Sekretet që ndajmë së bashku,Ingridi dhe mbesa

September 12, 2009   | Lajmet / Vijesti

Ingrid GjoniIngridi shikon veten në talentin, përkushtimin dhe dëshirën që ajo ka për artin. Por nuk kishte si të mos lindte një talent i tillë në një familje që këndohet dhe kërcehet. Po flasim për Ingrid Gjonin dhe për mbesën e saj, Anën, e cila është balerina e parë në klipet muzikore të tezes. Gati-gati i vijnë në ndihmë njëra-tjetrës. Ana e ndjen veten me fat se e ka gjetur të shtruar “tapetin” e karrierës, edhe pse e ndjen çdo ditë e më shumë se duhet të punojë për të arritur majat.

Stina e verës ka qenë shumë e ngjeshur për të dyja, me koncerte pa fund, aq sa ka qenë e vështirë t’i kapësh në këto ditë të nxehta. Të dyja flasin me pasion për punët që bëjnë dhe po kaq me pasion për marrëdhëniet që kanë me njëra-tjetrën. Ana është rritur me imazhin e tezes së saj që në fëmijëri.

E ka ndjekur hap pas hapi, dhe po ta pyesësh se cili është idhulli i saj, përgjigja është e prerë: Ingridi. Gjoni, nga ana tjetër, sapo ka përfunduar punën për realizimin e një kënge të re dhe të një klipi gjithashtu, i cili po bën vetëm dy ditë që është shfaqur në ekranet muzikore shqiptare. E quan një klip luksoz, ku nuk kanë qenë të pakta paratë që janë hedhur. Në qendër është një histori dashurie, e cila goditet nga një tradhti.

E gjithë fabula që i ngjan një filmi me metrazh të shkurtër, zhvillohet në një Jaht superluksoz në bregdetin e Jonit. Është hera e parë që mbesa dhe tezja dalin në një intervistë dyshe. Në këtë rrëfim për SH2-shin, ato tregojnë gjithçka për veten e tyre, për marrëdhëniet me njëra-tjetrën dhe punët që i presin në vazhdim.

Cila është lidhja juaj me mbesën? E kemi parë të jetë pranë jush në koncerte e videoklipe?

Me mbesën time, Anën, jam shumë e lidhur. Faktikisht shkoj mirë me të tre, me dy mbesat dhe nipin tim, megjithëse ai është i vogël. Anën nuk e di pse, po e kam konsideruar gjithmonë si shoqe.

Për sa i përket fushës së saj, ajo vazhdon shkollën e baletit. E ka zgjedhur paksa vetë dhe me shtysën tonë. Unë e kam provuar Anën ta nxjerr në skenë që në moshën dy vjeçe dhe nuk na ka zhgënjyer. Ka qenë dalja e parë me balerinën Ambeta Toromanin dhe që në atë moshë nuk iu dridh qerpiku fare të kërcente para gjithë publikut.

Ana është balerina juaj e parë në videoklipet tuaja?

Po, e kam marrë dhe ua kam dhënë edhe shoqeve për xhirimet e tyre muzikore, duke marrë pjesë dhe në klipet e kolegeve të mia, paçka se tek i imi ka dalë herët.

Ka pasur fatin të jetë pranë jush…?

Fatin e ka pasur, ashtu si kam pasur unë fatin nga Inisi. Pak a shumë e kemi gjetur terrenin gati, na duhej vetëm të luftonim. Por Ana ka bërë përpjekjet e saj për t’u evidentur vetë më përpjekjet e saj, duke marrë pjesë në “Star Akademi”, ku ka dalë me çmim. Ingridi i ka dhënë një dorë për të njohur një brez më të madh.

Ju i keni dhënë Anës mundësinë të afirmohet, po ajo çfarë ju ka dhënë juve në këto kohë?

Gjithçka, brenda kuadratit që mund të ketë fuqi Ana të më japë mua. Them se gjithçka, ose mbase pak më shumë, saç mund t’i japë një mbesë një tezeje. Për moshën që ka, është shumë e përkushtuar ndaj meje. Madje, dhe ata të shtëpisë fillojnë dhe bëhen xhelozë, pasi Anën po ta pyesësh kush njeriu më i bukur, apo këngëtarja më e mirë e botës, do të thotë Ingridi (qesh).

