Turistët braktisin Ulqinin nga frika e tërmeteve

August 26, 2009   | Turizmi / Turizam

termeti ne ulqin_mali i ziLëkundjet e reja të tokës, të regjistruara rreth mesnatës dhe në orët e para të mëngjesit të së hënës, kanë lënë pa gjumë ulqinakët dhe mijëra turistë, të cilët braktisën shtëpitë dhe banesat nga frika e ndonjë tërmeti më të fuqishëm.

Të frikësuar nga lëkundjet e reja të tokës, turistët po ndërpresin pushimet në bregdet. Çmimet e biletave të autobusëve në drejtim të Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës janë shtrenjtuar dukshëm. Paniku nuk është ndërprerë që nga dita e premte, kur Ulqinin e goditi tërmeti prej 4.8 ballësh sipas Rihterit, përkatësisht rreth 7 ballë sipas Merkalit.
Epiqendra e lëkundjeve të tokës është 10 km larg Ulqinit në det, në zonën e Kërruçit, aty ku ndodhen themelet e Ulqinit antik.

Kryeshefi i analizave sizmike të Entit malazias të Sizmologjisë, Velisa Supic thotë se fatmirësisht epiqendra e tërmetit të ditës së premte dhe të lëkundjeve të tjera është në det dhe nuk ka shkaktuar dëme materiale as lëndime trupore të njerëzve.

Ndërkaq, drejtori i Entit Sizmik të Malit të Zi, Branimir Glavatovic shton se toka tash dy javë e më shumë ka hyrë në fazën e aktiviteteve sizmike. Askush nuk mund të parashikojë, as në nivelin botëror as në atë lokal se cilët do të jenë aktivitetet sizmike në periudhën e ardhshme.

Ndërkaq, profesor Maksut Haxhibrahimi nga Ulqini vlerëson se rajoni i Ulqinit është zona më aktive sizmike në bregdetin malazias. Lokaliteti aktual i Kërruçit, aty ku ndodhet Ulqini antik, në vitin 1444 është fundosur si rezultat i një tërmeti të fuqishëm. Gjeografi Haxhibrahimi nënvizon se duhet të pajtohemi se lëkundjet e tokës janë pjesë e jetës sonë edhe nuk duhet të kemi panik.

Gazeta Express

YouTube Preview Image