Ballkani mund të goditet nga një tërmet i madh

September 14, 2009   | Rajoni / Region

termetiTërmetet që po ndodhin kohëve të fundit mund të përfundojnë me një tërmet dukshëm më të fuqishëm në zonën tokësore të Mesdheut verior, tërheqin vërejtjen sizmologët.
Drejtori i Entit Sizmik të Malit të Zi, Branislav Glavatovic, ka deklaruar për shtypin malazez se, megjithëse tërmetet nuk mund të parashikohen, ekziston mundësia e ndodhjes së një tërmeti më të madh në rajon.

Sipas tij, tërmeti i fundit në afërsi të Dibrës, në Shqipëri, me një magnitudë prej 5.4 shkallësh të Richterit, kishte një fuqi goxha të madhe, plotë 8 shkallë të Merkalit.

“Prandaj, është reale të pritet që në këtë zonë epiqendrore të ketë edhe shkatërrime të konsiderueshme, megjithëse shpresojmë të mos ketë edhe viktima, sepse kjo ishte një dridhje mesatarisht e fortë, dhe përkundër faktit se tërmetet me fuqi prej 8 shkallësh shkaktojnë dëmtimin e rreth 25 përqind të objekteve, varësisht nga kategoria dhe kualiteti i ndërtimit”, sqaroi Glavatovic.

Aktiviteti sizmik është rritur jo vetëm në zonën e Mesdheut dhe Ballkanit, por edhe në gjithë Evropën, tërhoqi vërejtjen ai në vazhdim. “Gjatë 30 deri në 40 ditët e kaluara kemi pasur disa tërmete të fuqishëm, prej të cilëve në Mal të Zi veçanërisht është ndier ky i fundit në Shqipëri, dhe ai i 21 gushtit, në afërsi të Ulqinit. Tërmeti në Ulqin madje për pasojë pati edhe disa dëme në objektet përgjatë gjithë bregdetit malazez”, tha Glavatovic.

Sipas tij, periudhat e zvogëlimit dhe të rritjes së aktiviteteve sizmike vijnë të paparalajmëruara, sepse janë rrjedhojë e tërmeteve që ndodhin në thellësi prej disa qindra kilometrash brenda tokës.

“Këso periudhash gjatë historisë kishte shumë dhe sigurisht se kështu do të ndodhë edhe në të ardhmen, duke marrë parasysh faktin se proceset gjeologjike zgjasin nga disa miliona vjet”, sqaroi Glavatovic.

Por, ai tërhoqi vërejtjen se ekziston lidhja ndërmjet numrit të njollave në Diell, brenda të cilave zhvillohet aktivitetit i tij kryesor, dhe aktiviteteve sizmike në tokë.

“Shkenca e sizmologjisë ende nuk ka arritur deri në atë nivel për të mundur të parashikojë se për ç’shkak sot po ndodhë rritja e sizmicitetit, krahasuar me periudhën e kaluar disamujore, e ndoshta edhe disavjeçare, po shfaqet në formën e intensifikimit të aktivitetit sizmik”, shtoi Glavatovic, raporton Srna.

Tërmetet tronditin Evropën

Duket se një valë tërmetesh ka përfshirë një pjesë të mirë të vendeve të Evropës Lindore dhe disa lëkundje të lehta janë regjistruar edhe në ishullin italian të Sicilisë.

Kështu lëkundje të forta të tokës janë njoftuar nga autoritetet gjeorgjiane në Tbilisi, ndërsa italianët njoftojnë lëkundje të lehta në Sicili.

Tërmeti në Gjeorgji, sipas Institutit Sizmologjik Evropian, ka qenë me magnitudë 6.3 ballë të shkalles Richter, ndërsa lëkundjet e ndjera në Palermo të vendit fqinj, Itali kanë qenë të lehta me një magnitudë që nuk shkonte më shume se 4.0 ballë e shkallës Richter, transmeton Top Channel.

Ndërkohe deri me tani në asnjë prej dy rasteve nuk është raportuar për viktima ndërsa në Tbilisi autoritetet gjeorgjiane njoftojnë për dëme materiale.

Gazeta Express

YouTube Preview Image