Me vendim të komisionit të tenderit për Plazhin e madh dhe Adën

August 25, 2009   | Ekonomia / Ekonomija

TENDERI PER PLAZHIN E MADH DHE ADENShtyhet sërish afati i dorëzimit të ofertave
Podgoricë – Komisioni i tenderit ka shtyrë deri më 15 tetor afatin për paraqitjen e pjesëmarrjes në tendere për realizimin e projekteve të valorizimit turistik të Plazhit të Madh dhe ujdhesës së Adës.
Të interesuarit për të marrë pjesë në të dy tenderët janë të detyruar që më së voni deri më 15 shkurt të vitit të ardhshëm të dorëzojnë ofertat e tyre.
Kjo është hera e dytë që shtyhet afati i paraqitjes së pjesëmarrjes në tenderët për valorizimin e Plazhit të Madh dhe Adës. Komisioni tenderues në fund të muajit maj ka shtyrë afatin për paraqitjen e pjesëmarrjes deri më 17 gusht.
Thirrjen për dorëzimin e ofertave për zhvillimin e kompleksit dhe dhënien me qira shumëvjeçare të Plazhit të Madh, Qeveria e ka bërë në fund të muajit mars. Të njëjtën ditë është shpallur njoftimi për dhënien me qira të Adës, për 90 vjet, me obligim të ndërtimit dhe menaxhimit të këtij kompleksi turistik ekskluziv.
Dokumentacionin e tenderit për marrjen me qira shumëvjeçare të Plazhit të Madh dhe Adës, siç është njoftuar më parë, e ka tërhequr vetëm kompania Hydra Properties, e lidhur me familjen Al Nahyan nga Abu Dabi.
Të drejtë pjesëmarrjeje në tenderin për Plazhin e Madh dhe Adën kanë firmat e veçanta apo konzorciumet që tërheqin dokumentacionin e tenderit me çmim prej 50 mijë eurosh dhe nënshkruajnë deklaratën e besueshmërisë.
Në të dy thirrjet është shpjeguar se do të pranohen ofertat e pjesëmarrësve të cilët në periudhën nga viti 2000 deri vitin e kaluar kanë punuar në projekte të mëdha të zhvillimit të pasurisë së paluajtshme me destinim të ndryshëm dhe ndërtimin e komplekseve hotelierike dhe turistike.
Në kushtet e tenderit është parashikuar detyrimi i ofertuesit që nga tetë vitet e fundit, të paktën tri të ketë menaxhuar objekte hotelierike dhe turistike, rekreative, kulturore, arsimore dhe afariste me sipërfaqe prej 200 mijë metra katrorë dhe vlerë të paktën 300 milionë euro.
Në thirrje po ashtu është sqaruar se pjesëmarrësit në tender apo bartësit e konzorciumit duhet të kenë qarkullim vjetor prej më së paku 400 milionë euro në tre vitet e fundit.
Ofertuesit janë të detyruar të dorëzojnë edhe projektet ideore për kompleksin e Plazhit të Madh dhe Adës, të cilat përfshijnë arkitekturën, projektin dhe ndërtimin sipas standardit më të lartë ndërkombëtar.

Kohapress


http://www.velikaplaza.info/gallery/video/stream.php?f=Velika_Plaza_movie_Jan_2009.flv