Vepra “Mimesis” e Andrej Nikolaidis – një roman rock’n’roll

August 17, 2009   | Kulturë / Kultura

Vepra “Mimesis” e Andrej NikolaidisVepra “Mimesis” e Andrej Nikolaidis, edhe pse e shkruar në gjininë e romanit, imiton formën e albumeve muzikore, duke u ndarë në dy pjesë (A dhe B) me nga pesë “këngë” për absurdin ballkanik. Secili kapitull emërtohet me tituj nga hitet e muzikës rock, përmbajtja e romanit është e mbushur me elemente të rockut (seks, drogë, muzikë) dhe gjithandej në roman artikulohet një rock – revoltë ndaj realitetit ballkanik

Ag Apolloni

Andrej Nikollaidis (1974, Sarajevë) është shkrimtar dhe gazetar me vendbanim në Ulqin. Si shkrimtar ka shkruar librat dhe tregime “Shqyrtime mbi indiferencën” dhe “Katedralja në Sijetll” dhe romanet: “Pse Mira Furlan”, “Ata”, “Mimesis” dhe “Biri”; ndërsa si gazetar ka shkruar kolumne për disa gazeta dhe revista dhe njihet për polemikën e ashpër me regjisorin Emir Kusturica të cilin e ka quajtur “një nga yjet më të mëdhenj mediatik të kohës së Millosheviqit”. Si në gazetari, ashtu edhe në letërsi, Andrej Nikolaidis është autor që e thotë të vërtetën pa pardon. Jetën e përditshme e ka temë, prandaj vepra e tij është imituese (mimesis) në parim dhe kritikuese (krisis) në qëndrim.

REMIX

Termi “mimesis” është esenca e filozofisë së Platonit dhe Aristotelit. Me Andrej Nikolaidis_ulqin_ulcinj.1mimesis Platoni kuptonte botën tonë që është imitim i botës ideale, ndërsa Aristoteli, si më praktik që ishte, me mimesis kuptonte vetëm artin, pra artin si kopje të jetës. Nikolaidis e shkruan “Mimesisin” e tij sipas parimit të Aristotelit: duke e imituar jetën. Kësisoj, ai krijon një letërsi në shkallën e parë. Në anën tjetër, Platoni e ndanë letërsinë (poiesis) në rrëfim (diegesis) dhe imitim (mimesis), duke preferuar ndarjen e letërsisë në tri mënyra: mënyrë e pastër narrative, sepse në të fliste vetëm autori; dramën e konsideronte mënyrë të pastër mimetike, sepse në të flisnin vetëm personazhet, ndërsa epin e konsideronte mënyrë mikste, sepse në të flisnin autori dhe personazhet. Romani, si një formë ku zëri i autorit (ose narratorit) alternohet me zërin e personazheve, i përket mënyrës së përzier epike, pra është pasardhës i epit. Ky alternim zërash tashmë nuk bëhet në vargje, por në prozë. Megjithatë, karakteri mikst në roman, përveç alternimit të zërave, nënkupton edhe përzierje gjinish e formash, mandje edhe mediumesh. Kjo vlen sidomos për romanin postmodern, çfarë është edhe romani “Mimesis” të cilin titulli e afron më shumë me mënyrën mimetike, edhe pse i përket asaj diegjetike. Po ashtu një ndikim i madh në këtë roman vjen nga muzika, aq sa mund të thuhet se ajo i përcakton konturat (formën) dhe brendinë (përmbajtjen) e tij. “Mimesis”, pra, nuk është thjesht një mënyrë mikste, por një vepër mikste, në kuptimin e plotë të fjalës. Në fakt, vetë jeta në Ballkan është mikste, kështu që vepra bazohet mbi këtë jetë, pra është reproduktim i këtij miksti. Jeta – miks, vepra – remiks (përzierje e përsëritur).

