Intervistë me biznesmenin e njohur shqiptaro-amerikan Ekrem Bardha

October 12, 2009   | Intervista / Intervju

EKREM BARDHANdihem kryelartë që pata rastin të vizitoj Malësinë.
Ekrem Bardha u lind në vitin 1933,në Radanj të Leskovikut, Në moshën 19 vjeçare arratiset nga Shqipëria me nënën dhe dy vëllezërit e tij për shkak të keqtrajtimit që i bënte regjimi komunist familjes së tij.Për 38 vjet rresht atë nuk e lejojnë të hyjë në Shqipëri, të cilën e viziton për herë të parë pas arritjes së demokracisë në këtë vend. Është njëri ndër personazhet e dalluara të diasporës shqiptare dhe i cili pati gjithënjë korrespodencë të rregullt me autoritetet pothuajse më të larta të administratës Amerikane. Ka botuar librin ” Afër dhe larg Shqipërisë “, në të cilin ka përmbledhur disa nga kujtimet dhe përvojat e veta që nga arratisja nga Shqipëria e deri suksesin e arritur në SHBA. Ai, fundjavën e kaluar, për herë të parë vizitoi Malësinë,me ç’1rast Qendrës pastorale në Tuz i dhuroi një donacion prej 10 mijë dollarësh amerikanë.

Koha Javore: Është hera e parë që vizitoni këto treva, në vendëlindjen e shumë miqve dhe të njohurve tuaj.Cilat janë përshtypjet tuaja të para gjatë qendrmit këtu, në Malësi?
E.Bardha: edhe në disa intervista tjera e kam thënë se kaherë kam dëshiruar të vizitoj këtë vend dhe jam tepër i kënaqur për vizitën time këtu në mesin tuaj, jo vetëm me pritjen që është traditë e shqipëtarëve, por edhe për kontributin që kanë dhënë bashkatdhetarët tonë që jetojnë në Amerikë, në Detroti, ku jetoj edhe unë. Aty kam shumë shokë, miq, bashkëpunëtorë dhe aktivistë, pjesa më e madhe e të cilëve vjen pikërisht nga Malësia e Madhe.

Koha javore: I përmendët bashkëvendasit tonë në SHBA, ku jeton pothuajse një Malësi e tërë dhe që janë mjaft të suksesshëm në lëmi të shumta të jetës?
E.Bardha: Ne aty jemi përqendruar të punojmë, të merremi me veprimtari të shumta dhe në biznes ku dëshirojmë të kemi sa më shumë sukses. Disa mendojnë se suksesi më i madh është për të qenë sa më i pasur por unë nuk jam i këtij mendimi, sepse shumë bashkatdhetarë ton nga ky vend kanë fituar shumë pasiqë janë punëtorë të mirë dhe të vyeshëm. Sukses do të thotë që të jesh i vendosur në disa parime kombëtare, për zgjidhjen e problemeve sepse ne si popull kemi patur shumë probleme por sot mund të themi se kemi arritur sukses , jo plotësisht por kjo është bërë me sakrifica. Sukses, unë e quaj atë që kemi arritur me pavarësinë e Kosovës; sukses është ajo që shqiptarët ,mund të themi se jemi në vendin e dytë pas Izraelitëve, me kontributin e dhënë në shumë lëmi dhe falë miqësisë me palën amerikane kemi arritur që sot të kemi një Koosvë të pavarur.

Koha Javore:
Gjatë qëndrimit Tuaj këtu në Malësi, vizituat institucione të shumta kulturore, fetare, arsimore , pastaj pushtetin vendor në Komunën Urbane të Tuzit dhe u pritët nga drejtuesit e të gjitha këtyre institucioneve. Cilat janë përshtypjet tuaja, si e vlerësoni Ju gjendjen në bazë të njohurive që i fituat gjatë këtyre vizitave?
E. Bardha: unë kam qenë gjithëherë në kontakt dhe i intersuar për probelmet e shqiptarëve në Mal të Zi, por të jam i sinqert, ka më tepër probleme se sa unë e kam menduar.Nga ana tjetër,kuptoj diçka që, për shembull, në Amerikë, janë dy parti , Republikane dhe ajo Demokrate. Këtu nga bisedat që kam bërë më duket janë gjashtë- shtatë parti. Kjo për mua do të thotë që, edhe pse demokracia e re i lejon, i pranon , por këtu kuptoj diçka që po ju them se këto parti me një minoritet të vogël , pasiqë pjesa më e madhe e banorëve shqiptarë janë shpërngulur, një pjesë kanë braktisur vendlindjen dhe jetojnë jashtë atëdheut , vijnë në përplasje me njëra tjetrën, në kundërshtim me njëra tjetrën, armiqësohen me njëra tjetrën dhe mënyra e këtillë e nuk mund të jetë efektive për të fituar të drejtat që ju takojnë.
Nga ana tjetër do të dëshironja që t’u them bashkatdhetarëve për nevojën e dialogut.Pra duhet ta dimë se duhet të ulemi e të bisedojmë. Ky është parimi i demokracisë dhe ajo që unë kam mësuar në Amerikë.
Gjatë vizitës sime këtu në Tuz, e ndiej në vehte se kam realizuar diçka sepse edhe me ata që ndoshta i quajmë kundërshtarë kemi biseduar , jemi ulur në një tavolinë dhe këtë e quaj shumë pozitive.Mesaazhi im është që politikanët të mësojnë nga demokracia e SHBA-së, dhe atë ta zbatojnë këtu.

