Memorandume, letra dhe protesta për çështjen e Ulqinit

September 20, 2009   | Shoqëria / Društvo

harta-e-vjeter-e-ulqinit-deri-te-lumi-buna

ULQINI NË VITET E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT 1878-1881 (36)
Në protestën që i drejtohet konsullatës së Francës në Shkodër kundër vendimeve të Fuqive të Mëdha, thuhet: “Morëm vesh se eskadrat e Fuqive të Mëdha të Evropës po arrijnë këto ditë përpara Ulqinit për të vënë në zbatim dorëzimin e atdheut tonë të dashur te Principata e Malit të Zi. Ne parapëlqejmë të humbasim çdo gjë dhe të sakrifikojmë qenien tonë sesa t`i nënshtrohemi administratës së malazezëve… Shpresojmë në mënyrë të patundur se Fuqitë e Mëdha nuk do të pranojnë kaq derdhje gjaku… Ne ju lutemi të keni mirësinë t`i paraqitni kërkesat tona qeverisë të fuqishme të cilën e përfaqësoni dhe ta njoftoni se ne u bëjmë thirrje dashamirëse Fuqive të Mëdha me qëllim që me urtësinë e tyre t`i japin një zgjidhje të drejtë kësaj çështjeje dhe të rivendosen të drejtat tona”.
Konsulli Depollo parashihte që tentimi i pushtimit të Ulqinit nga Mali i Zi do të haste në shumë pengesa dhe se ky pushtim nuk mund të kryhej pa një gjakderdhje të madhe.
Më 13 shtator 1880, Qeveria Osmane kishte porositur Riza pashën, që, për të thyer frymën e vendosmërisë së shqiptarëve, të përdorte dy lloje mjetesh: t`i akuzonte udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare si njerëz që kishin për qëllim të nxirrnin nga kjo rezistencë përfitime personale si dhe ta thyente kundërshtimin e tyre, duke i korruptuar ata me të holla ose me dhurata.
Në telegramin që më 14 shtator 1880 Riza pasha ia kishte dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane, thuhej: “Flotat janë kompletuar. Admirali anglez, kryekomandanti i flotës së bashkuar ndërkombëtare, do të thërrasë së shpejti në këshillim komandantët e flotave për t`u këshilluar për veprimet që do të bëhen”. Në telegram, nga fundi, thuhej se nuk do të demonstrohej fuqia detare pa arritur ushtria malazeze në kufij.
Ndërkohë, admirali Sejmur e kishte dërguar anijen “Helikon” në hapësirën para Ulqinit për të vlerësuar situatën dhe në bazë të raportit që do ta merrte do ta bënte planin e veprimit. Gjithashtu, me urdhër të admiralit anglez, edhe anija “Sansego” qe larguar nga porti dhe kishte shkuar para Ulqinit për të kontrolluar nga deti situatën konkrete. Sipas informatave, nuk kishte pasur zbarkim në tokë.
Riza pasha kishte të drejtë kur parashihte se dorëzimi i Ulqinit do të ishte i pamundur të bëhej pa krisur pushka. Për t`i ikur rrezikut nga konflikti, Porta duhej të përdorte masat përkatëse, siç ishin bindja dhe nënshtrimi, siç theksohej në një letër të nënshkruar nga ministri i Punëve të Jashtme, Hasan Fehmiu. Riza pasha në telegramin që ia dërgoi Ministrisë së Luftës e shihte të arsyeshme që, për t`iu kumtuar urdhërat perandorake popullsisë së Ulqinit dhe shqiptarëve të grumbulluar në Ulqin duhej të dërgohej gjenerali i brigadës Ismet pasha me fregatën perandorake (Selimie). Sipas tij, kur ta shihnin ulqinakët dhe të tjerët në Ulqin, do të bindeshin për masat konkrete që i ndërmerrte Perandoria Osmane dhe do të tërhiqeshin edhe ata që e kanë pasur ndër mend të kundërshtojnë.
Të shumta janë memorandumet, letrat, protestat, artikujt e gazetave dhe dokumentet e tjera dërguar autoriteteve të Fuqive të Mëdha dhe Portës së Lartë lidhur me çështjen e Ulqinit.
Më 15 shtator 1880, Dega e Lidhjes Shqiptare për Ulqin u drejtoi Fuqive të Mëdha nëpërmjet konsujve të tyre në Shkodër protesta kategorike të hartuara me një ton të prerë dhe të pajisura me nënshkrime.
Në protestën që i drejtohet konsullatës së Francës në Shkodër kundër vendimeve të Fuqive të Mëdha, thuhet: “Morëm vesh se eskadrat e Fuqive të Mëdha të Evropës po arrijnë këto ditë përpara Ulqinit për të vënë në zbatim dorëzimin e atdheut tonë të dashur te Principata e Malit të Zi. Ne parapëlqejmë të humbasim çdo gjë dhe të sakrifikojmë qenien tonë sesa t`i nënshtrohemi administratës së malazezëve… Shpresojmë në mënyrë të patundur se Fuqitë e Mëdha nuk do të pranojnë kaq derdhje gjaku… Ne ju lutemi të keni mirësinë t`i paraqitni kërkesat tona qeverisë të fuqishme të cilën e përfaqësoni dhe ta njoftoni se ne u bëjmë thirrje dashamirëse Fuqive të Mëdha me qëllim që me urtësinë e tyre t`i japin një zgjidhje të drejtë kësaj çështjeje dhe të rivendosen të drejtat tona”.

Mr. Riza Rexha
Koha Javore

YouTube Preview Image