Kumtesë për opinion e klubit të këshilltartëve të LD në MZ në kuvendin e komunës së Ulqinit
Jepni dorëheqje dhe shpallni zgjedhje të parakohshme
Klubi i Këshilltarëve të LD në MZ në Kuvendin e Komunës së Ulqinit duke parë situatën e rëndë e kaotike sa i përket funksionimit të pushtetit vendorë, por edhe mosfunksionimit të Kuvendit të Komunës, rikujton qytetarët për paaftësinë evidente të kësaj garniture udhëheqëse për t’u përballur me punët dhe sfidat të cilat janë obligim dhe detyrë e pushtetit vendor. Këtë e themi për faktin se ky pushtet, deri më sot, edhe pse kaluan mbi tri vjetë që është në krye të qeverisjes vendore, nuk arriti edhe krahas mbështetjes (gjoja siç thuhet) të pushtetit qendror, gjegjësisht Qeverisë së Malit të Zi, të realizojë asnjë prej premtimeve të dhëna dhe projekteve “të mëdha” të cilat sipas tyre do të duhej ta bënin Ulqinin – “Ulqin Evropian”.
Deri tani nuk është realizuar asnjë plan detaj urbanistik, nuk ka filluar dhe vështirë se do të fillojë ndërtimi i urës mbi Port Milenë, të deklaruar fushatë pas fushate si simboli i Ulqinit Europian. As që përmendet fare më ndërtimi i rrugës për Lima dhe i marinës, e cila sipas premtimeve të dikurshme të udhëheqësisë së Komunës, tashmë është dashur të jetë plot e për plot me jahte të miqve tanë multimiliarderë. Fatkeqësisht, si alternativë për këtë projekt ky pushtet na ofron një projekt të “Morsko Dobro”-s. Fjala është për Plazhin e Kalasë – Kacema, i cili është premtuar që prej disa viteve.
Rikujtojmë zgjedhësit dhe mbarë qytetarët e Ulqinit edhe për premtime të tjera të këtij pushteti, si deponia sanitare, palestra sportive, rruga Ulqin–Sukubinë, rregullimi i qendrës së Katërkollës, qendrës së Krythës, hapja e TV “Ulqini”-t për të cilin është aprovuar Vendimi në Kuvend, etj. etj.
Nga ana tjetër, gjendja është po ashtu alarmante në realizimin e buxhetit për vitin 2009. Ky buxhet i paraparë në shumën prej 16 220 000 €, deri më tani është realizuar në nivel afër 20 për qind, gjegjësisht në shumën mbi 3 000 000 €, duke përfshirë këtu edhe të ardhurat nga kreditë, Fondi Egalizues, si dhe të ardhurat e vjelura në formë paushalle përmes kontrollit turistik, mjete këto të cilat sipas Ministrisë së Financave janë marrë nga qytetarët në mënyrë joligjore.
Si pasojë e mospërgatitjeve të nevojshme për sezonin turistik dhe mungesës së investimeve në infrastrukturë ishte evidente se oferta turistike ishte e dobët. Kjo rezultoi me rënie të numrit të mysafirëve. Këtë fakt, këtyre ditëve e pranoi edhe vetë kreu i pushtetit ekzekutiv, z. Hajdinaga, duke fajësuar çuditërisht për këtë muajin e Ramazanit, e jo vetveten dhe ekzekutivin që ai udhëheq. Shtrohet pyetja, po vitin e ardhshëm që do të kemi prapë Ramazan, si do ia bëjmë?!
Me buxhetin për vitin 2009, për investime publike janë paraparë 9 170 000 €, prej të cilave janë realizuar vetëm 2.5 për qind. Prej kësaj shume, në trevën e Anës së Malit nuk është realizuar asgjë.
Të përmendim po ashtu se në lëmin e bujqësisë si veprimtari me të cilën merret gati pothuaj mbi 70 për qind e banorëve të Ulqinit, nga 200 000 € sa kanë qenë të parapara për këtë vit, nuk është shpenzuar asnjë euro.
Vlenë të përmendim edhe gjendjen tejet të vështirë në ndërmarrjet publike themelues i të cilave është Komuna, ku të punësuarit nuk kanë marrë pagat mujore që disa muaj, kurse nga ana tjetër numri i të punësuarve në baza partiake, familjare e fisnore, pa kurrfarë kriteresh, vazhdon të rritet. Kujtojmë se asnjë prej ndërmarrjeve publike deri tani nuk ka sjellur Raportin e Punës, edhe pse është obligim ligjor e statutor që raporti t’i paraqitet themeluesit, Kuvendit të Komunës për shqyrtim.
Po ashtu vlen të theksohet se Kuvendi i Komunës, sikur edhe deri më tani, vazhdon të jetë apatik dhe joproduktiv. Sipash nesh, e tërë kjo ndodh për shkak të punës destruktive e jotolerante të kryetarit të Kuvendit, i ndihmuar gjithsesi edhe nga shumica aktuale parlamentare, falë makinacioneve në baza kryekëput individuale e klanore të interesave personale.
Klubi i Këshilltarëve të LD në MZ në Kuvendin e Komunës së Ulqinit nuk është i kënaqur me situatën e krijuar, e cila po dëmton gjendjen edhe ashtu të rëndë ekonomike të qytetarëve të Ulqinit.
Prandaj në mënyrën më të sinqertë dhe pa politizim kërkojmë nga kryetari i Komunës dhe pushteti vendor, duke pasur parasysh se nuk arritën të realizojnë asnjë prej premtimeve aq shumë të propaganduara, që do të thotë se mashtruan elektoratin dhe qytetarët e Ulqinit, të japin dorëheqjen e menjëhershme duke hapur kështu rrugë për zgjedhje të reja të parakohshme lokale, thuhet në kumtesën për opinion të Klubit të Këshilltarëve të LD në MZ në Kuvendin e Komunës së Ulqinit.
Shërbimi për informim i LD në MZ





