Prof. Dr. Simë Dobreci: Dijetar i përmasave kombëtare

October 19, 2009   | Kulturë / Kultura

Prof. Dr. Simë DobreciTë gjithë folësit vlerësuan rolin dhe kontributin e prof. Dobrecit jo vetëm në fushën e dermatologjisë dhe mjekësisë, por edhe në fushën e arsimit, kulturës dhe mjaft fusha të tjera. Ata e vlerësuan dr. Simën jo vetëm si intelektual, por edhe si humanist, si njeri që me punën e vet ka ndërtuar një shembull për të tjerët dhe ka merituar respektin e të gjithëve.

75 vjetori i lindjes së Prof. Dr. Simë Dobrecit ka grumbulluar të shtunën në Bibliotekën e Qytetit në Ulqin miq dhe kolegë të tij, dashamirë të kulturës dhe të artit, në një mbrëmje të organuzuar nga Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi dhe Qendra e Kulturës së Ulqinit.
Me këtë rast u bë edhe promovimi i botimit të katërt të librit të tij “Dermatologjia”, botim i plotësuar dhe i përmirësuar.
Të gjithë folësit vlerësuan rolin dhe kontributin e prof. Dobrecit jo vetëm në fushën e dermatologjisë dhe mjekësisë në përgjithësi, por edhe në fushën e arsimit, kulturës dhe mjaft fusha të tjera. Ata e vlerësuan dr. Simën jo vetëm si intelektual, por edhe si humanist, si njeri që me punën e vet ka ndërtuar një shembull për të tjerët dhe ka merituar respektin e të gjithëve.
Prof. Dr. Ruzhdi Ushaku tha se prof. Dr. Simë Dobreci është një dijetar i përmasave kombëtare.
“Me dijen dhe përgatitjen e tij solide teorike dhe praktike ka formuar me dhjetra gjenerata studentësh, asistentësh, mësimdhënësish të cilët kanë treguar respektin më të lartë për Simën si profesionist i nivelit të lartë dituror, shkencor, pedagogjik, por edhe për Simën si njeri i kulturës në kuptimin e përgjithshëm dhe njeri, burrë i dheut në kuptimin më të mirë dhe më të plotë të fjalës”, tha ai.
Prof. Ushaku vlerësoi ndër të tjera edhe kontributin e Dobrecit për botimin e revistës “Buzuku”.
“Ajo, për mendimin tim, ka qenë dhe mbetet ndër revistat më të qëlluara, më të dobishme, më kuptimplote, në rend të parë për lexuesit shqiptarë në Mal të Zi por edhe më gjerë. Ajo ka qenë dhe mbetet tribunë, tryezë e fjalës artistike, historike, shkencore, e fjalës burimore buzukiane, folklorit popullor, tribunë e dijes dhe e shijes së dijetarëve, përkatësisht krijuesve eminentë. Dhe jo vetëm të tyre, por edhe të atyre të tjerëve që Sima i ka nxitur, inkurajuar edhe me shembullin e tij personal, që të mbledhin apo gjurmojnë, prezantojnë thesarin kulturor vendor, shpesh në mënyrë autentike, në gjuhën arkaike, burimore të trevës së Shestanit dhe të trevave përreth”, tha ai.
Kryetari i Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi, prim. dr. Gani Karamanaga nënvizoi ndër të tjera aspektin humanist të punës së prof. Dobrecit.
“Gjatë vuajtjeve të popullit shqiptar në Kosovë, shumë mjekë e kanë shfrytëzuar këtë për t’u pasuruar, ndërsa dr. Simë Dobreci me disa mjekë të tjerë ka qenë në nivelin e lartë të betimit të Hipokratit. Ai është pasuruar vërtetë, por vetëm me bamirësi, korrektësi dhe dashuri të madhe për pacientët e tij”, tha ai.
Sipas Karamanagës, profesor Simë Dobreci është një figurë, personalitet të cilin e respektojnë të gjitha gjeneratat. Ai vlerësoi edhe punën e prof. Dobrecit në drejtimin e revistës mjekësore “Praxis Medica”, të cilën ai e ka drejtuar për një kohë, duke e cilësuar si “kryeredaktorin më të suksesshëm të saj”.
