Intervistë me kryetarin e KNSH-së në Malin e Zi, Tahir Tahiri

August 10, 2009   | Intervista / Intervju

Tahir Tahiri.1Për harmoninë duhet respekti i dyanshëm

Koha javore: Z. Tahiri, ne në redaksinë e gazetës “Koha javore” kemi hapur temën në lidhje me pjesëmarrjen e pakicave në jetën publike. Na tregoni, cili është qëndrimi i Këshillit Nacional të Shqiptarëve lidhur me pjesëmarrjen e pakicave në jetën publike?
T. Tahiri: Pjesëmarrja e pakicave në jetën publike është tejet e rëndësishme, por edhe e domosdoshme, jo vetëm për pakicën përkatëse por edhe për shoqërinë, gjegjësisht shtetin në të cilin ajo pakicë jeton dhe vepron. Nuk mund të ketë demokratizim të mirëfilltë të një vendi dhe të flitet për avancim apo përparim të të drejtave të një populli pakicë nëse fjala dhe zëri i tyre nuk dëgjohet dhe çka është më me rëndësi, nëse kërkesat e tyre si pakicë injorohen dhe nuk merren parasysh nga institucionet dhe organet e shtetit.
Kjo me ne shqiptarët në Malin e Zi ka ndodhur në vazhdimësi, për fat të keq po ndodh edhe sot, ndonëse në formë më të kamufluar nën moton e kinse demokracisë me dhënien e ndonjë posti në Qeveri, prandaj mendoj se kjo gjendje duhet të ndryshojë sa më parë.
Bie fjala, si mund të injorohen kërkesat e shqiptarëve në shtetin e Malit të Zi në njërën anë, e nga ana tjetër, thuhet në Kushtetutë, se Mali i Zi është shtet i të gjithë qytetarëve të tij, të cilët jetojnë të barabartë në harmoni, mirëqenie, etj. Vlerësoj se për harmoninë, qoftë edhe në aspektin e marrëdhënieve në mes pjesëtarëve të popujve të ndryshëm sidomos kur ata jetojnë në një shtet të përbashkët, duhet në radhë të parë të ekzistojë respekti i dyanshëm, vlerësimi reciprok dhe pranimi i njëri tjetrit ashtu siç janë.
Pa respektimin e këtyre vlerave nuk mund të flitet as për të drejtat e popujve pakicë. Dhe në këtë drejtim qëndrimi i KNSH-së në Malin e Zi lidhur me pjesëmarrjen e pakicave në jetën publike është i qartë dhe parimor, është ai që duhet të jetë, duke mos shkuar në dëm të askujt, që shqiptarët në Malin e Zi ashtu sikur e parashohin konventat ndërkombëtare për të drejtat e popujve pakicë të pranuara nga të gjitha shtetet demokratike në botë dhe ato europiane pjesë të BE-së, në të cilën pretendon të aderojë edhe Mali i Zi, duhet të jenë të përfaqësuar në të gjitha institucionet e shtetit, shërbimet publike, vetëqeverisjen lokale, Parlamentin shtetëror, në kuvendin e vetëqeverisjes lokale, përpjesëtimisht me numrin e tyre si popull autokton, e që fatkeqësisht ende deri më sot nuk është bërë realitet.
Shqiptarët në Malin e Zi nuk janë të përfaqësuar (apo së paku numërohen në gishtat e një dore) në polici, as në gjykata e prokurori, në Ministrinë e Arsimit, të Kulturës, e në shumë e shumë institucione të tjera me rëndësi në të cilat vendoset për fatin e tyre, si popull autokton në trojet e veta etnike, sot aktualisht pakicë në Malin e Zi.
Për të ilustruar këtë, ndonëse raste të tilla të përfaqësimit të ulët apo largimit të shqiptarëve edhe nga vendet ku shërbejnë një kohë të caktuar janë të shumta sidomos në polici, po përmend rastin më të freskët. Fjala është për vendkalimin kufitar Sukubinë-Muriqan i cili u lëshua në punë në qershor të këtij viti nga Kryeministrat e dy vendeve, të Shqipërisë e Malit të Zi. Në ceremoninë e hapjes së kësaj pike kufitare u deklarua se vendkalimi në fjalë do të ndikojë në përafrimin e mëtejmë të mardhënieve në mes dy shteteve e për këtë kontribut do japin edhe shqiptarët në Malin e Zi. Mirëpo, që prej asaj dite në pjesën e pikës kufitare të Malit të Zi nuk punon asnjë pjesëtar policie nga radhët e shqiptarëve. Duke ditur se lëvizjet më të mëdha bëhen në radhë të parë nga qytetarët e njërës dhe tjetrës anë, pjesëtarë të një kombi, me tradita, gjuhë e kulturë të njëjtë të cilët veç ky kufi i ndanë, është e qartë se kemi të bëjmë me një veprim aspak demokratik,e të pandershëm, me primesa diskriminuese me qëllim të pengimit me çdo kusht të komunikimit qoftë edhe verbal mes shqiptarëve, veprime këto pra të cilat shkojnë në dëm të integrimit të shqiptarëve në shoqërinë e këtij Shteti.

