Klubit të Tenisit “Bellevue”,“Wimbledon”-i në Ulqin

August 27, 2009   | Sporti / Sport

publiku-ne-tenis“Ulqini ka talentë dhe unë jam i befasuar me disiplinën, seriozitetin e fëmijëve në stërvitje dhe për pritjen që më kanë bërë në Ulqin, në këtë mjedis të vërtetë tenisi. Ky është një sukses i madh i krejt klubit. Fëmijët janë të dashuruar pas tenisit dhe janë të kënaqur me kushtet e ofruara. Po ashtu edhe drejtuesit e Klubit e kanë kuptuar esencën e këtij sporti“, thotë trajneri i Klubit të Tenisit “Bellevue”, Mikica Golluboviq.

Tenisi në Ulqin është luajtur kaherë. Ulqinakët topin e tenisit në kuadër të klubit e goditnin para 20 vitesh, por klubi i tenisit në këtë qytet u shua deri në prill të këtij viti, kur, për fat të mire, falë disa dashamirëve entuziastë të këtij sporti, gjithnjë e më atraktiv, u ringjall.
Ideator kryesor i riformimit të Klubit të Tenisit “Bellevue”, që ndodhet pranë kompleksit të NHT “Riviera e Ulqinit” te pishinat, është tenisdashësi Nazif Cungu, i njohur si biznesmen me përvojë, por edhe si politikan, që tashmë drejton edhe subjektin politik nacional shqiptar – Forca. Cungu dhe mbështetësit e tij fillimisht sensibilizuan opinionin ulqinak që edhe në Ulqin të luhet tenisi. Ata me mbështetjen e drejtorit të “Rivierës së Ulqinit”, Miomir Mikan Zec, i cili ua dha falas në shfrytëzim fushat e tenisit, vendosën bazat e klubit, e themeluan atë, zgjodhën kryesinë, bordin drejtues, investuan rreth 30 mijë euro për rregullimin e katër fushave të tenisit, të lëna me vite pas dore, të cilat tani janë në gjendje jashtëzakonisht të mirë dhe i plotësojnë kushtet për mbajtjen e turneve në nivel vendor dhe ndërkombëtar, pastaj mundësuan ardhjen e trajnerit profesionist dhe krijuan shkollën e tenisit.

Strukturat drejtuese

Kryesia e Klubit të Tenisit “Bellevue” përbëhet nga Nazif Cungu, kryetar, Momo Zec, nënkryetar, Senad Tafa, drejtor dhe anëtarët e Bordit: Maliq Dervishi, Mehmet Mollabeqiri, Shyqyri Resulbegu, Agim Hoxha, Rasim Mujali, Gzim Haxhimolla dhe Arian Molla.

Ulqinakët e rinj dinë të luajnë tenis

Fundjavën e kaluar, në kuadër të KT “Bellevue” u mbajt turneu, që u organizua me rastin e përfundimit të shkollës së tenisit, e cila ka zgjatur dy muaj e gjysmë. Në këtë garë morën pjesë afër 90 tenistë të grupmoshave të ndryshme, prej 6-16 vjeç. Gara u zhvillua në një atmosferë të vërtetë sportive, me plot emocion e përkushtim, si nga garuesit e rinj ashtu edhe nga prindërit e tyre, të cilët me gjithë zemër i inkurajonin fëmijët që të japin nga vetja e tyre maksimumin e mundshëm.
Garuesit në fushën e tenisit, veçmas gjysmëfinalistët dhe finalistët, demonstruan tenis cilësor dhe dëshmuan se shumë nga ata, nëse vazhdojnë me këtë ritëm pune, në një të ardhme jo të largët do të bëhen të njohur edhe jashtë Ulqinit, e pse jo edhe përtej kufijve të Malit të Zi.
Në konkurrencën e meshkujve, në kategorinë deri në 10 vjeç, vendin e parë e zuri Agon Brisku, vendin e dytë Dijar Mujali dhe të tretin Sabri Mollabeqiri.
Në kategorinë deri në 12 vjeç, vendin e parë e fitoi Haris Sarvan, vendin e dytë Genc Selita, kurse të tretin Andi Dervishi.
Në grupmoshën deri në 16 vjeç, vendin e parë e zuri Rrezart Cungu, i cili mundi në finale Aleksandër Dukagjinin.
Në grupmoshën e vajzave, mbi 12 vjeç, vendin e parë e zuri Fjolla Brisku, vendin e dytë Jehona Milla, kurse në vendin e tretë u rendit Edita Divanoviq.
Fituesit e vendeve të para u shpërblyen me kupa e diploma, kurse të tjerët me diploma.
E veçanta e këtij turneu ishte se gara zgjoi interesim të madh ndër ulqinakë, ndërsa tenistët e këtij klubi treguan lojë cilësore, për çka u duartrokitën nga spektatorët e shumtë.

