Ulqini prej 17 vitesh komunë kontinentale

August 25, 2009   | Shoqëria / Društvo

mogul-grup-ulcinj_Ilir LlazorjaUlqini si Kollashini
gjysma e sipërfaqeve që i qeveris e ashtuquajtura Ndërmarrja Publike për Qeverisjen e të Mirave Detare ndodhet në Ulqin. Sa para merr ajo nga kjo komunë askush nuk e di, kurse investimet janë simbolike.
“Të Mirat Detare” nga viti 1992 qeverisin 13% të territorit të përgjithshëm të Ulqinit. Pikërisht me pjesën e tij më të mirë dhe më cilësore, që do të thotë edhe më profitabile. Sa për krahasim, “Të Mirat Detare” në Budvë përfshijnë 0,05 përqind të territorit administrativ të kësaj komune!
Numri më i madh i qytetarëve të Ulqinit janë të pakënaqur me Ligjin mbi të mirat detare dhe konsiderojnë se këtë territor duhet ta qeverisë vetëqeverisja lokale. Sidomos vihet në dukje se “bregdeti duhet ta zhvillojë njësinë e vetëqeverisjes lokale, që tani nuk është ashtu”, dhe që Qeveria në Podgoricë duhet ta shfuqizojë vendimin jolegjitim për linjën e të mirave detare në këtë komunë.
“Ne që nga viti 1992 praktikisht jemi bërë komunë kontinentale, ngase nuk kemi dalje në det. Të gjitha ingerencat në këtë zonë i ka ekskluzivisht kjo ndërmarrje shtetërore me seli në Budvë” thotë Mehmet Bardhi, deputet në Parlamentin e Malit të Zi.
Duke konstatuar se të ardhurat që i realizojnë “Të Mirat Detare” duhet t’i takojnë komunës, ai konsideron se kjo ndërmarrje thjesht do të duhej suprimuar.
“Ne e quajmë ‘të këqijat detare’, për shkak se ajo është dëshmi e politikës dhe praktikës pushtuese dhe kolonizuese të regjimit që ndiqet ndaj rajoneve ku shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë”, pohon Bardhi.
Deri në vitin 2002, bashkëpunimi i autoriteteve lokale dhe i kësaj ndërmarrje publike pothuajse nuk ekzistonte, kurse prej atëherë prefektët e Ulqinit thonë se ky bashkëpunim është tejet i mirë!?
“Por, në çka konsiston ky bashkëpunim? Ne nuk e shohim këtë në terren”, thotë Ilir Llazorja, koordinator i MOGUL-it (Monitoring Grupit të Ulqinit), i cili tashmë disa vite ndjek në mënyrë sistematike aktivitetet e “Të Mirave Detare”.
Funksionari i lartë i kësaj ndërmarrjeve Dragan Markoviq deklaroi kohë më parë se investimet e deritashme të kësaj firme kapin shumën rreth 20 milionë euro, dhe se në vitin e kaluar janë realizuar të ardhura në shumën 4,5 milionë euro.
Nga kjo shumë në Ulqin nuk është investuar as një milion, pohojnë në MOGUL dhe theksojnë se “Të Mirat Detare”si investime rregullisht pasqyrojnë komunalitë dhe ndriçimin.
“Kjo është mirëmbajtje, kurse investimet reale, për fat të keq, janë fare të vogla, pothuajse të papërfillshme, duke marrë parasysh madhësinë e sipërfaqeve që i qeveris kjo ndërmarrje dhe vëllimin e mjeteve të cilat i grumbullon këtu tashmë 17 vite të plota”, shton Llazorja.
Analizat tregojnë se investimet e “Të Mirave Detare” në Ulqin arrijnë më pak se pesë përqind të shumës së përgjithshme që kjo ndërmarrje veçon çdo vit për investime në bregdetin malazias, edhe pse në këtë komunë ndodhet madje 56 % e territorit të cilin e qeveris kjo ndërmarrje!
Vërejtje gjithnjë e më të shpeshta ndaj punës dhe funksionimit të “Të Mirave Detare” në Ulqin kanë edhe ata të cilët kanë pasur më së shumti dobi prej saj – rentuesit e plazheve dhe të objekteve në këtë zonë. Kësisoji, ata theksojnë se gjatë pesë viteve të fundit çmimi i rentës është rritur madje deri katër herë, kurse qarkullimi po shënon rënie.
Ndërkaq ka gjasa të vogla që do të respektohen vërejtjet dhe kërkesat e Ulqinakëve, si të rentuesve të plazheve dhe pikave të shitjes, ashtu edhe të politikanëve.
Ndoshta vetëm pas asociimit në Bashkimin Europian dhe pas zbatimit të standardeve dhe parimeve të Kartës Europiane mbi vetëqeveisjen lokale, e cila parashikon që pjesa më e madhe e të ardhurave duhet të mbetet atje ku realizohen, tregimi për “Të Mirat Detare” në këtë komunë më në fund do të reduktohet në dofarë suazash reale.
Historia e këtij qyteti e gjatë më se dy mijë e pesëqind vjet, dëshmon se Ulqini zhvillohej vetëm atëherë kur kishte vetëqeverisje të gjerë lokale.
Përderisa të ketë “Të Mira Detare” të këtilla, zhvillimi do të mbetet vetëm një ëndërr e largët.

Mustafa Canka
Koha Javore

YouTube Preview Image