Përgatitjet e fundit për dorëzimin e Ulqinit
ULQINI NË VITET E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT 1878-1881 (37)
Përballë ushtrisë malazeze në Ulqin me rrethina në gjysmën e shtatorit 1880 qëndronin forcat vullnetare shqiptare. Numri i tyre sillej prej 6 mijë deri në 8 mijë së bashku me vendësit e armatosur nga rajoni i Ulqinit me rrethinat.
Më 16 shtator 1880, konsulli Depollo i raportoi përfaqësuesit austro-hungarez në Cetinë, Temelit, se këmbëngulja e shqiptarëve për të kundërshtuar lëshimin e Ulqinit, vendosmëria e tyre për t’u matur me armikun, kishte marrë përpjesëtime të mëdha. Trimëria dhe vrulli për t’u përleshur me malazezët kishte arritur në një shkallë të tillë, saqë një nga krerët e Ulqinit i kishte dërguar ato ditë komandantit krahinor, Vuko Pejoviqit, një ftesë për të dalë në mejdan së bashku me ushtritë e veta në Ulqin, se, përndryshe, ai vetë do të shkonte me çetat e tij për t’u ndeshur me të në Tivar. Ai shfaqte bindjen se as forcat e Malit të Zi, as demonstratat e afërta të flotës detare, nuk ishin në gjendje t’i zbusnin shpirtrat e shqiptarëve dhe ta dobësonin rezistencën e tyre.
Në Paris dhe Londër qe dëgjuar për rezistencën dhe grumbullimin e shqiptarëve në Ulqin dhe rrethina. Lordi Granvil i kishte telegrafuar Goshenit në Stamboll që së bashku me përfaqësuesit e tjerë të kërkonin nga Porta që ta urdhëronin Riza pashën që të bënte të mundshëm dorëzimin e Ulqinit. Situata bëhej më e komplikuar. Abedin pasha e lajmëron të deleguarin e vet në Paris, Sartinsk Efendiun, se Mali i Zi grumbullon forca ushtarake në Tivar për ta okupuar Ulqinin. Kabineti francez iu përgjigj ambasadorit turk se princ Nikolla është vënë në lëvizje me forcat ushtarake me ftesë të Fuqive të Mëdha për ta marrë Ulqinin pa luftë ose sipas nevojës edhe me luftë, duke e shoqëruar flota e bashkuar ndërkombëtare.
Mali i Zi ishte bërë gati ushtarakisht. Në mesin e shtatorit 1880 kishte mobilizuar 6000 ushtarë dhe i kishte dërguar nën udhëheqjen e komandantëve në Sutorman dhe Tivar. Këto forca ushtarake përbëheshin prej brigadave të vojvodë Gjuro Petroviqit, vojvodë Llazar Soçicës dhe vojvodë Masho Gjuroviqit. Brigada e vojvodë Mark Milanit dhe një pjesë e brigadës së vojvodë Mihajl Nishinit kishin pasur për detyrë të ruanin Podgoricën dhe Zetën nga ana e Shqipërisë. Në dispozicion ishte vënë edhe ushtria rezervë. Komandant kryesor i ekspeditës kundër rezistencës së Ulqinit qe caktuar vojvodë Bozho Petroviqi me këshilltarët vojvodë Petar Vukotiqi dhe vojvodë Sima Popoviqi. Ushtria ishte mirë e përgatitur dhe e furnizuar me gjërat e duhura. Ushtria ishte e armatosur me 20 mijë pushkë, 6 milionë fishekë, 104 topa të modeleve austriakë, rusë dhe anglezë. Armët dhe municionin e merrte nga Vjena me kushte të volitshme për t’i paguar në tri këste. Rusia, si çdoherë, si mike dhe mbrojtëse e Malit të Zi, për këtë ekspeditë i kishte dhënë një ndihmë prej 99 mijë rublash.
Përballë ushtrisë malazeze në Ulqin me rrethina në gjysmën e shtatorit 1880 qëndronin forcat vullnetare shqiptare. Numri i tyre sillej prej 6 mijë deri në 8 mijë së bashku me vendësit e armatosur nga rajoni i Ulqinit me rrethinat. Vullnetarët shqiptarë ishin të përqëndruar kështu: në qytet ishin rreth 4 mijë vetë, prej tyre 1 mijë vetë nga Ana e Malit, 3 mijë vetë nga Ulqini dhe rrethi i ngushtë. Në Goranë të Madhe dhe Goranë të Vogël në fillim të shtatorit nuk kishte ushtri, por më vonë flitej se kishin qenë të koncentruar 500-600 vetë. Në majën e malit Meranxhë kishte rreth 2 mijë vullnetarë, në Anë të Malit ishin 1600 vetë të armatosur, në vijën kufitare prej Urës së Mërkotit e deri në Megjureç vullnetarë kishin dalë të gjithë anamalasit, në Krajë qëndronin vetëm vendësit, kurse në vijën Shkodër – Ulqin – Mozhur qëndronin rreth 5-6 mijë vullnetarë të tjerë.
Thuhej se në fillim të shtatorit kishin shkuar për Ulqin tre batalione nizamësh. Kah mesi i shtatorit 1880, ushtria turke kishte dy taborre me rreth 1500 ushtarë në Ulqin, ndërsa në Anë të Malit rreth 6 taborre. Prej armëve në Ulqin kishte rreth 3-4 topa. Ushtria turke ishte stacionuar gjithashtu edhe në Goricë, në Amull dhe në Shas. Riza pasha kishte në dispozicion gjithsej 5 batalione të ushtrisë së rregullt osmane.
Mr. Riza Rexha
Koha Javore





