Përfaqësimi autentik i popujve pakicë dhe ligji zgjedhor

August 3, 2009   | Shoqëria / Društvo

Nail Draga_human rights for allNë shtetet multinacionale çështje të veçantë paraqet përfaqësimi autentik i popujve pakicë apo pakicave nacionale ku në ketë aspekt rast specifik paraqet Mali i Zi, si shteti më përbërje më heterogjene të popullsisë në Evropën Juglindore. Në dimensionin politik nuk ka dilemë se përfaqësues legjitim i këtyre kategorive të qytetarëve mund të jenë ata të cilët përfaqësojnë subjektet politike nacional. Edhe pse sintagma përfaqësimi autenik është përcaktuar edhe në Kushtetutën e Malit të Zi, ajo vazhdimisht është duke u politizuar sidomos tash kur do të punohet në lidhje me përcaktimin definitiv të modalitetit të sistemit zgjedhor.

Temë e ditës në takimet e ndryshme që këto ditë janë duke u mbajtur në Mal të Zi janë pakicat nacionale, përfaqësimi autentik dhe modalitetet e sistemit zgjedhor. Pasi përfaqësimi autentik i tyre është përcaktuar edhe me nenin 79, paragrafi 9 të Kushtetutës së Malit të Zi, ku garantohet “e drejta e përfaqësimit autentik në Kuvendin e Malit të Zi dhe në kuvendet e njësive të vetëqeverisjes lokale, ku ata përbëjnë pjesë të rëndësishme të popullatës, në përputhje me parimin e aksionit afirmativ”, çështje kyçe për specialistët dhe politikanët mbetet harmonizimi i Ligjit zgjedhor me Kushtetutën.
Ndonëse një çështje e tillë ka qenë e udhës të harmonizohej mënjëherë pas miratimit të Kushtetutës së re të Malit të Zi(2007), ajo u prolongua disa herë, gjë që dëshmoi joseriozitetin e shumicës parlamentare, ndonëse nuk mund të amnistohen as përfaqësuesit e opozitës për mosangazhimin konkret të tyre. Dhe nga një gjendje e tillë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat janë mbajtur me 29 mars 2009, ato janë mbajtur me ligjin e vjetër zgjedhor.
Si më parë edhe tash shqiptarët ishin në pozitë të papërshtashme, sepse deri në momentin e fundit nuk e kishin të qartë se çfarë do të jetë statusi i tyre në zgjedhje. Ashtu si u veprua më parë edhe në prag të këtyre zgjedhjeve Kuvendi i Malit të Zi, në saje të vendimit të veçantë përcaktoi për shqiptarët të ashtuquajturën njësi të veçantë zgjedhore ku janë të përfshirë vendbanimet përkatësisht vendvotimet me shumicë shqiptare që do të japin pesë deputetë, ku, ërveç subjekteve nacionale shqiptare do të marrin pjesë edhe subjektet e tjera.

  • 1.Ligji i pakicave në favor të autenticitetit

Edhe pse është diskutuar më herët nga ana e strukturave qeveritare se do të miratohet një ligj i veçantë i cili do të trajtonte në mënyrë eksplicite të drejtat e njeriut dhe të pakicave, ishte momenti politik para përcaktimit të statusit shtetëror të Malit të Zi, që përfundimisht u vendos për një ligj të tillë.
Pikërisht me 10 maj 2006, në prag të mbajtjes së referendumit për pavarësi të Malit të Zi, Kuvendi i Malit të Zi aprovoi Ligjin për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të pakicave. Në këtë ligj të cilit mund ti bëhën verejtje të ndryshme, për të parën herë në nenet 23 dhe 24 është paraparë përfaqësimi autentik i pakicave në parlamentet lokale dhe në atë shtetëror. Në këto nene është përcaktuar edhe pjesëmarrja e nevojshme në përqindje, çka ishte një risi për Malin e Zi, sepse garantohej me ligj përfaqësimi i pjesëtarëve të popujve pakicë apo të pakicave nacionale.
Por, pas referendumit të 21 majit 2009, ku qytetarët vendosen që Mali i Zi të jetë shtet i pavarur, Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi, me kërkesë të subjektit politik proserb(SNP) anuloi këto dy nene si kundërkushtetuese. Nuk ka dilemë së një veprim i tillë ishte i motivuar politikisht, që iritoi pjesëtarët e popujve pakicë, kryesisht shqiptarët dhe boshnjakët, sepse nuk u mbajtën premtimet e dhëna para referendumit.
Ndërsa nga ajo kohë e deri më tash çdo gjë ka mbetur pezull, sepse nuk ka ekzistuar iniciativë nga Ministria e Pakicave si hartuese e këtij ligji për rishqyrtim të tij me theks të veçantë për rikthim të këtyre dy neneve, por as disponim e gatishmëri nga qeveria aktuale për ndryshime pozitive në ketë drejtim.

