Ulqini as si Andrijevica; Hakmarrja e ish-përsëritësve

September 7, 2009   | Shoqëria / Društvo

ulqini qender univerzitareEdhe në një vit tjetër shkollor Ulqini hyn pa institucion universitar. E ai tani na nevojitet më shumë se buka.
Të paktën në një aspekt kanë të drejtë investitorët tanë potencialë të shumtë. Të gjithë ata thonë se në Ulqin nuk ka menaxherë të mirë dhe kuadër të kualifikuar për punë në turizëm dhe në hotelieri. Për këtë arsye, kur pas Otrantit të ndërtohet edhe një hotel i kategorisë së lartë, problemi i pronarit të tij do të jetë të gjejë njerëz të shkolluar dhe të aftë për të punuar në këtë objekt.
Çdo hotel i posandërtuar do të përballet pastaj me mungesën e kuadrove, kështu që ato do të duhet të importohen nga jashtë. Dhe do të ketë mijëra asish, sepse asgjë nuk mund ta zëvendësojë njeriun në të ashtuquajturat veprimtari terciare. Do të vijnë nga Filipinet, nga Pakistani dhe Moldavia dhe do të punojnë aty për njëqind dollarë. Njëlloj siç kishte ndodhur deri tani në objektet turistike në Dubai apo në Egjipt.
Tashmë njëzet vite njerëzit këtu nuk ngriten profesionalisht, rrallëherë shkojnë në kurse, seminare, lexojnë fare pak edhe gazeta, librat pothuajse nuk i lexojnë fare. Me një fjalë pak lexojnë dhe arsimohen dhe ngriten jo sa duhet në pikëpamje profesionale.
Madje marr guximin të them se këtu mbretëron një atmosferë e pakuptueshme antishkencore dhe antiarsimore, të cilës më së shumti i kontribuojnë pikërisht ata të cilët gjoja kanë mbaruar disa shkolla të larta.
Kurse shkolla, krahas familjes dhe mjedisit është njëra nga tri shtyllat e shoqërisë. Sepse, nuk mësojmë për shkollën, mësojmë për jetën, thonin latinët e vjetër, kurse Niçe ka vërejtur me vend se “interesi i shkencës është që të na armatosë për veprim”.
Edhe historia është dëshmitare se shoqëritë e suksesshme gjithëherë kanë qenë shoqëri të dijes. Së këndejmi është e kuptueshme kur thuhet se sot në botë janë shumë më të rëndësishme dija dhe ideja sesa kapitali apo fuqia e punës dhe se prapambetja pas rrjedhave bashkëkohore nuk paguhet më me para por me kohë. Për këtë arsye shkollat dhe arsimi janë bërë element qendror i jetës dhe politikës. Së këndejmi askush nuk duhet të befasohet nga fakti që pothuajse në çdo qytet në Mal të Zi, përpos në Ulqin, sot ekziston fakulteti apo të paktën ndonjë shkollë e lartë. Përfshirë edhe Andrijevicën!
Fillimisht, qyteti lindi si shtëpi e mrekullueshme: vend ku ruhen vlerat e përjetshme dhe zbulohen mundësitë hyjnore. Sepse, qytetet, sikurse as popujt dhe shoqëritë, nuk i krijojnë shifrat statistikore, por vlerat shpirtërore të rangut më të lartë.
Shoqëria urbane nuk është çështje e përcaktimit politik, e derdhjes së përshpejtuar të kapitalit as e shitjes pa hesap të hapësirës apo ndërmarrjeve të qytetit, por një proces i mundimshëm dhe i ndërlikuar evolutiv, rrënjët e të cilit janë të thella, kurse lulet dhe aroma të mrekullueshme.
Mirëpo, përderisa shkolla dhe familja po përçahen nga të gjitha anët, është duke u bërë kaos madje edhe në Ullishta, Ada po zhduket, po përgatitet invazioni mbi hapësirën tonë, madje edhe i fuqisë punëtore të kualifikuar nga jashtë, njerëzit këtu janë të qetë dhe pa brenga.
Si duket, kështu edhe duhet të jetë. Kjo që po na ndodhë aktualisht në realitet është hakmarrje e ish-përsëritësve dhe tradhëti e të ashtuquajturve intelektualë!

Mustafa Canka
Koha Javore