Ferhat Dinosha mori pjesë në Gjenevë, në takimin“Pekini plus 15”

November 12, 2009   | Rajoni / Region

ferhat dinoshaDiskutohet për zbatimin e Platformës së Pekinit

Delegacioni i Malit të Zi, i udhëhequr nga ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave Ferhat Dinosha mori pjesë të hënën dhe të martën në Gjenevë, në takimin rajonal “Pekini plus 15”, në organizim të Komisionit ekonomik për Evropë të Kombeve të Bashkuara (UNECE).
Takimi u organizua me qëllim të përgatitjes së planit të zbatimit të Platformës së Pekinit për veprim, 15 vjet pas miratimit të saj, dhe do të prezantohet në mbledhjen vjetore të Komisionit për statusin e femrave të OKB-së, në mars 2010. Takimi ishte i nivelit të lartë dhe tuboi përfaqësuesit e ministrive relevante të rajonit ECE, organizatave ndërkombëtare, organizatave joqeveritare dhe komuniteteve akademike.
Objektivi themelor i Deklaratës së Pekinit është avancimi “i qëllimeve të barazisë, zhvillimit të paqes në dobi të të gjitha femrave në botë dhe në interes të njerëzimit në përgjithësi”.
Platforma për veprim merret para së gjithash me eliminimin e barrierave për pjesëmarrjen e barabartë të femrave në vendimmarrjen ekonomike, kulturore dhe politike, si dhe realizimin e të drejtave të barabarta të femrave dhe meshkujve në jetën private dhe publike. Në këtë kontekst, takimi iu kushtua planit të përparimit rajonal në implementimin e Platformës së Pekinit për veprim, politikës ekonomike sensitive gjinore në kushtet e krizës ekonomike dhe financiare, barazisë gjinore dhe sektorit korporativ, si dhe partneriteteve të reja dhe rrjetit për barazi gjinore.
Ministri Dinosha foli në pjesën tematike të takimit “Plani rajonal i përparimit në implementimin e Platformës së Pekinit për veprim”.
Përveç ministrit Dinosha në kuadër të delegacionit të Malit të Zi morën pjesë edhe koordinatorja e Sektorit për barazi gjinore pranë Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Irena Boshkoviq dhe kryetarja e Këshillit për barazi gjinore pranë Kuvendit të Malit të Zi, Nada Drobnjak.

(Kohapress)