  • 2.Pjesëtar i popullit

Jo rrallë jemi dëshmitarë që në jetën e përditshme individët e ndryshëm nga mosnjohja e semantikës së termave të ndryshëm japin edhe shpjegime të gabuara të cilat nuk përkojnë me realitetin e termit përkatës. Një dukuri e tillë është e pranishme sidomos në leksikun ditor ku në mënyrë të veçantë dallohet fusha e politikës më ç’ rast qasja diletante përcakton nivelin e individëve dhe mjediseve përkatëse
Kështu në kuptimin sociologjik pjesëtar i popullit mund të jetë çdo individ që mendon së i takon popullit përkatës, sepse ka prejardhjen e përbashkët, gjuhën, kulturën, doket, historinë dhe simbolet kombëtare të përbashkëta. Është çështje e ndjenjës personale të çdo individi që të deklarohet së i përket këtij apo atij populli. Madje varësisht nga situatat në ketë aspekt në të kaluarën jo të largët kanë ekzistuar qasjet subjektive, të cilat ndoshta edhe kanë qenë të imponuara nga situatat e ndryshme.
Por, kur mendojmë në aspektin politik, atëherë kemi të bëjmë me një kategori tjetër, madje të veçantë, e kjo ka të bëjë sidomos mer mjediset multinacionale dhe multikulturore.
Madje pikërisht, ne mjediset e tilla dëshmohet në mënyrë praktike funksionimi i shtetit ligjor, përmes përfaqësimit të pjesëtarëve të popujve përkatës në strukturat qeverisëse qoftë në nivelin lokal apo në atë shetetëror. Dhe se si është gjendja faktike në ketë aspekt dëshmojnë të dhënat statistikore, nga të cilat nëse marrim si shembull shqiptarët në Mal të Zi, del qartë pabarazia praktike e mospërfaqësimit të tyre proporcional fenomen ky i pranishëm në mënyrë të vazhdueshme në ketë mjedis.

  • 3.Përfaqësues i popullit

Nëse sintagma “pjesëtar i popullit” ka kuptimin e përgjithshëm është e kundërta me sintagmën “përfaqësues i popullit” sepse kjo ka dimensionin politik. Pra, kemi të bëjmë me një kategori të veçantë, që gëzojnë popujt të cilët kanë organizim politik përmes subjekteve politike nacionale he si të tillë marrin pjesë në zgjedhje të ndryshme në mjedisin dhe vendin përkatës.
Duke marrë parasysh një konstatim të tillë del qartë se nuk është i njëjtë konstatimi se të jesh pjesëtar i një populli, patjetër mund të jesh edhe përfaqësues i tij.
Sepse nuk mund të jetë përfaqësues politik i një populli, në rastin konkret ati shqiptar, individi i cili në shtëpi nuk flet shqip dhe fëmijet nuk i shkollon në gjuhën shqipe, apo është indiferent ndaj çështjeve që kanë të bëjnë me statusin e popullit shqiptar në ketë mjedis. Ai si i tillë mund të jetë vetëm shqipfolës e asgjë më shumë, që na kujton kohen e monizmit.
Në dimensionin e përfaqësimit politik, nuk ka dilemë se autentikë janë vetëm ato individ të cilët përfaqësojnë subjektet politike nacionale. Por, është çështje tjetër se sa subjektet nacionale me përfaqësuesit e tyre arrijnë për të senzibilizuar opinionin e brendshëm dhe të jashtëm ne lidhje me pozitën dhe statusin e popullit të cilin e përfaqësojnë.

