Mesazhet e tërmetit: Vetëm dashuria është fuqi

September 1, 2009   | Shoqëria / Društvo

Në Ulqin të premtën që shkoi u shënua një termet i fuqishëm. Më i fuqishmi pas tërmetit katastrofik të 15 prillit 1979. Shqetësimi është bërë gjendje e zakonshme, mirëpo pakkush mendon për mesazhet e kësaj dridhjeje të fuqishme të tokës.
Ky gjithësesi ka qenë tërmeti më i fuqishëm në Ulqin prej vitit 1979 e këndej. Ulqinakët dhe klientët e tyre kanë qenë të shqetësuar me arsye, kanë dalur nga shtëpitë dhe banesat e tyre, disa vrapuan drejt livadheve, sidomos për shkak se dridhja zgjati një kohë relativisht të gjatë. Ekzistonte edhe frika nga cunami!? Disa turistë braktisën në panik Ulqinin. Shqetësimi hyri ndër njerëz. Shumë prej tyre pyesin me mosbesim nëse do të ketë edhe dridhje të tjera më të fuqishme. Përndryshe, tashmë disa ditë toka po dridhet. Dhe e gjithë kjo rreth Ulqinit!
Mirëpo, nuk ka arsye për frikë, sidomos jo për panik. Nevojitet kujdes, por në radhë të parë duhet të mendojmë për fuqinë që është në gjendje për një moment të zhdukë çdo gjë nga faqja e dheut. Kësaj fuqie nuk mund t’i kundërvihet askush. Kjo fuqi është më e fortë se cilado tjetër. (Zot i madh, sa qesharake dhe e mjerë duket fuqia e këtyre të fuqishmëve tonë të vetëquajtur të vdekshëm krahasuar me këtë fuqi. Edhe ne, njerëzit e vegjël, harrojmë se jemi të vdekshëm, e dita ditës vdesin njerëz të rinj që nuk i kanë mbushur as 20 vite!?).
As ky qytetërim i yni nuk mban mend më shumë se tetë mijë vite!? Sa e sa qytetërime kanë qenë më të përparuara se ky i yni, e sot as që përmenden fare. Nga ato nuk ka mbetur as gur mbi gur, as një shenjë sado e vogël e fuqisë së tyre, e kanë qenë më të fuqishme dhe më të përparuara se civilizimi ynë! Për shembull, Platoni shkruan se Atlantida e madhe është zhdukur gjatë “një dite të vetme dhe natës vijuese shkatërrimtare”. Historiani anglez Luis Spens në vitin 1926 në librin e tij “Historia e Atlantidës” vjen në përfundim se ajo u shkatërrua për shkaqe morale! Pikërisht për këtë arsye shkatërrohen të gjitha qytetërimet: për shkak të imoralitetit, gënjeshtrës, arrogancës, lakmisë. E gjithë kjo shkakton çrregullim në tokë dhe në det dhe këtë natyra nuk mund ta durojë.
Ne dekada me rradhë po zhvillojmë luftë kundër natyrës dhe së këndejmi nuk kemi më mbështetjen e saj për zhvillim. Në këtë luftë ne do të deklasohemi. Pasoja më evidente e kësaj lufte të pakuptimtë është zhdukja e Adës. Ajo thelbësisht është duke u zhdukur, çdo ditë po na rrëmbehet ngapak, për shkak se në këtë ishull hyjnor ç’prej vitit 1973 lulëzon imoraliteti. Këtë nuk e bëjnë as shtazët. Dhe akoma tentojnë

të na bindin se kjo është moderne dhe civilizuese. E pra, nuk është dhe nuk mund të jetë! Ashtu siç nuk është normale që njerëzit të gënjejnë dhe të vjedhin vazhdimisht dhe që këtë ta paraqesin si mendësi kulmore. Dhe që të tjerëve t’ua bëjnë atë që nuk do të dëshironin që t’u bëhet atyre.
Prandaj frikohem që kemi arritur pikën e fundit pas të cilës nuk ka kurrëfarë shenjash që kjo anije do të mund të vazhdojë lundrimin. Kemi arritur deri në fund. Ose do të fundosemi ose disi do të mbledhim forcat për ta kthyer anijen nga kursi i gabuar në rrugë të mirëfilltë, në rrugën e drejtë.
Mirëpo, ne jemi dëshmitarë të faktit që kjo katarzë po përparon me ngadalësi. Në mënyrë që njerëzit të zgjohen nga gjumi, për ta kuptuar më në fund se çfarë po nodhë, nevojitet diçka e madhe për të brohur menjëherë në këmbë, sepse të gjitha këto vdekje të parakohshme, të gjitha këto fatkeqësi, i gjithë ky shkatërrim, si duket nuk mund t’i sensibilizojnë. Kur shohin se si po zhduket edhe bukuroshja Ada (një gjë e tillë nesër do të ndodhë me Plazhin e Madh), i njëjti proces ka përfshirë Pyllin e Pishave, tashmë 30 vite po bëhet ekocid ndaj ullishtës në Valdanos, njerëzit vetëm rrudhin me krahë. Disa nuk duan t’i besojnë as kamerës. Për këtë arsye tërmeti ra në ditën e parë të muajit të madhërishëm të Ramazanit, muajit të mëshirësisë dhe faljes! Askush nuk mund të thotë se nuk e ka ndier, se nuk e ka ndier këtë ushtimë të hatashme që erdhi nga deti. Mesazhi tani na jepet në mënyrë të fuqishme për ta pyetur më në fund vetveten: kush jemi, përse jemi krijuar dhe përgjithësisht ku jemi duke shkuar.
Për fat të mirë, ende çdo gjë nuk është humbur pa kthim. Tërmeti ka qenë i një fuqie të tillë nga e cila nuk është shkatërruar asgjë.
Më në fund, të kthehemi në rrugën nga e cila vetë ne dhe në dëmin tonë kemi devijuar: të kemi qëllime fisnike, të vendosim paqe me vetveten, me shoqërinë dhe natyrën, të bëjmë vepra të mira, të jemi të mëshirshëm, të përhapim dashurinë. Kjo gjithëherë paguhet. Dhe mos keni frikë! Sepse, vetëm dashuria, respektivisht Zoti, është fuqi, çdo gjë tjetër, është dhunë!

Mustafa Canka
Koha Javore


1