Mali i Zi përgatitet për marrjen e Ulqinit

September 6, 2009   | Shoqëria / Društvo

Beteja e Ulqinit dhe dorezimi_ULQINI NË VITET E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT 1878-1881 (34)
Ministri i Punëve të Jashtme i Perandorisë Osmane kishte njoftuar se ishin krijuar të gjitha kushtet për t’ia lëshuar Malit të Zi Ulqinin me rrethina. Për ta realizuar këtë vendim, Riza pasha u urdhërua t’ia dorëzojë menjëherë Malit të Zi Ulqinin sipas një harte në të cilën ishte caktuar vija e kufirit që ambasada gjermane në Stamboll, në emër të vendeve nënshkruese, qysh më parë ia kishte dhënë Portës së Lartë. Qe shkuar edhe në detajizimin e zbatimit të vendimit. Ambasadori i Perandorisë Osmane në Cetinë qe ngarkuar t’i kumtonte Krajl Nikollës që të jepte emrat e oficerëve të Malit të Zi të cilëve do t’u dorëzohej Ulqini me rrethina.
Sipas Portës së Lartë, dorëzimi i Ulqinit duhej të bëhej në përputhje me kufirin e shënuar në hartën që e kishin propozuar Fuqitë e Mëdha, me kusht që vija e kufirit në anën e Podgoricës dhe të Liqenit të Shkodrës të përcaktohej mbi gjendjen e statu quo-së. Kërkohej që posa të merrej vendimi për këtë, t’i kumtoheshin komandantit të Shkodrës, gjeneral Riza pashës udhëzimet e hartuara në përputhje me këtë. Kjo çështje iu kumtua ambasadorëve të Fuqive të Mëdha nga Ministria e Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane. Ishte me rëndësi që të shqyrtoheshin mënyrat se si duhej vepruar për t’i bërë Fuqitë e Mëdha të hiqnin dorë nga demonstrimi i forcës në det. Nga njoftimi i sulltanit kuptohej se, pa u pranuar nga Fuqitë e Mëdha gjendja e statu quo-së dhe pa u caktuar pikat që do të mbeteshin në duart e shqiptarëve, ai nuk do të mund të merrte një hap të tillë. Nga kumtimet e Granvilit, ministrit të Punëve të Jashtme të Anglisë, bëhej me dije se nuk kishte rrugë tjetër për ndalimin e demonstratës detare veç asaj që t’i dorëzoheshin Malit të Zi Ulqini me rrethina.
Më vonë, ministri i Punëve të Jashtme i Perandorisë Osmane kishte njoftuar se ishin krijuar të gjitha kushtet për t’ia lëshuar Malit të Zi Ulqinin me rrethina. Për ta realizuar këtë vendim, Riza pasha u urdhërua t’ia dorëzojë menjëherë Malit të Zi Ulqinin sipas një harte në të cilën ishte caktuar vija e kufirit që ambasada gjermane në Stamboll, në emër të vendeve nënshkruese, qysh më parë ia kishte dhënë Portës së Lartë. Qe shkuar edhe në detajizimin e zbatimit të vendimit. Ambasadori i Perandorisë Osmane në Cetinë qe ngarkuar t’i kumtonte Kralj Nikollës që të jepte emrat e oficerëve të Malit të Zi të cilëve do t’u dorëzohej Ulqini me rrethina.
Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe në Cetinë, Grini, kishte marrë urdhër nga qeveria e tij që të intervenonte te qeveria malazeze që të merrte masa për marrjen e Ulqinit. Në shkresën që e kishte dërguar Grini thuhej se shumë vullnetarë shqiptarë po shkonin për Mozhurr, prandaj ishte krijuar një situatë që nuk duronte shtyrjen e afatit. Këtij intervenimi iu bashkua edhe përfaqësuesi francez në Cetinë.
Thirrjes së diplomatëve anglezë dhe francezë iu përgjigj ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Stanko Radonjiqi, dhe i njoftoi se forcat ushtarake malazeze ishin të gatshme të marshonin për në Ulqin. Mirëpo, ai kërkonte garanci prej tyre dhe zotohej se, në qoftë se Porta e Lartë do ta dorëzonte Ulqinin, Mali i Zi do të ishte gati që për tetë ditë të hyjë në qytet, diku më 15 shtator 1880, përndryshe i duhet një afat më i gjatë. Po qe se duhet të merret me luftë, atëherë flota ndërkombëtare duhet të jetë gati për ta ndihmuar.
Për t’ua thyer mendjen vullnetarëve shqiptarë që të mos vazhdonin me rezistencën për mbrojtjen e Ulqinit me rrethina, Porta e Lartë përdorte metoda të ndryshme. Është e njohur biseda telegrafike që më 8 shtator 1880 e bëri ministri i luftës i Perandorisë Osmane, Hysen Hysni pasha, me udhëheqësit e degës së Shkodrës. Ai përmes bisedës, duke përdorur shprehjet më adekuate që i përgjigjeshin momentit, ushtroi një presion të hapur politik. I akuzoi krerët shkodranë se po i nxisin vullnetarët që të shkonin në mbrojtjen e Ulqinit dhe se nuk po respektojnë urdhrin e sulltanit. Sipas tij, ky hap i vullnetarëve do ta acarojë situatën. Përmes bisedës kërkonte që të bëhej çmos që Ulqini të dorëzohej para se të vinte flota e bashkuar ndërkombëtare.
Këto deklarata s’ishin tjetër veçse një lojë diplomatike që shkonte në interes të Perandorisë Osmane e jo në të mirë të shqiptarëve. Mirëpo, atdhetarët shqiptarë u përgjigjën se shqiptarët ishin nisur për Ulqin në bazë të thirrjes për ndihmë që kërkuan vetë ulqinakët. Përgjigjja mbështetej edhe në deklaratën e shkodranëve, si të atyre të përkatësisë fetare myslimane ashtu edhe të atyre katolike, në të cilën thuhej: “Ashtu siç ua kemi parashtruar me peticione dhe me protesta herë pas here autoriteteve të larta, edhe këtë herë nuk pranojmë që Ulqini me rrethina t’i lëshohet Malit të Zi”.

Mr. Riza Rexha
Koha Javore


1