Koha Javore: Ju, gjatë vizitës pushtetit vendor në Komunën Urbane të Tuzit u njohët me mënyrën e funksionimit dhe problemet e saj. Në radhë të parë me moskënaqsësinë e pushetit lokal me statusin e kësaj treve si Komunë Urbane duke insistuar në vetëqeverisje të plotë lokale.Në anën tjetër, kemi edhe opcionin i cili konsideron se zgjidhja aktuale ,për momentin është më e mirë. Cili është opinioni juaj ,në bazë të bisedimeve të zhvilluara me përfaqësusesit politikë nga kjo trevë?
E.Bardha: Unë gjithmonë e shikoj intersin e përgjithsshëm të shqiptarëve dhe nga ky kënd jap opinionin tim. Unë, bie fjala vij nga krahina e Kolonjës, Leskovik në Shqipëri. Kryetari i Ersekës të Kolonjës, ka marrë mndatin dy herë nga katër vite në pushtet dhe e di që ka të drjeta dhe kompetenca të plota. Këtu më bëri përshtypje një situatë ndryshe edhe gjatë bisedimeve me kryetarin e Komunës Urbane të Tuzit, z. S. Çunmulaj, nga i cili duke kërkuar më shumë sqarime në disa raste më tha se nuk ka kurrfarë kompetencash. Këtë unë s’mund ta kuptoj, pasi që ai me votat demokratike ka fituar mandatin të ushtrojë pushteitn. Tuzi duhet të jet një qytet, Komunë. Këtë të drejtë e ka fituar. Unë mendoj se duhet të ketë atë që i takon dhe nuk i është dhënë kjo e drejtë.

Koha Javore:
pa investime nga jashtë nuk mund të ketë zhvillim adekuat të ndonjë treve, kudo qoftë. Ithtarët e opcionit për komunë të plotë, pra ata që angazhohen për ndryshimin e statustit aktual, pohojnë se një komunë e tillë do të ishte më joshëse për investuesit ,në radhë të parë përbashkëvendasit tonë të cilët kanë mundësi, dëshirë e vullnet të investojnë në vendëlindjen e tyre. Cili është mendimi juaj?
E. Bardha: Me sa e kuptoj çfarë po thoni kjo është shumë pozitive , por nëse themi se duhet të investojnë, të vijnë investuesit e huaj, atëherë ai don garanci për investimet e veta. Çfarë garancie i jep pushteti ,kjo komunë. Edhe vetë kryetari pohon se unë skam kapacitet për një gjë të tillë. Nga ana tjetër , po ju them edhe një gjë që i thash edhe Kryetarit, në bisedë këtu me bashkatdhetarët. Unë kam, si hobi mund të them, në Shqipëri, afër Tiranës, një vreshtë të cilën e kam investuar dhe jam pronar i saj nga e cila prodhoj verë. Vura re që këtu është një vreshtari e paparë, sikur të isha në Itali apo ndonjë vend tjetër të njohur për këtë veprimtari. Pyetja lindë: kush janë pronarët e vreshtave këtu. Kjo është një pasuri e madhe. Kjo pasuri është në pronësi të shtetit dhe ata e kanë në dorë. Kjo do të thotë të kesh çelësat në dorë por smund të hysh brenda.

Koha Javore: Z. Bardha, Ju jeni i njohur në qarqet e biznesit në Amerikë,por ajo që është në interesin e bashkëkombasve Tuaj, është fakti se ju kini përfituar shumë miq ,për një periudhë të gjatë në strukturat më të larta të administratës Amerikane.Në veçanti në momentet kur popullit shqiptar i nevoitej përkrahja maksimale e opinionit të gjërë botëror.Cila është formula e suksesit të këtillë e një shqiptari i cili emigron nga atdheu para afro 60 vitesh dhe ka arritur të sigurojë miq kaq të mëdhenj me interes kombëtar?
E. Bardha: Kur e mendoj edhe unë vetë këtë pyetje që ju më bëtë, vlerësoj se kjo ka ardhur gradualisht dhe e papritur, ju them sinqerisht. Këtë e them që të mos keqkuptohemi. Natyrisht unë nuk jam vetëm. Ka qindra dhe mijëra shqiptarë, aktivistë të rinj të cilët janë aktivizuar për çështjen shqiptare. Nëse kjo pyetje bëhet direkt për mua, mund të them diçka shumë interesante.Babai im ka lindur në Konicë ,nga na kanë larguar grekët me dhunë siç është gjithë historia e Çamëve. Megjithatë vij nga Shqipëria ,nga zona e Kolonjës, Leskovik. Në vitin 1966, jamë larguar nga Shqipëria,nga diktatura komuniste, me familje, nënë e me vëllezërit dhe në fund arritëm në SHBA. Aty punuam dhe patëm sukses në punën tonë. Këtë të drejtë, Amerika u jep të gjitha kombeve , të gjithë popujve sepse ajo kështu është krijuar,është fati i të gjithëve që u jep Amerika.

