Sezoni pa hotele

September 14, 2009   | Turizmi / Turizam

plazha madhe_ulqinPas një vrapimi, zhurme dhe rrëmuje dymujore dhe rropatjes për të fituar diçka, qyteti dalëngadalë po kthehet në gjendje normale. Gjithashtu duket se dalëngadalë po zbehet entuziazmi zyrtar se sezoni ka qenë jashtëzakonisht i bereqetshëm.
Në një aspekt të gjithë janë dakord: gushti në Rivierën e Ulqinit ka qenë i shkëlqyeshëm, por megjithatë i pamjaftueshëm që të anulojë minuset nga parasezoni. Gjithashtu është inkurajuese struktura e klientëve, por ajo, para së gjithash, është rezultat i politikës së çmimeve: klientët nga Kosova gjatë kësaj stine më shumë kanë preferuar që pushimet t’i kalojnë në Shqipëri, derisa për shkak të strehimit të lirë në Ulqin ka pasur dukshëm më tepër boshnjakë, polakë, çekë dhe sllovakë. Ata vetëm te ne kanë mundur që bujtjen ta paguajnë prej 7-8 euro, apo tri herë më lirë sesa në Kroaci. Në disa hotele madje – dhjetë euro! (Gjermanë në Ulqin edhe në këtë vit ka pasur aq pak sa është për të ardhur keq. E ata gjithëherë kanë qenë sinonim për turistin në këtë qytet).
Për shkak të aranzhmaneve të tilla “last minute”, konsumit të zvogëluar (më së shumti kanë përfituar restorantet fast-food dhe vetëshërbimet, pastaj rentuesit e plazheve) dhe çmimet e ulëta të strehimit, fitimi nuk i ka ndjekur treguesit fizikë të sezonit. Në fund të gushtit ata zyrtarisht kanë qenë madje 59% më të lartë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar!?
Kur të rezumohen të gjitha, mund të vihet në përfundim se qiradhënësit privatë, hotelierët dhe mejhanexhinjtë kanë fituar mesatarisht rreth 15% më pak sesa në vitin 2008. Është joreale të pritet çdo gjë tjetër nga sezoni që nuk zgjat as 50 ditë.
E kjo është vërtetë pak për të jetuar rehatshëm dhjetë muaj të tjerë, për t’i shlyer detyrimet, tagrat dhe tatimet enorme, për t’i paguar këstet e kredive dhe (nëse diçka tepron) të investohet në përmirësimin e ofertës turistike.
Këtu në radhë të parë e kam fjalën për kapacitetet e strehimit. Sepse, tani mbase çdokush definitivisht e ka të qartë se pa hotele të reja nuk ka zgjatje aq shumë të dëshiruar të sezonit dhe turizëm cilësor. Do të mbesin vetëm improvizimet. Problem tjetër strukturor i yni është që ne jemi kampionë të botës në strukturën negative të kapaciteteve të strehimit. Këtu madje nuk ekzistojnë as dypërqind të kapaciteteve themelore!?
Dominojnë apsolutisht shtëpitë dhe uikend-banesat, banimi sekundar i cili më se një decenie ka qenë biznes profitabil, por biznes ky mjaft i dëmshëm për turizmin. Sepse, kjo i shkakton probleme të mëdha strukturore kësaj dege të ekonomisë dhe tërë qytetit dhe në njëfarë mënyre e zhvlerëson strategjinë valide të zhvillimit të turizmit.
Kurse Ulqinit i duhen shtatë ose tetë hotele të mëdha cilësore, me katër dhe pesë yje, të cilët do të ngrisin në mënyrë të rëndësishme cilësinë e kësaj dege të ekonomisë dhe të cilët do të punojnë gjatë tërë vitit.
Mirëpo, jemi dëshmitarë sesi e gjithë kjo po ecën me vështirësi. Vetëm “Otranti” është rinovuar dhe kjo pas pesë vitesh nga privatizimi i dyshimtë.
Pasi që atë e menaxhon firma e huaj e cila ushtron veprimtari sipas sistemit “ol inkluziv”, qyteti ka efekte fare të vogla pozitive nga turistët në këtë objekt. Shumica e turistëve nga Franca, të cilët më parë kishin rezervuar pushimin, denoncoi qëndrimin në shtator.
Janë të vogla shpresat që do të rinovohet “Galebi”, “Jadrani” nuk figuron më as në tabelën në të cilën kanë qenë shënuar afatet për fillimin e ndërtimit të tij (gjithçka ishte gënjeshtër e kulluar!), në “Albatros” tashmë 15 vite nuk është ngulur asnjë gozhdë, nga “Mediterani” dhe “Lido” thonë se kanë probleme me administratën.
Përsëri është vazhduar tenderi për shitjen e një pjese të aksioneve të aksionarëve të mëdhenj të Ndërmarrjes Hoteliere Turistike “Riviera e Ulqinit”, kurse mbetjet e mbetjeve të kësaj kompanie dikur të fuqishme duhet të rikonstruktohen rrënjësisht, apo nëse është fjala për hotelin “Belvi” edhe të rrënohen, në mënyrë që në këtë troll të ndërtohet një objekt i ri hotelier.
Mirëpo, përderisa të mos ketë ndodhur kjo, krerët tanë në intervale të rregullta kohore përmes mediave na bombardojnë me lajme sipas të cilave investitorët e huaj vetëm sa nuk kanë behur në Ulqin.
Derisa të mos shfaqen investuesit seriozë, e jo si deri tani, që paraqiteshin vetëm spekulantët, duhet të ndërmerret diçka. Ata qiradhënës të cilët kanë mbi 30 shtretër, duhet të gjejnë mënyra (këtu sidomos duhet të ndihmojë shteti me masat e veta të politikës ekonomike) që shtëpitë e veta t’i shndërrojnë në hotele të vogla familjare, kondo-hotele dhe apartamente. Vetëm në këtë mënyrë mund të fitohet më shumë, kurse struktura tejet e pavolitshme e kapaciteteve të strehimit do të fillojë të përmirësohet dalëngadalë.
Sido që të jetë, në situatën kur nuk nuk kemi kriterin e sigurtë, për secilin pohim mund të gjendet sqarimi numerik, i cili përsëri nuk është valid, kështu që është shterp debati lidhur me faktin se sa ka pasur klientë krahasurar me vitin e kaluar apo me vitet e mëparshme. Debati i këtillë është i padobishëm dhe nuk është në interesin e turizmit.
Për këtë arsye pas këtij sezoni më në fund duhet të hapet debati i gjerë dhe profesional mbi “industrinë turistike të Ulqinit”, në mënyrë që sezonet e ardhshme të mos jenë si ato paraprake. Tani më së paku na nevojiten vetëkënaqësia dhe dritshkurtësia. Kurse në turizëm është i shkurtër afati prej tri deri në pesë vite, sepse ne jetojmë në qytetin i cili ka potencialet më të mëdha për zhvillimin e të gjitha formave të turizmit, kurse të tjerët pothuajse i kanë konsumuar.
Turizmi, bashkë me bujqësinë, është shansi ynë më i madh i zhvillimit dhe prandaj është e domosdoshme që të gjithë të bashkohemi dhe të tubohemi rreth tij. Këtu fillon çdo politikë.

Mustafa Canka
Koha Javore
YouTube Preview Image