Si e ka ndjekur Ana karrierën tuaj që nga fëmijëria e saj?

Siç e thashë, e ka ndjekur që në moshën 2 vjeçe, pasi ka dalë në skenë në një koncert të realizuar me regjinë time, kur unë isha vetëm 14 vjeçe. Me ndihmën e Inisit, për sa u përket njohjeve dhe për sa u përket këngëtarëve në atë kohë.

Ne kemi realizuar atë spektakël, sa kur e shikoj sot në filmimet që kam në arkivën time, nuk më besohet që ajo është bërë nga një vajzë 14 vjeçe, që jam unë (qesh). Gjithashtu, ajo mban mend përmendësh këngët e albumit tim të parë, që mua nuk me kujtohen me thënë të drejtën. Ka qenë në çdo etapë të angazhimeve të mia.

Duke parë se keni kaluar vetë në rrugën e artit, çfarë i ke këshilluar dhe çfarë i këshillon aktualisht Anës?

Këshilla e vetme është që të vazhdojë baletin, dhe të përkushtohet pas shkollës. E vendos më shumë theksin te baleti, se ana është e talentuar dhe unë e shoh çdo ditë. Për sa i përket jetës private, nuk është se ndërhyj shumë, pasi po ndërhyra jam shumë e egër, por Ana më kupton me sy që e ka gabim edhe…

E keni bërë ndonjëherë mbesën tuaj të qajë?

Po, ka ndodhur në rrethana punë. Faktikisht, Ana është e qeshur, nuk mërzitet. Unë i bërtas që me një gur të vras gjithë balerinët e tjerë. I bërtas asaj që mos t’u ngelë hatri të tjerëve. Qëlloji një ditë që Ana e mori për ters dhe na u mërzit në provat e baletit.

Është e kënaqur motra juaj që i mbani vajzën afër dhe e mbështet?

Po, patjetër që po. Është e kënaqur. E para, se e ka nën mbikëqyrje të motrës dhe e dyta, Ana ka kërcyer gjatë gjithë verës me mua në koncertet që kemi pasur, ka qenë një ogur i mirë.

Sa po ka dalë klipi juaj i fundit. Na flisni pak për të…

Është i paparë, shumë i bukur, nuk dua që ta lavdëroj, por publiku do ta shohë, pasi ai sapo ka dalë.

Është bërë në Shqipëri, duket sikur është bërë në Maiemi. Si tipi i “Jek e jekut” me pastërtinë e detit. Unë gjithmonë kam pasur edhe mundësinë ta bëj jashtë, por kam zgjedhur bregdetin ton. Regjia është e Inisit, me tekstin e Big Bastës dhe kompozimin e Andi DJ.

Unë jam me një Jaht me të dashurin tim. Befas shoh diçka në telefonin e tij, bëhem xheloze dhe marr valixhet e iki. Më pas këndoj dhe me vijnë ndërmend kujtime me të, pastaj e kam lënë të hapur. Është si film me metrazh të shkurtër, na është dashur 2 muaj punë intensive për ta përgatitur.

Ka kushtuar shumë?

Po, ka kushtuar. Paçka se unë Inisin e kam motër, e vlerësoj punën e saj, lodhjen. Përveç stafit që paguaj, i detyrohem edhe motrës sime, pavarësisht se ajo nuk do t’i marrë në atë formë.

Do të gjejë një mënyrë tjetër për t’ia bërë dhuratë. Fatkeqësisht, Anën nuk e kam pasur kësaj radhe, pasi ajo do të jetë në kompeticionin e ardhshëm që mund të jem në “Këngën magjike” dhe po përgatitet.
Na fole për mbesën, për videoklipin, na fol pak për vete.

Jam shumë e kënaqur nga klipi i fundit. Kam dy materiale shumë të mira në dorë. Më datë 20 iki në Amerikë me turne, kam 8 koncerte atje, bashkë me koleget e mia. Shpresoj të vazhdojë suksesshëm dhe muaji i turneut që kam në Kanada.

Keni mbaruar një shkollë për aktrim, çfarë po bëhet me atë diplomë?