Duke folur për botimin e katërt të tekstit “Dermatologjia”, ai tha se ky tekst përdoret në të gjitha fakultetet në hapësirën shqiptare, por “me një mirëkuptim më të madh, me siguri ky tekst e ka vendin edhe në universitetet e tjera joshqipfolëse”.
Gazetari dhe publicisti Gjekë Gjonaj e cilësoi prof. Simë Dobrecin si personalitet të nderuar të mjekësisë shqiptare.
“Betimin e Hipokratit dr. Sima e kishte rrënjosur mirë në kokë. Dhe të tillë e ruajti figurën e tij si mjek dhe si njeri. La mangut kohën e gjumit, të pushimit dhe të çlodhjes, e privoi veten nga shumë gjëra të tjera që njeriu dëshiron të provojë në jetë, duke i kthyer ato të gjitha në shërbim të jetës së njerëzve. Në këtë rast ai u bë shembull, duke përfaqësuar me shumë dinjitet njeriun idealist dhe mjekun me shpirt të madh”, tha Gjonaj.
Ai po ashtu tha se dr. Dobreci përbën një misionar të përkushtuar ndaj çështjes kombëtare.
SIMË DOBRECI“Gjatë miqësisë sime me dr. Simë Dobrecin kuptova se ai nuk është vetëm ndër personalitetet e rralla në fushën e dermatologjisë, por është edhe një patriot e atdhetar i palëkundur, një misionar i përkushtuar i çështjes shqiptare”, tha Gjonaj.
Udhëheqësja e Bibliotekës së Qytetit në Ulqin, Ardita Rama, tha se prof. Dr. Simë Dobreci edhe kur jetoi në Kosovë nuk e harroi kurrë vendlindjen.
“Megjithë praninë dhe angazhimin e tij në Kosovë, dr. Sima asnjëherë nuk e harroi vendlindjen. Edhe kur ishte në Prishtinë ai asnjëherë nuk ishte i harruar as në Krajë, as në Ulqin e as jashtë”, tha ajo.
Rama theksoi se botimi i tekstit “Dermatologjia” dëshmon “punën e tij të palodhshme prej studiuesi të njëmendtë i cili në kohën më të nevojshme për shkencën e mjekësisë shqiptare hartoi këtë tekst”.
Shkrimtari Hajro Ulqinaku i cili drejtoi mbrëmjen, gjatë fjalës së tij, shpjegoi se si lindi ideja për organizimin e saj.
Ai po ashtu lexoi kumtesën e prof. Dr. Mentor Dishës mbi librin “Dermatologjia”, i cili e vlerëson atë si “libër me vlerë të madhe shkencore teorike dhe praktike”.
“Gjatë plotësimit të tekstit, autori ka angazhuar edhe bashkëpunëtorët e tij, me çka si pedagog i mirëfilltë ka përcjellë përvojën e tij të çmueshme te pedagogët e ardhshëm të dermatologjisë, përvojën e tij se si shkruhet një tekst universitar. Përshkrimi i njohurive të reja diagnostifikuese dhe mjekuese është në përshtatje me ndryshimet e reja në fushën e dermatologjisë. Autori ka arritur të na japë një tekst me atribute që përbëjnë vlerën e një cilësie të lartë”, vlerëson ndër të tjera Disha, sipas të cilit, “librit ia rrit vlerën mënyra e kuptueshme e të shkruarit, terminologjia profesionale kryesisht e shqipëruar”.
Vetë prof. Dr. Simë Dobreci në fjalën e tij falëndero organizatorët dhe gjithë të pranishmit e mbrëmjes.
Ai foli për rrugën e botimit dhe ribotimit që ka ndjekur libri “Dermatologjia”.
“Puna me tekstet shkollore, universitare është si puna e Sizifit. Pra, përsëri është dashur të filloj ta shkruaj atë për arsye të informacioneve të reja”, tha ai.
Në fund të mbrëmjes, prof. Dr. Simë Dobrecit iu dha Mirënjohje nga Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi “për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë kulturës, artit dhe shkencës kombëtare”.
Atij po ashtu me këtë rast iu dhuruan dy piktura, njëra e piktorit Rudi Goga, dhuratë e Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin, kurse tjetra e piktorit Mehmet Aloja, dhuratë e Shoqatës së Artistëve Figurativë të Ulqinit, si dhe një fotografi artistike nga fotografi Gazmend Çitaku.

I.Kallaba
Koha Javore

4