“Otrant”-i e fillon keq kampionatin

September 2, 2009   | Sporti / Sport

Klubi Futbollistik “Otrant”KF “Otrant” ka fituar vetëm një pikë në dy javët e para të ligës së dytë të Malit të Zi

Rezultati i dobët i “Otrant”-it në dy javët e para mund t’i atribuohet edhe përgatitjeve jo të mira dhe të shkurtra, të cilat kanë filluar vetëm 15 ditë para fillimit të kampionatit.
Ekipi ka ndryshuar ndjeshëm nga ai i vitit të kaluar kur “Otrant”-i zuri vendin e katërt dhe me pak më tepër fat mbase mund të kualifikohej në barazh e mbase të futej edhe në Ligën e Parë të Malit të Zi. Trajneri Safet Kaleziq thotë se synimi kryesor këtë vit është qëndrimi në ligë.

Ulqin – Ekipi i “Otrant”-it nga Ulqini e ka filluar keq sezonin e ri në Ligën e Dytë të Malit të Zi pasi që në dy ndeshjet e para, të dy të luajtura në fushën e vet, ka arritur të fitojë vetëm një pikë. Por nëse barazimi me “Tivari”-n me rezultatin 0:0, në javën e parë të Ligës, mund të cilësohet si sukses, humbja ndaj ekipit të Gucisë ka qenë e papritur dhe i ka zhgënjyer të gjithë.
Trajneri Safet Kaleziq thotë se të dy ndeshjet e para të kampionatit për të përbëjnë befasi.
“Kundër ekipit të fortë të “Tivari”-t nuk kam pritur se do të tregojmë lojë aq të mirë dhe të fitojmë një pikë. Sipas meje, “Tivari” është tani për tani ekipi më i fortë në Ligën e Dytë dhe mendoj se do të bëhet anëtar i Ligës së Parë. Kjo pikë ka qenë befasi e këndshme”, thotë ai.
Por Kaleziq e cilëson si befasi jo të këndshme humbjen ndaj “Ibar”-it me rezultatin 0:1 në javën e dytë të kampionatit.
“Mendoj se Ibar është ekipi më i dobët në Ligë. Por me ndeshje luftarake dhe me mbrojtje ku kanë marrë pjesë të dhjetë lojtarët kanë arritur të na befasojnë. Mendoj se shumë nga lojtarët tanë e kanë nënçmuar ekipin e “Ibar”-it. Ndonëse kanë dhënë çdo gjë nga vetja dhe kanë luftuar në mënyrë maksimale, nuk kemi arritur të përmbysim rezultatin”, thotë ai.
Rezultati i dobët i “Otrant”-it në dy javët e para mund t’i atribuohet edhe përgatitjeve jo të mira dhe të shkurtra, të cilat kanë filluar vetëm 15 ditë para fillimit të kampionatit.
“Me vonesë i kemi filluar përgatitjet për sezonin e vjeshtës. Është e ditur tashmë se në Ulqin është vështirë t’i grumbullosh lojtarët gjatë verës sepse të gjithë punojnë. Prandaj në situatën kur klubi nuk ka para, përkundër dashurisë ndaj futbollit, njerëzit duhet të sigurojnë ekzistencën”, thotë Kaleziq.
FK_OTRANT` ULCINJKlubi Futbollistik “Otrant” po kalon nëpër një periudhë krize financiare. Jozyrtarisht mësohet se një pjesë e obligimeve ndaj lojtarëve dhe obligimeve të tjera nuk janë paguar as për vitin e kaluar.
Ekipi ka ndryshuar ndjeshëm nga ai i vitit të kaluar kur “Otrant”-i zuri vendin e katërt dhe me pak më tepër fat mbase mund të kualifikohej në barazh e mbase të futej edhe në Ligën e Parë të Malit të Zi.
Kështu nga ekipi për shkak të problemeve financiare janë larguar të gjitha përforcimet e vitit të kaluar, si Kasapi, Camaj, Vokshi, Popoviq, Vllahoviq, Alkoviq, Raiçkoviq, Bozhoviq, portieri Akoviq, ndërsa ekipit i janë bashkuar portieri Daciq, pastaj lojtarët Mariq, Janjusheviq, Deliq, Vlaisavleviq, si dhe është rikthyer sulmuesi Mario Kaçinari, kurse nga ekipi i futbollit të vogël “Teuta” ekipit i janë bashkangjitur Gurzakoviq dhe Koçoviq.
“Megjithë respektin e madh më duhet të them se këta lojtarë nuk janë në rangun e lojtarëve të cilët janë larguar nga klubi”, pranon trajneri Kaleziq.
Për këtë arsye bërthamën e ekipit sivjet e përbëjnë në përgjithësi lojtarët nga Ulqini.
Trajneri Kaleziq është i vetëdijshëm dhe e pranon se ky kontigjent lojtarësh është shumë më i dobët se ai i vitit të kaluar.
“Ekipi i sivjetshëm është shumë më i dobët sesa vitin e kaluar, por tregojnë disiplinë dhe dëshirë për punë”, thotë ai.
FK-OTRANT` ULCINJ.1
Sipas tij, synimi kryesor këtë vit është qëndrimi në ligë.
Në javën e tretë të Ligës së Dytë të Malit të Zi, “Otrant”-i do të jetë mysafir i “Ibar”-it në Rozhajë. Trajneri Kaleziq premton se në këtë ndeshje do të kërkojnë të korrin fitoren e parë.
“Nuk do të shkojmë të mbrohemi, por do të përpiqemi të fitojmë të tri pikët”, thotë ai.
Kaleziq shpreson se me kalimin e kohës ekipi i tij do të gjejë formën e duhur.
“Shpresoj që në periudhën e ardhshme ekipi do të arrijë formën dhe së shpejti presim rezultate të mira”, përfundon trajneri i “Otrant”-it.
I.Kallaba
Koha Javore

YouTube Preview Image