të mirën e gjithë shqiptarëve. Gjithashtu diaspora ka të drejtë të kërkojë përgjigjen nga faktorët relevantë shqiptarë se pse po vonohet me formimin e këtij klubi dhe bisedat dhe negociatat lidhur me këtë çështje të bëhen transparente me qëllim që votuesit të informohen se kush po e pengon (nëse dikush e pengon) forminim e Klubit të lartpërmendur. Gjithashtu nëse është e nevojshme, diaspora mund të vihet në dispozicion që të ndihmojë në këtë aspekt, kuptohet në rolin e ndërmjetësit.

Koha javore: Sa është e organizuar diaspora jonë në SHBA?

Xh. Zeneli: Diaspora jonë në SHBA është një ndër diasporat më të organizuara dhe më me influencë në këtë vend. Kjo influencë është arritur falë fuqisë intelektuale dhe ekonomike që kjo diasporë ka arritur, sidomos këto dy dekadat e fundit.
Derisa para 20-30 vitesh biznesmenët e suksesshëm shqiptarë mund të numëroheshin në gishta, ata sot janë bërë pjesë e rëndësishme e ekonomisë së qyteteve ku ata jetojnë dhe veprojnë. Gjithashtu ka ardhur duke u ngritur edhe niveli intelektual dhe arsimor i diasporës shqiptare të Amerikës. Kështu jo vetëm që po vjen duke u rritur numri i studentëve shqiptarë në universitetet e SHBA-së, por ata po mbrojnë tema të doktoraturës dhe po ligjërojnë në këto universitete. Gjithashtu na gëzon dhe krenon fakti që sot kemi studentë shqiptarë që studiojnë edhe në Universitetin e Harward-it, një ndër universitetet më me reputacion në botë. Mu për këto arsye që u përmendën më lart, diaspora shqiptare fitoi respektin jo vetëm të shoqërisë amerikane, por edhe të Qeverisë së saj.
Ndër sukseset më të mëdha të diasporës shqiptare të Amerikës, në dy dekadat e fundit, ka qenë sensibilizimi i çështjes së Kosovës. Dhe shpeshherë, me rastin e pavarësisë së Kosovës ne falënderojmë SHBA-në dhe administratën amerikane (dhe mirë bëjmë), por nuk duhet të harrojmë për asnjë moment rolin historik që ka luajtur Diaspora shqiptare e Amerikës në ndërgjegjësimin e aspiratave të drejta të Kosovës pranë Kongresit dhe administratës amerikane që nga fundi i viteve ‘80 të shekullit të kaluar. Sikur të mos ishte ky rol aktiv i diasporës sonë, vështirë se do kishim një përkrahje aq të madhe të shtetit amerikan, jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj të gjithë shqiptarëve në përgjithësi.
Ashtu si diasporat e tjera, edhe ne kemi mangësi dhe dobësi organizative. Përkundër faktit se ekziston një numër i konsiderueshëm i organizatave shqiptaro-amerikane, ne ende nuk kemi arritur që të kemi një qendër të përbashkët organizimi ku do të mund të tubohen të gjitha organizatat nën një kulm dhe ku do të mbaheshin manifestime të ndryshme kulturore. Fatkeqësisht, edhe në diasporë (ashtu si edhe në vendlindje) kemi njerëz që gjithnjë vuajnë nga komplekset e bajraktarizmit. Këta persona jo vetëm që nuk përkrahin, por madje edhe pengojnë çdo organizim apo iniciativë ku ata nuk janë në krye.
Diaspora e shqiptarëve me prejardhje nga trojet e veta etnike në Mal të Zi është e organizuar në shoqata dhe fondacione, të cilat kryesisht mbajnë emrat e vendlindjeve të tyre nga kanë ardhur. Roli i tyre, sidomos në aspektin humanitar, ka qenë dhe është i pazëvendësueshëm. Me kontributet e tyre që i kanë dhënë vendlindjes në fushën e arsimit, kulturës, zbutjen e varfërisë, por edhe të infrastrukturës, nuk e teproj nëse them se këto shoqata dhe fondacione kanë luajtur rolin e një mini-qeverie në migrim. Kam frikën se Qeveria Malazeze me qëllim nuk po investon dhe ndihmon trevat shqiptare duke i lënë ato në mëshirën e ndihmave të diasporës.


