Ish pronarët e pronave të Valdanosit: Edhe fizikisht do ta mbrojmë pronën

September 1, 2009   | Shoqëria / Društvo

kthimi i valdanositMe parullat “Na ktheni pronat”, “Prona është e shenjtë, kurse ulliri më shumë se kaq”, “Si vepron pushteti lokal”, “Këshilltarë, mbajeni fjalën”, etj. me qindra qytetarë të Ulqinit dhe pronarë të Ullishtës së Valdanosit protestuan të mërkurën e kaluar para hyrjes në ish kompleksin e Valdanosit kundër vendimit të Qeverisë së Malit të Zi për hapjen e tenderit për dhënien me qira të këtij kompleksi si dhe moskthimin e Ullishtës pronarëve të mëparshëm.
Siç dihet, në vitin 1977 rreth 93 hektarë tokë në Valdanos, me rreth 19 mijë rrënjë ullinj, në pronësi të personave privatë dhe komuniteteve fetare, janë ekspropriuar në favor të ish Armatës Popullore Jugosllave me qëllim të ndërtimit të objekteve ushtarake.
Qeveria e Malit të Zi ka hapur kohë më parë tenderin për valorizimin turistik të Valdanosit. Komisoni tenderues për realizimin e këtij projekti ka vendosur në fund të muajit prill që të ftojë për bisedime kompaninë britanike Cubus Lux, e cila në tender ka ofruar çmimin fiks vjetor të qiramarrjes prej 18 cent për metër katror, si dhe investimet me vlerë 221.51 milionë euro.
Lluka Gjakonoviq, kryetar i Këshillit për Kthimin e Pronës së Valdanosit, organizator i protestës, tha se me të gjitha mjetet demokratike do të mbrojmë pronën tonë e cila është marrë me dhunë”.
“Nuk ka asnjë vend në Mal të Zi ku toka bujqësore e cila është marrë për nevojën e APJ-së, kur na është thënë se kjo është për mbrojtje, të mos kthehet. Edhe atëherë njerëzit e kanë ditur se kjo nuk është e vërtetë, se nuk flasin të vërtetën dhe se e mashtrojnë popullin paqëdashës të Ulqinit”, ka thënë ai.
Pjesëmarrësve të protestës u janë drejtuar edhe Veselin Uskokoviq, kryetar i Këshillit të Podgoricës për Mbrojtjen e Pronës, avokati Mustafë Çapuni, kryeimami i Ulqinit Rexhep Lika, ipeshkvi i Kishës Ortodokse në Ulqin, Radojica Bozhoviq, prof. dr. Simë Dobreci, Iljaz Beci, pronar i ullishtës dhe Xhemal Peroviqi në emër të një grupi të OJQ-ve dhe intelektualëve të Ulqinit. Të gjithë ata kanë kërkuar kthimin e Ullishtës së Valdanosit, të ekspropriuar për nevojat e APJ-së.
Nga pjesëmarrësit e protestës janë dëgjuar edhe kërkesa për mbrojtjen e pronës në mënyrë fizike, në çka kryetari i Këshillit për Kthimin e Pronës në Valdanos, Lluka Gjakonoviq, ka thënë se “nëse duhet, edhe fizikisht do të mbrojmë pronën tonë”.
Në fund të protestës janë lexuar përfundimet ku pronarët kërkojnë ndër të tjera kthimin pa kushte të pronës dhe “nuk pranojnë kurrfarë qiradhënie të pronave”.
Këshilli për Kthimin e Pronës në Valdanos kërkon po ashtu respektimin e ligjeve. Ai i ka bërë thirrje Kuvendit të Malit të Zi dhe organeve të pushtetit lokal që të zbatojnë vendimin për deekspropriimin e pronës në Valdanos.
Në protestë kanë marrë pjesë edhe deputetët shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi, Mehmet Zenka, Mehmet Bardhi dhe Genci Nimanbegu.

I.Kallaba
Koha Javore

YouTube Preview Image