Elvana Gjata: Dashuria është jetë, ndihem e lumtur

August 15, 2009   | Lajmet / Vijesti

Elvana-Gjata-The-Bests-SongsKa një zë të bukur, që pëlqehet më së shumti nga rinia. Në çdo këngë të saj ajo shfaqet me një stil të ri muzikor. Pasi Elvana Gjata nuk do të jetë kurrë e njëjtë. Përveç se në muzikë kjo ndodh edhe në look-un e saj dhe në performancat në klipet e saj krejt të veçanta. Sapo ka lançuar këngën e saj të re “Hitech” dhe gjithë kohës gjendet në udhëtim. Një turne koncertesh në Kosovë e Maqedoni, e për të vazhduar aktualisht punën me albumin e saj të dytë që pritet të dalë në këtë shtator. Përpos sukseseve në jetën artistike Elvana po shijon edhe lidhjen e saj të dashurisë, për të cilën na pohon se ndihet e lumtur. E do jetën dhe e shijon në të gjitha dimensionet e saj. Për të, aventura më e bukur është pikërisht jeta. E ndërkaq të tjera plane e surpriza na i rrëfen vetë bukuroshja e muzikës.

Si ka qenë kjo verë për Elvanën?
Ka qenë dhe vazhdon të jetë një verë shumë e ngarkuar, me plot koncerte. Kam zhvilluar një turne në Kosovë dhe Maqedoni e përveç këtyre jam duke përfunduar punën për albumin e dytë që del këtë shtator.

Elvana Gjata.3Për ju kjo stinë do të thotë më shumë punë apo pushime?
Absolutisht me shumë punë, sidomos këtë verë që përveçse më duhet të zhvilloj koncerte jashtë Shqipërisë, duhet edhe të punoj për shfaqjen time që do të jetë diploma ime. Më duhet ta shfaq në shtator dhe atë, kështu që s’më mbetet kohë për pushime… Kam bërë pushime vetëm dy ditë në Dhërmi me familjen në qershor para se të nisja turneun dhe këto kanë qenë dy ditë pushime (në qoftë se mund të quhen të tilla) të mrekullueshme.

Sapo keni nxjerrë këngën tuaj të re “Hitech”, një këngë ndryshe nga ato që ju kemi parë deri më tani. Keni zgjedhur vetë që të mos jeni njësoj në çdo këngë, apo jeni ende në fazën që eksperimentoni në të gjitha llojet e muzikës për të kuptuar se ku ju pëlqen më shumë publiku?

Në fakt “Hitech” përfaqëson stilin e muzikës që bëj, por muzika evoluon nga dita në ditë dhe të krijon përshtypjen e një stili të ri. Më pëlqen që të vij gjithmonë ndryshe. Duke e ndryshuar imazhin tim, gjithmonë me profesionalizëm. Jam e bindur që publiku e përkrah çdo gjë që ka pasion dhe përkushtim brenda.

Deri më tani cili është suksesi juaj më i madh në muzikë?
Çdo dalje e imja ka pasur një pikësynim të caktuar dhe them se ia kam arritur. Kjo përbën një sukses të madh në tërësi.

Cili është komplimenti më i bukur që ju kanë bërë?
Ato komplimente që unë e kam ndjerë vërtetë që kanë qenë të sinqerta.

Veshjet tuaja i krahasojnë shpesh me ato të këngëtares J.Lo. Është idhull i juaji ajo?
Jo. Aq më tepër që vitin e fundit që veshjet e mia stilohen nga stilisja Jona Muça të cilat janë vërtet unike.

Kush është këngëtarja model që ju preferoni?
Ka shumë të tilla, po do të veçoja Mary.J.Blige, Whitney Huston dhe Lauren Hill.
Po nga këngëtaret shqiptare kë vlerësoni?
Nga këngëtarët tanë vokalisht më pëlqejnë Soni Malaj, Besa Kokdhima, Eneida Tarifa, etj.

Kush ka qenë njeriu që ka zbuluar talentin tek ju dhe ju ka mbështetur në rrugën e muzikës?
Motra ime. Ajo ka qenë e para dhe ka qenë një mbështetje e madhe gjatë gjithë karrierës time dhe i jam mirënjohëse.

E kishit menduar ndonjëherë se do ta arrinit suksesin kaq shpejt?
Për të qenë e vërtetë e kisha menduar. unë jam e mendimit se me punë mund të arrihet gjithçka. Shpejt apo ngadalë, është çështje kohe.

Elvana Gjata.1Jeni e kënaqur me çfarë keni arritur deri tani dhe cilin do të cilësonit si çelësin e suksesit tuaj?
E mira s’ka fund. Kam ende shumë punë për të bërë. Padyshim Florian Mumajesi është ai që ka gjetur çelësin.

Cili është koncerti më i bukur ku keni qenë deri më tani dhe çfarë ju ka emocionuar?
Koncertet janë burim emocionesh të pashtershme që do më qëndrojnë gjatë në mendje. Gjithsecili ka veçantinë e tij.

A keni ndjerë ndonjëherë xhelozinë e ndonjë këngëtareje ndaj jush?
Jo të shprehura të paktën.

Çfarë planesh ka Elvana për karrierën e saj? Çfarë do të donit të realizonit?
Tani për tani është albumi. Plane ka shumë, një ndër to është një koncert recital me orkestër sinfonike.

Cila është aventura më e bukur që keni bërë?
Jeta që po jetoj.

Jeni natyrë që pëlqeni sportet ekstreme apo jo? Çfarë e kënaq Elvanën? Çfarë ju rrit adrenalinën?
Nuk jam shumë e dhënë ndaj sporteve ekstreme, ama një shpejtësi më tepër se e lejuara në ngarjen e makinës ndonjëherë më pëlqen.

Dini të gatuani dhe çfarë bëni?
Jam një amvisë e shkëlqyer, e kam pasion kuzhinën. Mund të gatuaj gjithçka.

Cila është frika jote më e madhe? Nga se keni fobi?
Të humb njerëzit më të dashur. Por gjithashtu kam shumë fobi nga era e fortë, fortuna.

Jeni kapur nga paparacët me një djalosh. Por vetë nuk pranoni të flisni për jetën tuaj private. Lexuesit e “Summer Pages” dhe fansat tuaj do të donin të dinin diçka për të dashurin tuaj dhe si ndihet Elvana?
Kam nevojë që edhe unë të kem jetën time private, por mund të them që ndihem shumë mirë.

Çfarë është dashuria për ju?
Është jetë.

Jeni natyrë që bëni çmendurira apo sakrifica për dashurinë?
Investoj shumë për të.

G.SH

YouTube Preview Image