Koha javore:
Cili është komunikimi ndërmjet shqiptarëve në vendlindje dhe diasporës shqiptare në SHBA?
Xh. Zeneli: I vetmi komunikim që diaspora ka me bashkëvendasit e tyre në vendlindje është ose përmes vizitave që bashkatdhetarët i bëjnë vendlindjes gjatë pushimeve verore, ose kumunikimi përmes internetit (chat-rooms). Pra, ende nuk kemi një komunikim të mirëfilltë apo zyrtar në mes të diasporës dhe bashkëvendasve në vendlindje. Dhe si fillim i mirë në këtë drejtim, sipas mendimit tim, do të ishte vendosja e lidhjeve komunikuese në nivel të qeverisjeve lokale ku jetojnë shqiptarët. Pse, për shembull, Komuna e Ulqinit dhe Komuna Urbane e Tuzit të mos kenë në përbërjen e administratës së vet edhe Sekretariatin për Diasporë duke marrë parasysh numrin e madh të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendlindjes. Dhe ky sekretariat ose ndonjë organ tjetër që do të merrej me çështjet e diasporës, do të organizonte takime me bashkatdhetarët me karakter informativ, por edhe kolturor-artistik. Kur them karakter informativ mendoj në informimin e drejtpërdrejtë të pjesëtarëve të diasporës nga ana e autoriteteve lokale lidhur me investimet e mundshme në vendlindje, mënyrën dhe proceduren ligjore të këtyre investimeve.

Koha javore: Në çfarë konsiston veprimtaria e Shoqatës “Ana e Malit, kryetar i së cilës jeni?
Xh. Zeneli: Akivitetin disavjeçar të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Ana e Malit” kryesisht e karakterizon aktiviteti humanitar ndaj vendlindjes dhe atdheut. Aktiviteti për të cilin ne mburremi më së tepërmi është, pa dyshim, përkrahja financiare që i dhamë luftës për çlirimin e Kosovës gjatë viteve 1998-1999. Natyrisht kjo ishte një ndihmë e vogël në krahasim me ata që sakrifikuan jetën për liri dhe pavarësi.
Ne kemi programin për diasporë dhe për vendlindje. Programi për diasporë zakonisht përbëhet nga organizimi i mbrëmjeve festive dhe i përvjetoreve me rëndësi kombëtare (p.sh. përvjetorët e Pavarësisë së Shqipërisë, Pavarësisë së Kosovës), me ç’rast edhe mblidhen fonde që shfrytëzohen për realizimin e programit dhe projekteve të ndryshme në vendlindje. Këtë vit kemi ndihmuar në mënyrë modeste disa aktivitete në fushën e arsimit, kulturës dhe shëndetësisë. Deri më tani aktiviteti i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Ana e Malit” është sa vijon: ndihmë financiare një familjeje në Millë (Anë të Malit) me rastin e një vdekjeje të papritur të kryefamiljarit, ndihmë financiare një fëmije të sëmurë në Malësi, mbulimi i shpenzimeve për instalimin e dy kondicionierëve për dhomën e pritjes së pacientëve në Shtëpinë e Shëndetit në Katërkollë, donacion për Shoqatën “Ora”, gjegjësisht për aktivitetin tradicional “Pranvera në Anë të Malit” që organizohet nga kjo Shoqatë, ndihmë financiare Fondacionit “Studenti”, sponsorimi i librit “Cafo Begu – Jeta dhe veprimtaria politike”, përkrahje financiare për aksionin humanitar të Dr. Ross dhe ekipit të tij lidhur me realizimin e një kursi për trajnimin e personelit shëndetësor të Komunës së Ulqinit me qëllim të përmirësimit dhe avancimit të shërbimit shëndetësor për banorët e kësaj komune dhe furnizimi me libra i bibliotekës së Shkollës Fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë.
Kurse vitin e kaluar falë një bashkëpunimi të frytshëm në mes të Fondacionit ”Dom Simon Filipaj” dhe Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Ana e Malit” u realizua blerja e autoambulancës për Qendrën Shëndetësore në Ulqin, për nevojat emergjente të banorëve të kësaj komune.
Shfrytëzoj rastin të falënderoj të gjithë bashkatdhetarët në diasporë për kontributet e tyre si dhe une.

Bisedoi: I.Kallaba
Koha Javore
Xheladin Zeneli Facebook


YouTube Preview Image