Koha javore: A keni bashkëpunim me Ministrinë e Pakicave pasi që ajo udhëhiqet nga shqiptarët në hartimin e strategjisë për përfshirjen e kuadrove të reja në institucionet shtetërore?
T.Tahiri: Në fakt më duhet të them se Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, e udhëhequr nga kuadro të UDSH-së, ka pasur një qëndrim mjaft distancues dhe të ftohtë ndaj këshillave të pakicave e sidomos ndaj Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi. Dhe e vetmja arsye për këtë ka qenë, siç thuhet, “mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të KNSH-së”, edhe pse siç dihet procesi zgjedhor dhe Kuvendi elektoral prej të cilit edhe kanë dalë anëtarët e zgjedhur të Këshillit (përveç atyre që me automatizëm sipas funksionit nëse dëshirojnë janë anëtarë) e ka udhëhequr dhe menaxhuar në tërësi Ministria e Pakicave. Përbërja aktuale e KNSH-së, me sa duket, nuk i ka konvenuar UDSH-së e cila është në koalicion me PDS-në në pushtet. Për këtë arsye, anëtarët e këtij subjekti politik shqiptar në KNSH, ku bën pjesë edhe ministri aktual z.Dinosha, njëjtë sikur edhe ish ministri i kësaj Ministrie, e kanë bojkotuar dhe vazhdojnë ta bojkotojnë pjesëmarrjen në punën e Këshillit dhe aktivitetet e trupave punues të KNSH-së. Kjo ka bërë që bashkëpunimi i ndërsjelltë të jetë në nivel tejet të ulët. Kohëve të fundit ka sinjale se Ministria për Mbrojtjen e të Drejtave të Pakicave është e interesuar për bashkëpunim, që unë shpresoj të ndodhë sepse ministri aktual është anëtar i KNSH-së dhe kontributi i tij do të ishte tejet i dobishëm ashtu si i çdo anëtari tjetër të Këshillit, nëse qëllimet janë të mira e që unë në asnjë moment nuk e vë në dyshim.