Koha Javore: Edhe Ju vetë më pohuat se fillimisht u interesuat për problemet e shqiptarëve kudo që ishin, duke kontaktuar emra të njohur, intelektualë shqiptarë në vende të ndryshme të botës?
?. Bardha: Që nga viti 1966,kam takuar emra të shumtë dhe të njohur shqiptarë në vende të ndryshme, dhe gjithëherë i pyesja ata se çdo të bëhet me shqipërinë. A do të kthehemi më në Shqipëri. Mirëpo, shumë nga ata më flisnin për Kosovën, edhe pse nuk e kisha aq të njohur këtë çështje. Kështu, pata një rast nga një udhëtim në Francë kur një profesor Shqiptar, më tha se të gjithë shqiptarët duhet të angazhohen rreth çështjes së Kosovës. Kur u ktheva në Amerikë , në profesionin tim si berber , në sallonin tim, vinin njerëz me shumë rëndësi, si psh, Vilijam Brumfilld ,kongresisti amerikan, shumë i rëndësishëm në Kongres si kryetar i Dhomës për Politikë të Jashtme në Kongresin Amerikan, pastaj senator dhe kongesistë të shumtë.Kështu fillova miqësinë me ta duke u thënë realitetin. Sepse amerikanët nuk duan gënjeshtra. Kur ata të besojnë, bëjnë çështë e mundur për ty dhe të ndihmojnë deri në fund.Kështu, bisedonja me kongresistin Brumfilld, sepse ai kishte bërë disa deklarata në Kongesin amerikan lidhur me këtë çështje.Madje edhe kolegët i tij i thonin: “Mos je i çmendur,kush është Kosova” sepse nuk dinin shumë për të. Pra, kongresisiti Amerikan, Brumfilld edukon kolegët e tij, flasim për vitet prej 1970 deri në 1980.Më kujtohet kur dhash një intervistë për “Zërin e Amerikës”, kur shpërthyen demonmstratat në Kosovë, dhe fola për të drejtat e njeriut në këtë vend. Por ne kemi bërë shumë sakrifica duke vënë edhe jetën në rrezik sepse ish Jugosllavia ka qenë një shtet mjaft i privilegjuar nga Amerika dhe mbështetur nga administrata amerikane.UDB-ja ishte shumë aktive në Amerikë dhe vepronte për ti përçarë shqiptarët dhe për ti frikësuar ata.
Jo vetëm unë, por qindra shqiptarë u aktivizuam, punuam dhe sakrifikuam duke kuptuar se në fushtata parazgjedhore, për kongresistë e deri në presidentin amerikan duhet përkrahur, madje edhe me financa. Kështu filloi miqësia, jo unë vetëm si Ekrem Bardha, por qindra shqiptarë nga diaspora. Këtë na e mundësoi demokracia Amerikane dhe nuk deshtëm ta humbim rastin për të fituarë miq. Kuptuam se duhet të japim edhe kontributin tonë financiar, gjë që është shumë reale dhe e njohur. Kështu filluan ato lëvizjet tona dhe kontaktet që rezultuan me këtë që kemi sot kur flasim për Kosovën ,si shtet i pavarur.

Koha javore: Ndërkohë, gjatë gjithë kësaj periudhe kanë ndodhur ndryshime të mëdha, madje me përmasa globale, mbarëbotërore. Ngjashëm edhe në vendet e rajonit dhe tokat shqiptare. Sot, kemi një Kosovë të pavarur, pastaj një Shqipëri, e cila ka arritur të jetë edhe anëtare e plotë e NATO-s, në rrugën drejt integrimeve euro-atlantike. Mirëpo,më intereson , nga këndëvështrimi Juaj, si e shihni ju perpsektivën e popullit shqiptar, pavarësisht se ku jetojnë?
E. Bardha: Të më thoshte dikush para 20-30 viteve se do të ndodhë kjo, të kemi një Shqipëri në NATO, do ti thonja “ti sje në rregull, sdo ta përjetoj këtë”. Andaj, kemi arritur një sukses që ne nuk mund ta imagjinojmë. Pra, sot me një shqipëri në NATO, me shpres se së shpejti do të hyjë edhe në bashkimin Evropian, pastaj me një Kosovë të lirë dhe të pavarur, me shpresë se do të gëzojmë të gjitha të drejtat si çdo popull, kudo që jetojmë. Sepse , ne si shqiptarë, historikisht asnjëherë nuk kemi qenë agresorë, nuk kemi sulmuar askë ,por gjithmonë ishim të detyruar të luftojmë për liri.

Bisedoi Gjokë Dukaj
Koha Javore


2