Pothuajse të njëjtin fat kanë pasur të gjithë atë që kanë mbaruar në brezin tim. Kam pasur fatin që të më ketë mbushur kënga dhe të mos ia ndjej, por jo se nuk dua. Nuk na është dhënë mundësia. Megjithatë, kam pasur dy kërkesa për në Kosovë, për një pjesë dramatike, për një teatër dhe për një tip telefilmi që ata e transmetojnë në mëngjes. Por, endë është në projekt.

Angazhime punë, po angazhime për veten, një lidhje dashurie ndoshta?

Jo, akoma nuk jam gati.

Pas gjithë këtyre koncerteve dhe impenjimeve, e quan veten këngëtare të pasur?

Pas kaq shumë koncerteve, impakti i parë duket kush e di se çfarë, por nuk është ashtu. Jetoj mirë. Jetoj me kushtet e një njeriu që i ka arritur standardet maksimale, por jo për ta quajtur veten të pasur. Një njeri që i ka të gjithë kushtet për ta kaluar jetën mirë, kaq.

Ana

Ana, ju studioni në shkollën e baletit, në çfarë viti jeni?

Po, studioj në shkollë të baletit që në moshën 9 vjeçe. Aktualisht hidhem në vitin e tretë. Kam filluar të kërcej që në moshën 2-vjeçare. Pastaj hyra në një kurs kërcimi dhe në klasë të katërt konkurrova në shkollë baleti, fitova, dola e dyta dhe aktualisht vazhdoj atje.

E ke gjenetik faktin që ke marrë rrugën e artit, apo nuk mendon kështu?

Po, me sa duket, kështu qenka gjenetike.

Sa e lidhur jeni me tezen tuaj, Ingridin dhe sa ka ndikuar ajo në suksesin që ju keni si një balerinë ende në fillimet tuaja?

Me Ingridin jam shumë, shumë e lidhur. Kjo vjen ngaqë Ingridi më ka konsideruar gjithmonë si shoqe. Ia tregoja të gjitha. Më ka ndihmuar tmerrësisht, sepse një balerinë në moshën time nuk do të kishte kurrsesi shansin që të kërcente në skenat ku kam kërcyer unë dhe këtë e kam falë Ingridit.

Janë xheloze mikeshat e tua për ty?

Nuk besoj se janë, sepse unë dhe Ingridi i kemi marrë edhe ato në videoklipe.

Si i kujton fillimet e karrierës së tezes? Ti vetë sa e dhënë je pas këngëve të saj?

Unë nga qejfi i madh që kam pasur, qëndroja gjithë kohës me Ingridin. Ashtu siç dija unë edhe i këndoja këngët e saj dhe sot e kësaj dite i mbaj mend.

Je krenare që je mbesa e saj?

Shumë, kjo fjalë i përmbledh të gjitha.

Pasi të mbarosh liceun, do vazhdosh sërish për balet?

Kam qejf që shkollën e lartë ta vazhdoj për aktrim.

Kush është idhulli i juaj?

Ingridi.

E konsideron veten njeri me fat Ana?

Shumë. Jam me fat që kam një familje të mrekullueshme dhe që kam dy teze. Jam me fat për çdo gjë.

Cilat janë sekretet që t’i ndan me Ingridin?

Të gjitha, pothuajse.

Çfarë të pëlqen dhe çfarë nuk të pëlqen te Ingridi?

Nuk e kam parë me syrin kritik, po një gjë është e sigurt: i dua të gjitha çfarë ka tezja ime.

Tezja dhe mbesa

Kur e pyet Ingridin se a i kujtohet vetja në atë moshë, ajo tregon se ka qenë më shumë kërkuese ndaj vetes. Një gjë që më është dukur e pamundur, e kam realizuar dhe e kam bërë të mundur, thotë ajo. “Ana është pak me e butë se unë, është natyrë politikane. Ndërsa unë kam qenë më e drejtpërdrejtë.

Kjo që ka Ana nuk është gjë e keqe. Kam qenë natyrë e hedhur”, – rrëfen Gjoni, duke parë mbesën e saj në sy. Duke vazhduar se ajo ka një mama që i ka ndenjur te koka, ndërsa unë kam pyetur më shumë babin, në këtë mënyrë bën dallimin e tipit të saj dhe të mbesës në moshën e adoleshencës.

Gazeta Shekulli

YouTube Preview Image