Arta Bajrami: Martesa të bën të ndjehesh ndryshe

September 1, 2009   | Lajmet / Vijesti

Arta Bajrami.2Pas një periudhe bashkëjetese me Xhimin, këngëtarja Arta Bajrami ka kurorëzuar lidhjen e saj me martesë. Gjatë një bisede që “Infopress” zhvilloi me të, këngëtarja ka pohuar se këto ditë ajo është kurorëzuar edhe në komunë, duke e bërë kështu edhe më zyrtare martesën e saj me Xhimi Sekiraqën. “Ditë më parë jemi kurorëzuar edhe zyrtarisht dhe të them të drejtën po ndihem mirë. Ndonëse me Xhimin kemi kohë që bashkëjetojmë, tashmë është kryer edhe ai formaliteti me martesë. Gjithsesi me martesë, e tash edhe me kurorëzimin po e ndjej një ndryshim tek vetja dhe po ndihem shumë mirë”, tregon Arta.

Një ceremoni martesore e thjeshtë

Arta Bajrami.1Në një ceremoni të thjeshtë, në praninë e dy familjeve Bajrami dhe Sekiraqa, fundi i muajit korrik pati shënuar kurorëzimin me martesë të këngëtares Arta Bajramit dhe Xhimi Sekiraqës. E ndërsa ceremonia martesore është vlerësuar nga shumë media si një martesë në fshehtësi të plotë, protagonistët e këtij kurorëzimi nuk mendojnë që ishte e tillë, përkundër faktit që gjithçka është zhvilluar pa ndonjë ‘zhurmë’ të madhe.

“S’di a ka qenë fshehtësi apo jo për njerëzit, por mund të them se martesën e kemi realizuar shumë shpejt për shkak të angazhimeve të shumta që unë kam pasur rreth muzikës dhe udhëtimeve të shumta që më është dashur t’i realizoj jashtë shtetit, e që kishin të bënin me muzikë”, pohon Arta duke theksuar se deri sa kanë vendosur për një kohë shumë të shkurtër për datën e martesës, nuk e kanë parë të arsyeshme që të bëjnë ndonjë ceremoni madhështore.

Angazhimet e shumta rreth muzikës dhe udhëtimeve të shumta nëpër vende të ndryshme të Kosovës si dhe jashtë shtetit, shmangën mundësinë për të organizuar ndonjë ceremoni madhështore, por siç duket edhe Arta nuk ka dashur ndonjë organizim më të madh. “E pranishme gjatë martesës sonë ka qenë familja ime dhe familja e Xhimit dhe nuk ka pasur të ftuar të tjerë. Ka qenë një dasmë e thjeshtë, por edhe pa u përfshirë në traditat apo ceremoni të shumta, të cilat praktikohen nëpër dasmat tona. Nuk kemi dashur të organizojmë diçka të madhe. Mendoj që ashtu siç ka qenë, ka qenë mjaft e bukur”, tregon ajo.

Xhimi më kupton shumë

Arta BajramiPërndryshe dita më e bukur e çdo vajze siç është martesa, edhe për Artën ishte shumë e veçantë. Me një fustan të bardhë të cilin këngëtarja kishte kohë që e kishte blerë në Gjermani dhe një shndërrim total në brune, ajo ishte shfaqur para të zgjedhurit të saj ditën e ceremonisë.

“Fustanin e kam blerë në Gjermani dhe është një fustan shumë i bukur. Më ka pëlqyer fustani, por kam qenë e kënaqur edhe si jam dukur atë ditë. Ka qenë një ditë e veçantë për mua. Gjatë martesës unë kam veshur fustanin e bardhë, ndërsa Xhimi si një dhëndër është veshur me kostum të zi. Ndërsa ceremonia është organizuar në shtëpinë e Xhimit”, rrëfen Arta për ditën e saj më të lumtur.

“Gjithsesi me martesë po e ndjej një ndryshim tek vetja, sepse jetën që jam mësuar ta kem tek prindërit e mi, po dallon nga kjo e tashmja. Tash është më ndryshe, jo pse nuk ndihem e lirë apo diçka të tillë, por vet martesa të bën të ndihesh më ndryshe. Me Xhimin kalojmë shumë mirë. Më kupton shumë”, tregon Arta për jetën e re pranë bashkëshortit.

Melihate Gashi
Infopress

YouTube Preview Image
6