Ulqin Biznes Asociacioni prezantoi rezultatet e anketës mbi sezonin turistik veror në Ulqin

October 12, 2009   | Turizmi / Turizam

Ulqin Biznes AsociacioniSezoni mesatar, të ardhurat më të vogla
Ulqin – Sezoni turistik në Ulqin ka qenë mesatar, ndërsa të ardhurat kanë qenë më të vogla, tregojnë rezultatet e anketës së realizuar nga Ulqin Biznes Asociacioni, të cilat u prezantuan të premten në një konferencë për shtyp.
Rreth 56 për qind e të anketuarve janë shprehur se sezoni ka qenë mesatar, 40 për qind jo i suksesshëm, ndërkohë që vetëm katër për qind e cilësojnë atë të suksesshëm.
Sa i përket të ardhurave, 71 për qind e të anketuarve kanë thënë se ato kanë qenë më të vogla në krahasim me vitin e kaluar, ndërsa vetëm 7 për qind janë shprehur se kanë pasur rritje të të ardhurave.
Shkak kryesor për sezonin jo të suksesshëm, të anketuarit kanë theksuar krizën financiare, ndërsa mangësia më e madhe është vlerësuar infrastruktura e dobët, pas së cilës renditet mungesa e kapaciteteve të fjetjeve – hoteleve.
Nga të dhënat e UBA-s rezulton se struktura e shfrytëzimit të kapaciteteve banuese të Ulqinit është mjaft e papërshtatshme.
“Kapacitetet kryesore të banimit – hotelet përbëjnë vetëm 8 për qind, kurse sektori privat merr pjesë me 88 për qind. Këto tregojnë për njërën prej mangësive më të mëdha të prodhimit turistik të Ulqinit, e ky është numri i vogël i hoteleve”, kanë thënë në UBA.
Qëllimi i anketës ka qenë identifikimi i problemeve dhe barrierave me të cilat ballafaqohe sektori privat dhe ai afarist, rezultatet e arritura në sezonin turistik, vlerësimet e tyre mbi cilësitë dhe dobësitë e Ulqinit si destinacion turistik.
Në anketë kanë marrë pjesë përfaqësues të sektorit privat që japin shtëpi me qira gjatë sezonin turistik dhe përfaqësues të sektorit të biznesit në Ulqin.

I.Kallaba
Koha Javore

YouTube Preview Image