Autoktoninë e shqiptarëve dhe historinë tonë nuk do të mund ta mohojë as Enciklopedia Maqedonase

September 29, 2009   | Shoqëria / Društvo

Mehmet BardhiSulm ndaj të vërtetës shkencore e historike
Në momentin kur menduam se politika antishqiptare sllavo-shovene do të mbizotërohet nga e vërteta historike, realiteti shoqëror e vetëdija njohëse shkencore dhe mësimet nga e kaluara, marrëdhënie të një mirëkuptimi të ndërsjellë ndërnacional për vendosjen e paqes së drejtë në Ballkan, ngren krye përsëri politika e vjetër nxitëse e urrejtjes ndaj shqiptarëve. Kjo është e papranueshme, prandaj edhe e dënojmë si një akt luftënxitës, hegjemonisto-shovenist. Kërkojmë që Enciklopedia të tërhiqet. Njësia për shqiptarët të ribëhet. Të shkruhet nga kompetentët shqiptarë, etj., duke respektuar parimet e kriteret shkencore, të vërteten historike dhe realitetin shoqëror e jetësor.
Lidhja Demokratike në Mal të Zi, anëtarët e saj – shqiptarët në trojet e veta shekullore, sot në Malin e Zi, me shqetësim e indinjatë mësuan për provokimet e reja që solli Enciklopedia Maqedone, një botim luksoz e skandaloz, që këto ditë doli nga shtypi nga MANU (Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Maqedonisë), nën redakturën e „akademikut“ e „shkencëtarit“ Blazhe Ristevski dhe bashkëmendimtarëve të tij të njohur e të dëshmuar edhe në të kaluarën për antishqiptarizëm në Maqedoni.
Në këtë botim, që pretendon të jetë dokument historik për gjeneratat e ardhshme, që në fillim, në shkronjën A, në njësinë për shqiptarët, shpërthen dufi e mllefi antishqiptar, duke i fyer shqiptarët dhe shtrembëruar e falsifikuar historinë shqiptare. Njësia është plot me interpretime keqdashëse dhe deformime të qëllimshme të fakteve historike të autoktonisë dhe prejardhjes së shqiptarëve. Shqiptarët në Enciklopedi paraqiten me emra të ndryshëm, si „arbanasi“, „arnauti“, madje „shiftari“ dhe „pllaninci“ (malokë, popull i pacivilizuar, që vjen mali, popull primitiv, me fjalë të tjera popull i egër…) që kanë zbritur nga malet, nga veriu i Shqipërisë dhe me ndihmën e bandave të kaçakëve janë vendosur në trojet maqedone duke dëbuar me dhunë popullsinë maqedone autoktone.
Sipas tyre, kjo ka ndodhur pas shekullit XVI – XVIII. Pra shqiptarët nuk janë autoktonë, ata janë ardhacakë, madje kaçakë, plaçkitës e uzurpues… Pastaj Ali Pashë Tepelena përmendet si personi që ka mundësuar vërshimin e shqiptarëve, etj., etj.
Këto të pavërteta e fyerje pa mëdyshje janë shqetësuese për shqiptarët, e jo vetëm për ne, kur dihet se krejt këto thuhen e shkruhen në këtë enciklopedi „shkencore“ që doli nga organi më i lartë shtetëroro-shkencor i Maqedonisë.
Lidhja Demokratike këto shtrembërime e falsifikime të historisë shqiptare nga sllavo-maqedonasit i vlerëson si sulm ndaj të vërtetës shkencore e historike dhe si një nga tentativat, tashmë të njohura e të vonuara të shtrëmbërimit të historisë për qëllime të brendshme politike, me qëllim homogjenizimi e manipulimi të popullatës maqedonase, tashmë të dëshmuara nga kuzhinat politiko-shtetërore hegjemoniste e shoviniste sllave.
Zotërinjtë „shkencëtarë akademikë“ duhet të dinë se historinë shqiptare nuk mund ta shkruajnë më ashtu siç janë mësuar, sipas shijeve e nevojave të tyre politike hegjemoniste. Sepse historia e popullit shqiptar tashmë është e qartë, e dëshmuar dhe e konsoliduar, megjithëse shqiptarët ende edhe sot, në trojet e veta, jetojnë nëpër disa shtete.
Zhvillimi historik i gjuhës shqipe jep dëshmi të pakontestueshme për praninë e vazhdueshme të faktorit shqiptar në trojet ku shqiptarët sot banojnë e jetojnë. Ndërsa marrëdhëniet gjuhësore në këto hapësira tregojnë qartë për dyndjet sllave dhe vendosjen e tyre në Ballkan në mesjetën e hershme. Pastaj shkenca historike dhe arkealogjike ka dhënë fjalën e vet të qartë për Maqedoninë e sotme se ajo nuk ka të bëjë me Maqedoninë antike, pastaj për popullsinë e sotme maqedonase, etj. etj.
Prandaj edhe ne ngrisim zërin lart dhe vendosmërisht kundër këtyre deformimeve të qëllimta, për të mbrojtur dinjitetin e nëpërkëmbur nga këto pseudoshkencëtarë. Në momentin kur menduam se politika antishqiptare sllavo-shovene do të mbizotërohet nga e vërteta historike, realiteti shoqëror e vetëdija njohëse shkencore dhe mësimet nga e kaluara, marrëdhënie të një mirëkuptimi të ndërsjellë ndërnacional për vendosjen e paqes së drejtë në Ballkan, ngren krye përsëri politika e vjetër nxitëse e urrejtjes ndaj shqiptarëve. Kjo është e papranueshme, prandaj edhe e dënojmë si një akt luftënxitës, hegjemonisto-shovenist. Kërkojmë që Enciklopedia të tërhiqet. Njësia për shqiptarët të ribëhet. Të shkruhet nga kompetentët shqiptarë, etj., duke respektuar parimet e kriteret shkencore, të vërteten historike dhe realitetin shoqëror e jetësor.Është koha e fundit që shkencëtarët dhe politikanët shqiptarë të gjejnë vetveten dhe vendin që iu takon.

Mehmet Bardhi
Koha Javore