ALBUM

“Mimesis”  Andrej Nikolaidis.1Romani “Mimesis” (përkthyer edhe në shqip nga Hajro Ulqinaku) sikur albumet ose disqet kompakte (CD), ndahet në dy pjesë ku secila syresh ka nga pesë “këngë” (kapituj). Pjesa e parë ka këta kapituj: A1: I seea darkness (Bonnie Prince Billy), A2: In the aeroplane over the sea (Neutral Milk Hotel), A3: Girl (The Beatles), A4: Love ëill tear us apart (Joy Divlesion) dhe A5: Heroes (David Boëie), pjesa e dytë ka këta kapituj: B1: Losing my religio (R.E.M.), B2: Blood (Tindersticks), B3: Ëayfaring stranger (Johny Cash), B4: Yes! I am a long ëay from home (Mogval) dhe B5: Still ill (The Smiths). Në të gjithë albumin e Nikolaidisit është një “narrator homodiegjetik”, i quajtur Konstantin Teofilis, i cili është i dentifikueshëm me vetë autorin. Ky narrator, familja e të cilit është nga Voskopoja, por me prejardhje greke, është lindur më 7 maj 1974 dhe e ka ditëlindjen e përbashkët me Marshal Titon. Edhe pse ka shpirt grek, biri i basisstit të grupit “Albatros”, nuk ndërmerr udhëtime si Uliksi, por vendos të rrijë i qetë aty ku është: “Nëse besoni në histori familjare dhe në mësimet që i jep mitologjia gjenealogjike, gjithçka në mua thotë: udhëto! E megjithatë, unë qetë rri ratë në banesën e gjyshes në Gërbavicë”. Këtu mitit të Uliksit, autori ia kundërvë mitin e dembelizmit të banorit të Malit të Zi, i cili që në fillim thotë se ka marrë një letër nga e dashura Tea, e cila, pasi ka marrë ikën nga prindi që e kishte dhunuar, i lutet (për herë të fundit) Konstantinit që të takohen në Amsterdam më 7 maj në ora 17 e 30, por ai, në vend se të niset, preferon të tregojë historinë, ora tregon: 16:20. ai nuk mund të vendosë të shkojë apo të rrijë. Mes veprimit dhe mendimit, ai i jep përparësi mendimit: “Gjithçka me rëndësi ndodh në mendime”. Në anën tjetër, edhe pse e ka ditëlindjen e përbashkët me Titon, narratori nuk ushqehet me ndonjë “metarecit”, çfarë ishte komunizmi, por thjesht gjithçka e sheh lëmsh, duke e pranuar kështu devizën e posmodernizmit. “anything goes!, ndërsa në veçanti “Republika Serpska” e sheh si më “postmodernen” në Ballkan: “Republika Serpska është një vend derridian – parajsë e dekonstruksionit. Të rrënosh, të shkatërrosh, të ndash, të shpërndash…”, këto janë qëllimet e saj. Madje, fundin e brezit revolucionar, narratori i jep duke bërë një krahasim mes fqinjit dhe vetes. Fqinji pesëdhjetë vjeçar, në pikë të dimrit, çohet heret në mëngjes dhe bën ushtrime në oborr, duke cituar mendimin të cilin ai e mendon se e ka thënë Njegoshi: “Në trupin e shëndoshë – mendja e shëndoshë”. Ndërsa narratori thotë: “Një mëngjes kam dalë të shëtis nëpër stuhi, sepse nga alkooli i keq më dhimbste koka. Atëherë e kam kuptuar se bota ime do të shkatërrohet. Në të nuk ka pasur pensionistët të cilët ushtrojnë në acar dhe votojnë për kriminelët e luftës. Ndërsa realiteti ka qenë i përbërë me hajvanë trashamanë të tillë dhe të budallaqëve të tyre. Në botën time nuk ka pasur njerëz të cilët kanë besuar se të gjitha urtësitë që i kanë dëgjuar në jetë – i ka shkruar Njegoshi”. Kallëzimi për dy botë të ndara vë në njërën anë nacionalistët, në anën tjetër narkomanët e narkomanizmi dhe nacionalizmi i përjashtojnë njëri tjetrin: “Kur ne e kemi dëgjuar” Sonis Youth” dhe “The Cure”, ata e kanë dëgjuar Miroslav Iliqin”, thotë jo pa ironi narratori që bën pjesë në taborin e narkomanëve.

