Elvana Gjata, pasionet e kengetares dhe elektrizimi ne skene

October 21, 2009   | Lajmet / Vijesti

Elvana Gjata.1Të gjithëve na ka rastisur të paktën një herë, që ta dëgjojmë dhe të ndiejmë energjinë e interpretimeve të saj. Skena e elektrizon Elvanën, sa herë që “etheistes” të dikurshme i duhet të interpretojë. Dashuria më e madhe përveç motrës dhe familjes, natyrisht që mbetet kënga. Siç tashmë e keni kuptuar, personazhi i kësaj jave në suplementin “Albania Weekend” është Elvana Gjata. Këngëtarja e ka pranuar ftesën e gazetës për të folur mbi jetën e saj; dëshirat dhe pasionet, marrëdhënien me prindërit, dashurinë e parë, emocionet e skenës, hobet, preferencat, planet për të ardhmen… Elvana, përveç këngës vazhdon edhe studimet për regjisurë, ku shpreson të ecë para. Gjithashtu, jemi përpjekur të zbulojmë diçka nga karakteri i saj, pa harruar ta lidhim këtë me mënyrën e të veshurit dhe stilin e këngëtares simpatike. Vajza e nënkolonelit Fatmir Gjata nuk i ka shumë përzemër uniformat, ndonëse ajo ka bërë edhe një klip me uniforma sportivo-ushtarake. Sipas Elvanës, buzëqeshja që e karakterizon atë në çdo moment, nuk para shkon me seriozitetin e uniformës ushtarake e policore… Ndërsa kur e pyesim Elvanën mbi sensualitetin në skenë, përgjigja është e shkurtër dhe e zgjuar: Një këngëtare duhet të ketë stilin dhe vokalin e mirë!

Elvana, le ta nisim këtë bisedë me kujtimet. Si ka qenë fëmijëria tënde duke qenë se je rritur në një shtëpi ushtaraku?
Kam kaluar një fëmijëri shumë të bukur, jo vetëm me dashuri dhe harmoni në familje por dhe me disiplinën e mjaftueshme për një formim të mirë.

Me cilin nga prindërit ke pasur lidhje më të ngushtë?

Ndonëse me mamin flas më hapur, babin e kam pikë të dobët…

Cila ishte marrëdhënia me babain tënd, nënkolonel Fatmir Gjatën?
Im atë ka qenë dhe është një prind që di të ndërthurrë rreptësinë e një ushtaraku me tempin e një njeriu mjaft gazmor dhe të dashur. Kur isha e vogël nuk kishim ndonjë marrëdhënie të ngushtë por tani jemi afruar shumë.

Ke marrë ndonjëherë, një shuplakë prej tij, për të cilën më pas është penduar?
Si fëmijë i lëvizur dhe i shkathët që kam qenë, kam ngrënë ndonjë të vockël, (qesh) por babi gjithmonë më qortonte më tepër me shikimin dhe fjalën e tij.

Të kemi parë të zgjedhësh për paraqitje në publik edhe uniforma tip sportive-ushtarake. Kjo ka të bëjë më tepër me rrymën që këndoje apo i dashuron uniformat?
Ka të bëjë më tepër me stilin e veshjes. Atëherë kështu ishte moda.

Amerikanet parapëlqejnë uniformat, sidomos ato të marinsave e të pilotëve, po ti?
Nuk kam ndonjë preferencë në veçanti.

E ke menduar ndonjëherë sikur të ishe ushtarake ose police?

Bo bo… Nuk më shkon fare. Pastaj, buzëqeshja që më karakterizon nuk më favorizon në asnjë prej këtyre profesioneve.

Me motrën, Migenën, a vazhdon të mendosh për bashkëpunime?

Për mua, ajo është gjëja më e shtrenjtë në botë. Kam shumë dëshirë që ta bëj një këngë me të por s’di kur do ta realizoj sepse kam një mori projektesh përpara.

Je shprehur se ke dobësi për të, një lidhje të fortë afeksionale dhe e ke idhull. Kur ka qenë momenti më i vështirë që motra të ka qëndruar pranë dhe si të ka ndihmuar?
Kam kaluar shumë momente të vështira, qofshin personale apo profesionale. Ajo ka ditur të më qëndrojë afër në mënyrën më të mirë të mundshme.

Vazhdon të flesh me macen?
Ajo vazhdon të flejë me mua… (Qesh) E dua shumë macen pasi është një antistres i mirë.

Si e ka emrin?
Milka, sepse është e embël si çokollatë. Është komplet e bardhë, racë persiane.

Po kafshë tjetër, a të pëlqen të mbash?

Kafshë tjetër nuk kam por do doja te mbaja edhe një zog e njady peshq të vegjël.

Tatuazhet kanë qenë një nga hobet e tua. Kemi ndonjë tjetër të re?

Kanë qenë dikur por tani jo dhe aq, megjithatë, nuk do të ishte çudi po të më shikonit me një kryq të madh në shpinë…

Nuk të shkon ndonjëherë në mendje se mund të pendohesh për një tatuazh që e bën dhe të vuash për ta fshirë nga trupi?
Jo, deri tani kjo nuk më ka ndodhur.