  • 4. Për shqiptarët njësia e veçantë zgjedhore

Ndonëse nuk ka ekzistuar një ligj zgjedhor i cili do të ishte i pranueshëm shqiptarët në Mal të Zi nga miratimi i pluralizmit ata kanë marrë pjesë në zgjedhje përmes subjekteve të tyre politike. Dhe nga viti 1990, kur u mbajten zgjedhjet e para pluraliste deri më tash në praktikën elektorale në Mal të Zi, kanë qenë tre modele zgjedhore.
Për ne shqiptarët më i pranueshëm ka qenë modeli i vitit 1996, kur Mali i Zi ka qenë i ndarë në 14 njësi apo zona zgjedhore, ku për shqiptarët kanë qenë të rezervuara dy(13 dhe 14) që kanë dhënë 4 mandate deputetësh, dhe modeli tjetër nga viti 1998 e më pas ku vendvotimet më popullsi shumicë shqiptare kanë dhënë 4 apo 5 deputetë, që varej nga vendimi i veçantë që merrej në Kuvendin e Malit të Zi.
Duke marrë parasysh se Mali i Zi vazhdimisht ka qenë një njësi zgjedhore, në një farë mënyre vendvotimet më popullsi shumicë shqiptare(59) kanë paraqitur në miniaturë njësinë e dytë zgjedhore në Mal të Zi.
Andaj duke marrë parasysh këto të dhëna në lidhje me pjesëtarët e popullit shqiptar në procesin zgjedhor në Mal të Zi ekziston një përvojë e cila duhet të merret në konsideratë, më rastin e harmonizimit të modelit të ri zgjedhor me Kushtetutën e vendit.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat u mbajten më 29 mars 2009, vendvotimet shqiptare kanë dhënë 5 mandate deputetesh, ku përveç subjekteve nacionale shqiptare kanë marrë pjesë edhe subjekte të tjera. Kësaj here ndodhi ajo që pakkush e ka pritur, sepse subjektet politike shqiptare morën katër deputetë, ndërsa DPS-i një deputet.
Në modelin e ardhshëm zgjedhor kur janë në pyetje popujt pakicë apo pakicat nacionale shqiptarët duhet të insistojnë në njësinë e veçantë zgjedhore e cila do të japë 5 mandate deputetësh. Një numër të tillë mandatësh e garanton trupi zgjedhor me kusht që parlamenti të ketë gjithsej 81 deputetë. Në ndarjen e mandatëve në ketë njësi zgjedhore duhet të marrin pjesë subjektet nacionale shqiptare, ndërsa mund të votohen edhe subjektet tjera jashtë këtij korpusi politik.
Në favor të njësisë së veçantë zgjedhore për shqiptarët janë edhe dy parakushte:

  • 1) shqiptarët janë popull autokton dhe homogjen në territorin përkatës dhe
  • 2) shqiptarët janë e vetmja popullsi josllave në Mal të Zi.

Këto dy veti dalluese është e domosdoshme që të merren parasysh nga grupi punues i parlamentit të Malit të Zi sepse janë të veçanta në krahasim më qytetarët e tjerë në ketë mjedis.
Ndërsa sa iu përket pjesëtarëve të popujve të tjerë pakicë nuk ka dilemë se përfaqësuesit e tyre politikë duhet të ofrojnë zgjidhje që do të jenë sipas standardëve ndërkombëtare dhe të pranueshme edhe për pjesëtarët e popujve të tjerë në Mal të Zi. Përvoja e disa vendeve multinacionale evropiane do të jetë e mirëseardhur edhe pse secili vend ka harmonizuar modelet zgjedhore në mënyrë autonome, sepse nuk ekzistojnë modele unike të kësaj natyre.

Dr. Nail Draga
Koha Javore