Koha javore: Pasi që normat ndërkombëtare rekomandojnë respektimin e këtyre standardeve për shtete që aprovojnë konventat të cilat trajtojnë këtë problematikë, sa do të angazhoheni si kryetar i KNSH-së në respektimin e konventave ndërkombëtare si dokumente të cilat duhet të trajtohen si interes vital për pakicën autoktone shqiptare në Mal të Zi?Tahir Tahiri
T. Tahiri: E kam theksuar edhe në disa media të tjera se problemet me të cilat përballen shqiptarët sot në Malin e Zi janë të mëdha, të llojllojshme dhe larg asaj që pretendojmë ne si popull autokton por në numër pakicë. Zgjidhja e këtyre problemeve dhe kërkesave kërkon një qasje serioze, të drejtë dhe pa fërkime politike nganjëherë tendencioze mes subjekteve politike shqiptare. Dhe që këto kërkesa legjitime, të garantuara edhe me Kushtetutë, të përmbushen dhe të jetësohen në përditshmërinë tonë, e që kanë të bëjnë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi si popull pakicë, të cilat janë të precizuara shumë mirë edhe në Konventat relevante ndërkombëtare, duke përfshirë këtu edhe Konventën për Popujt Vendorë dhe Fisnorë në Shtete të Pavarura, nr.169/99, kërkohet unifikim i faktorit shqiptarë në Malin e Zi. Pa këtë unifikim aq shumë të nevojshë sipas meje, dhe bashkërendim rreth një qëllimi të përbashkët e që është arritja e të drejtave tona si shqiptarë konform këtyre konventave për të cilat po flasim, vështirë se mund të arrihet atje ku synojmë, mirëpo jam i bindur se përpjekjet dhe aktivitetet tona nuk do të mungojnë pa marrë parashysh divergjencat ekzistuese në radhë të parë të shkaktuara nga përfitimet e ngushta politike.
Pra, ne do të kërkojmë parreshtur plotësimin e këtyre kërkesave, pa marrë parasysh mosgatishmërinë e shtetit të Malit të Zi i cili sot, për fat të keq qëndron, që përfshirja e shqiptarëve si popull autokton në trojet e veta etnike të bëhet realitet, që do të thotë se shqiptarët duhet të dinë dhe duhet të pyeten për çdo gjë që ka të bëjë apo është e lidhur me ta dhe me interesin e tyre.

Koha javore: A mund të shpresojnë shqiptarët se në të ardhmen do të ketë përmirësim në drejtim të përfshirjes së pakicës shqiptare në jetën publike?
T. Tahiri: Strategjia e veprimit të KNSH-së përkitazi me çështjen që Ju shtroni por edhe me çështje të tjera që kanë të bëjnë me shqiptarët në Malin e Zi, do të jetë e bazuar në të drejtat që dalin nga Kushtetuta, ligjet e dispozitat e tjera juridike, në kuadër të mundësive që ofrojnë këto akte ligjore tani për tani, por edhe në bazë të Statutit të KNSH-së ku si qëllim parësor i Këshillit theksohet se është mbrojtja, afirmimi, realizimi dhe avancimi i të drejtave nacionale, kulturore, gjuhësore, fetare, informative, sociale, ekonomike dhe i të gjitha të drejtave dhe interesave të tjera të shqiptarëve. Këshilli Nacional i Shqiptarëve aktivitetin e vet kryesor e bazon në punën e trupave punues në kuadër të Këshillit e që përfshijnë fushat me rëndësi jetike për shqiptarët. Secili prej këtyre komisioneve harton planin dhe strategjinë e veprimit të vet dhe në bazë të kësaj agjende e bazon strategjinë e vet edhe KNSH, ku bën pjesë edhe përfaqësimi proporcional i shqiptarëve në shërbimet publike, organet shtetërore, të vetëqeverisjes lokale dhe përfaqësimin proporcional autentik në Parlamentin e Malit të Zi dhe kuvendin e vetëqeverisjes lokale ku shqiptarët janë autoktonë.
Është për të ardhur keq që KNSH, si organ që prezanton dhe përfaqëson pakicën nacionale shqiptare në Malin e Zi, nuk e ka mundësinë e marrjes së Vendimeve të cilat do të ishin në një farë mënyre obligative për institucionet shtetërore për t’u shqyrtuar dhe aprovuar, por ka vetëm kompetenca këshillëdhënëse dhe mundësinë për të dhënë mendim nëse i kërkohet, e kjo është ajo që e vë në pikëpyetje rolin dhe mundësinë reale të KNSH-së në realizimin e këtyre objektivave.

Bisedoi: M. Gjokaj
Koha Javore

YouTube Preview Image