Je shprehur se modën nuk e ndjek por e krijon vetë. Si duhet kuptuar kjo, që ke vetvlerësim të madh, talent apo ndoshta dhe pak egoizëm?
I përshtatem tendencave dhe në të njëjtën kohë, mundohem që të bëj modë me imazhin dhe stilin tim të muzikës. Sa për veshjet, ia kam besuar njërës prej stilisteve më të mira në Shqipëri, siç është Jona Muça.

Si ka evoluar deri tani marrëdhënia tënde me Florin dhe Getoarin?

Me Florin gjithmonë e më mirë; ai vazhdon të më menaxhojë, ndërsa me Getoarn kam pasur thjesht një bashkëpunim. Ai vazhdon karierën e vet dhe unë timen.

A janë bërë ndonjëherë xhelozë për njëri-tjetrin ata, sa i takon kohës që kalonin me ty?
Për çfarë të bëheshin xhelozë?!…

Po ti vetë, a je ndopak xheloze si natyrë?

E kam xhelozinë në vija normale.

Po sa i takon partnerit, çfarë do t’i lejoje dhe deri ku do t’ia caktoje limitet.
Varet.

Kthehemi pak pas në kohë; si e mban mend hyrjen në “Ethet…”?
O Zot sa e vogël! Janë emocione të jashtëzakonshme dhe të paharrueshme…

Emocionet, ndrojtja, mendimet naive të asaj kohe… Nuk të duket vetja pak qesharake kur e mendon?

Mendoj se kanë qenë gjëra normale për moshën që kisha.

Kush ka qenë dashuria e parë platonike për Elvanën?
Nuk e mbaj mend; një djalë shumë i mirë në mësime…

Mendon se një këngëtare duhet të jetë patjetër sensuale në skenë?

Në radhë të parë, një këngëtare duhet të ketë patjetër stil dhe vokal të mirë.

Cila nga pjesët e trupit të pëlqen më shumë?

Brryli. (Qesh)

Po më pak?

Gjuri.

Do të ishe gati që të bëje një ndërhyrje kirurgjikale, kur me kalimin e viteve të shfaqen rudhat?
Jo. Më pëlqen natyrshmëria.

Je shprehur se lexon shumë. Çfarë ke në duar tani?

Vëllimin e dytë me novela të Stefan Cvajgut.

Do të doje të ishe në vend të dikujt tjetër?
Ndihem mirë me jetën që bëj.

A do të ishe gati një ditë, që të bëje një libër kujtimesh dhe t’i shkruaje të gjitha përvojat si kanë ndodhur në të vërtetë?

Jo. Gjithçka dua ta mbaj të mbyllur në memorien time.

Si ndihesh kur këndon; euforike, apo je më shumë në ankth?

Është një ndërthurrje emocionesh që më elektrizon.

Po të kënduarit në vetvete, çfarë sinjifikon për Elvanën?

Një dashuri e veçantë…

Mendon se e ke gjetur dashurinë e jetës tënde?

Më lër dhe pak kohë dhe pastaj do të përgjigjem!

Dashurinë, si do ta përcaktoje?

Dhurata më e bukur që të jep Zoti.

Ka përparësi zemra apo mendja në vendimet e tua?

Varet…

I beson intuitës?
Po

Po miqve?
U besoj shumë.

Rasti më i hidhur kur jeni zhgënjyer nga dikush?

Ka pasur, po nuk ja vlen që t’i përmend.

Në një jetë tjetër, do të doje të ishe kafshë, shpend, insekt apo peshk?

Zog.

Të pëlqen vera e kuqe?

Jo, më pëlqen e bardha

Je romantike?
Shumë.

Ke përgatitur ndonjëherë një mbrëmje intime nën dritën e qirinjve?

Po ti, a ke përgatitur ndonjëherë kek me mollë?

Çfarë vendesh frekuenton më shpesh?
Vendet e qeta.

A di të gatuash ndopak apo kulinaria nuk hyn në pasionet e tua?
Gatuaj mrekullisht mirë.

Mendon se një ditë do të jesh gruaja klasike apo femra në karierë?

Jetës nuk i dihet asnjëherë…

Po për regjinë, si lindi ideja?
Nuk ishte ide por pasion.

Çfarë synon të arrish me këtë degë pas përfundimit të studimeve?
Atë për të cilën u futa në shkollë.

Ç’mendim ke për veten kur shikohesh në pasqyrë?

Të njëjtin mendim që kam edhe kur nuk shikohem në pasqyrë.

Po si këngëtare, si do ta përcaktoje vetveten?
Të sukseshme, por me shumë punë që presin ende për t’u bërë.

Cila mendon se është arma jote më e fortë?
Varet nga situata.

Po pika më e dobët?
Mirësjellja.

Një ves që nuk e duron dot?
Arroganca.

Virtyti që admiron?

Ndershmëria.

Për çfarë je penduar që nuk e ke bërë siç duhej deri më sot?

Mbase për punët e shtëpisë.

Së fundi, a do të kemi ndonjë këngë të re këto kohë dhe nëse po, për çfarë bëhet fjalë?
Mbas “Kënga magjike” më pret një singëll i ri dhe albumi i dytë.

Gazeta Albania


YouTube Preview Image

4