Vlerësimi i trajnerit

Trajneri i KT “Bellevue”, Mikica Golluboviq, shprehet i kënaqur për interesimin e fëmijëve që kanë treguar për këtë sport, për talentin që treguan gjatë kësaj periudhë të shkurtër dhe për pritjen që i është bërë në Ulqin.
“Ulqini ka talentë dhe unë jam i befasuar me disiplinën, seriozitetin e fëmijëve në stërvitje dhe për pritjen që më kanë bërë në Ulqin, në këtë mjedis të vërtetë tenisi. Ky është një sukses i madh i krejt klubit. Fëmijët janë të dashuruar pas tenisit dhe janë të kënaqur me kushtet e ofruara. Po ashtu edhe drejtuesit e Klubit e kanë kuptuar esencën e këtij sporti“, thotë Golluboviq.

Synimi i klubit

Kryetari i KT “Bellevue”, Nazif Cungu, shprehet se ideja e themelimit të klubit është të tërheqë fëmijët në fushën e tenisit, duke ua mësuar atyre bazat e tenisit dhe përhapja e këtij sporti te moshat e reja.
“Që në fillim nisi të funksionojë shkolla e tenisit me afro 110 fëmijë të grupmoshave dhe etnive të ndryshme, të cilët gati tre muaj janë stërvitur mjaft nga ana tenistike nga trajneri serb, shumë i përgatitur, Mikica Golluboviq nga Nishi, që jeton në Podgoricë, i specilaizuar për grupmoshat 6-16 vjeç. Kemi kontaktuar edhe Federatën e Tenisit të Kosovës për angazhimin në klub të një trajneri shqiptar, i cili mungon nga radhët e shqiptarëve në Mal të Zi“, thotë Cungu.
Drejtori i klubit, Senad Tafa, shprehet optimist për të ardhmen e këtij klubi duke synuar suksese në nivel vendor dhe ndërkombëtar.
“Në kuadër të Klubit kemi tri grupe vajzash dhe 12 grupe djemësh, prej 6-16 vjeç.
Nga stërvitjet e deritashme rezulton se jemi në rrugë të mbarë që të realizojmë synimin tonë – prodhimin e tenistëve cilësorë dhe pjesëmarrjaen në turne të ndryshme në nivel vendor dhe ndërkombëtar. Jemi në kontakte të rregullta me një klub të tensiit nga Gjermania, ku planifikojmë të luajmë një turne.
Po ashtu jemi në bisedime edhe me Fedetarën e Tenisit të Malit të Zi që vitin e ardhshëm të organizojmë në Ulqin një turne kualifikues në nivel të Evropës, pasi fushat ekzistuese të tenisit i plotësojnë kushtet për organizimin e turneve ndërkombëtare, të cilat do të përmirësohen ndjeshëm me rregullimin e dy fushave të tjera të tenisit“, pohon Tafa, duke mos lënë pa përmendur edhe organizimin e paradokohshëm të turneut të veteranëve në Ulqin dhe mbajtjen e një turneu tjetër të veteranëve deri në fund të këtij viti.
Edhe nënkryetari i Klubit, Momo Zec, shprehet shumë i kënaqur që kanë arritur t’i tubojnë të rinjtë ulqinakë rreth këtij sporti, për të cilin kanë treguar interesim shumë të madh dhe i cili është mirëpritur edhe nga prindërit dhe tenisdashësit e këtij qyteti.

Në vend të përfundimit

Në Ulqin gjithnjë e më shumë të rinj jepen pas tenisit, i cili ka filluar të bëhet edhe sporti më i dashur i tyre.
Edhe prindërit i çojnë në këtë klub fëmijët e tyre, që ëndërrojnë të bëhen yje tenisi, sepse atje është krijuar një afmosferë e theksuar e tenisit dhe, më e rëndësishmja, atje lojtarët e rinj mund të marrin edukimin dhe të shfrytëzojnë aftësitë e veta.
Nëse do të kenë kohë dhe raste për të fituar përvojë, tenistët e rinj ulqinakë do të ecin përpara. Se sa shpejt do të përprajonë ata do të varet shumë nga trajnerët dhe drejtuesit e klubit.

Gjekë Gjonaj
Koha Javore