QEVERITË JANË SI BREKËT

Andrej Nikolaidis_ulqin_ulcinjNarratori në këtë “album” nuk është një narkoman dosido, por një njeri i zgjuar, i cili mes Platonit dhe Aristotelit ka zgjedhur të parin, sepse “ai e ka ditur se bota vlen më pak se ideja”. Kështu që, narratori vendos të jetojë duke iu përmbajtur motos së rockerëve: “seks, drogë, muzikë”. Dhe, duke qenë tip “destruktiv”, ai ndihet me fat, sepse i ka të tria ato që i kishte motoja. Si narkomanë dhe alkoolist, ai është tejet atraktiv për femra: “Nëse jeni rast social, alkoolist dhe dhunuse, ju në Mal të Zi jeni magnet për gra”, sepse dashuria aty është mazohiste: “Gruaja malazeze turpërohet nëse është e lumtur në jetën bashkëshortore”, madje “martesat në Mal të Zi shpesh prishen, sepse meshkujt bashkëshortor grave nuk u sigurojnë mjaft vuajtje”. Ndërsa seksi dhe muzika ndonjëherë e plotësojnë njëra tjetrën, jo pa një dozë ironie: “Kur e kam humbur virgjinitetin, në gramafonin tim është sjellë kënga e “The beatles. Kur pas ejakulimit të shpejtë jamë rrëzuar nga shtrati dhe i kam ledhatuar flokët e vajzës time të parë, kam dëgjuar vetëm frymëmarrjen e saj të shpejtuar dhe Lenonin i cili këndonte: Girl…”.
Rrëfimi bëhet kritikues veçmas ndaj femrave katundare, të cilat shkojnë në fakultet për të shpëtuar nga mjelja e lopëve dhe për të realizuar moton e jetës së tyre (“ të gjitha në jetë duhet provuar”) dhe fundit që e provojnë është vdekja në ndonjë birucë si pasojë e drogës. Këto femra që detyrohen t’ua ruajnë fytyrën baballarëve në fshat, ku jetohet vetëm me thashetheme, porsa të shkojnë në universitet lëshohen “si ujkonja, të gatshme për ndërsim, ngarendin drejt qyteteve të mëdha, që atje t’i kënaqin fantazitë e veta seksuale(…) ky është qëllimi i ekzistimit të universitetit në Mal të Zi” në një kohë kur ereksioni i konceptohet si qendër e universit.
Duke folur për seksin si një konkretizim të dashurisë, narratori bën objekt të rrëfimit të gjitha format e imoralitetit që e arrijnë kulmin me incestin mes Teas dhe vëllait të saj Goranit për t’u pasuar mandej nga incesti mes Teas dhe babait të saj: “Të gjitha që ia ka bërë Gorani kanë qenë, sa herë më ka rrëfyer, më me pak dhimbje nga mendimi në babanë i cili ia ka mbushur rropullitë me farën nga e cila ajo është krijuar”.
Mali i Zi, por edhe i gjithë Ballkani, si një “dekonstruksion derridian” imponon natyrën depresive te banorët e vet. Aty është pamundur të jetohet esëll, prandaj personazhet ngushëllimin e gjejnë duke e praktikuar moton e rockerëve. Në të gjithmonë i forti e ka hëngër të dobëtin, duke ia mohuar edhe identitetin: “shumica e popullsisë shqiptare ka qenë e detyruar të sllovenizojë llagapët, duke vënë prapashtesat: iq, oviq, kështu që Resulbegu do të bëhet Resulbegoviq, Abazi – Abazoviq…”.
Nikolaidis është kritik ndaj fenomeneve, pastaj pashmangshëm edhe ndaj nacionaliteteve të cilat i japin një karakter multietnik Malit të Zi. Vendasi detyrohet ta urrejë vendin e vet, Ulqinin, për shkak të turistave të cilët shkojnë për ta kryer nevojën në plazh; për shkak të kriminelëve që marrin drogë dhe vrasin, duke mbajtur kryqin në qafë; për shkak të muslimanëve që fesotjnë Kurban Bajramin, me ç’rast në kalldrëmet para shtëpive i qesin lëkurët e deshve të prerë dhe i lënë me ditë të tëra, e, si pasojë e kësaj, luzmat e mizave dhe qelbësira e bëjnë jetën të padurueshme; për shkak të popullit që nuk di t’i ndërrojë politikanët. Madje këtu ai bën një kritikë krejt eskplicite ndaj politikës: “Sikur te popujt që e ndërrojnë rrallë qeverinë dhe malazezët janë qyqarë. Qëndrimi ndaj pushtetit është çështje e guximit qytetar dhe e higjienës personale. Kryetarët e shteteve janë sikur brekët: është mirë të ndërrohen sa më shpesh “. “Mimesis” është një imitim i jetës ballkanike, i këtij realiteti derridian. Këtë imitim Andrej Nikolaidis e bën duke ndjekur modelin e rock’n’rollit: forma – album, përmbajtja – jetë e shthurur: “Mimesis” është një roman përfaqësues postmodernist përtej letërsisë nacionale. Ai është i tillë jo vetëm pse ironizon vazhdimisht metarrëfimin, por edhe pse rrëfen për kolapsin e civilizimit; ai është një rrëfim pa pardon dhe i përzier mu si realiteti të cilin e ka objekt.

Gazeta Shqiptare