Gurë të çmuar nga kopshti shkëmbor…

November 12, 2009   | Kulturë / Kultura

Lekë GojçajFilantropia si mision jetësor

Në librin e vet Lekë Gojçaj shkruan, se pasi e vendosën shtatoren e Nënës Terezë në Prishtinë, Ibrahim Rugova ia zbuloi Lekës në konfidencë se pikërisht aty ku tani shenjtëresha kishte fituar vendin e vet, ai, Ibrahim Rugova pra, ditën e parë kur erdhi për studime në Prishtinë, i vetmuar e i varfër, fjeti jashtë, në një bankë që gjendej pikërisht në atë vend.

Libri në fjalë mund të radhitet në literaturën autobiografike, me elemente të historisë familjare. Ai përmban nëntë kapituj me tekst të shkruar dhe një foto-album në fund, që së bashku formojnë një dekalog të llojit të vet.
Libri hapet me kapitullin “I mahnitur pas madhështisë së shpirtit të Nënë Terezës”, ku autori rrëfen për zanafillën e idesë së vendosjes së shtatoreve të shenjtëreshës shqiptare dhe pastaj realizimin fazë pas faze të saj. Secila shtatore e Nënës Terezë e ka historinë e vet, veçantinë e simbolikën e vet. Autori flet me sigurinë e një misionari idealist, i bindur në kuptimin dhe rëndësinë e veprimit të vet.
Mahnitja e tij me figurën e Nënës Terezë, siç shprehet autori, zuri fill në vitin 1979, kur asaj iu nda Çmimi Nobel për Paqe. Derisa, pra, e gjithë bota shkonte në një kahje, duke grumbulluar pasuri materiale vetëm për veten, Gonxhja zgjodhi kahjen tjetër, ajo u nis kah skamja ekstreme. Ky veprim i Nënë Terezës, që mund ta quajmë sfidë gjeniale, apo frymëzim hyjnor, si dhe respekti që zgjoi pastaj anembanë botës, i tronditi në kuptimin pozitiv vëllezërit Gojçaj dhe ata ia vunë vetes për detyrë që derisa ajo mendonte dhe punonte për të tjerët, këta vetë të bëjnë diçka për të. Projekti i vendosjes së shtatoreve të Nënës Tereze nëpër vende të ndryshme: në Tuz, në Prishtinë, Mitrovicë, Klinë, Strugë, Nju Jork, Detroit, përngjan me mbjelljen e një luleje – një gonxheje transcendentale dhe është si një udhërrëfyes për njerëzit e epokës sonë kaq materialiste, duke treguar se ka edhe një rrugë që shkon në një drejtim krejtësisht tjetër dhe që megjithatë çon në realizimin e brendshëm që manifestohet në një buzëqeshje çfarë ishte ajo e Nënës Terezë. Nëna Terezë përballë sistemit të vlerave që maten me pasuri materiale dhe me atë se sa njerëz punojnë për ty, vendosi sistemin e vlerave shpirtërore, të bamirësisë, të dashurisë, të flijimit të jetës së vet për të tjerët… Dhe në rastin e saj, materializmi u mund nga idealizmi, bota u përkul para forcës dhe besimit të një gruaje që s’kishte asnjë pasuri tjetër veç teshat e trupit, një kryq modest te krahët dhe dy duar që luteshin shumë por punonin edhe më shumë …
Ideja e vëllezërve Gojçaj që skulpturën e Nënës Terezë ta punojnë së bashku tre skulptorë nga tri fetë kryesore shqiptare, nuk duhet parë veç si frymëzim të çastit të dy bamirësive atdhetarë, por kjo paraqet njëkohësisht një projekt simbolik të një modeli subtil kulturor e civilizues, që duhet pasur para sysh secili në nivelin personal, familjar, regjional, nacional e internacional dhe përfaqëson njërën ndër porositë themelore të librit por edhe të veprimtarisë filantropike dhe filozofisë jetësore të vëllezërve Lekë e Pashko Gojçaj. Librit nuk i është dhënë rastësisht titulli “Shtatoret e përjetësisë” dhe ky kapitull nuk është rastësisht kapitulli hyrës në libër.
Popujt që në sheshet e veta u ngrehin përmendore profetëve të paqes dhe atyre u kushtojnë libra janë popuj që shikojnë përpara.
Kapitulli i dytë i kushtohet Gjon Palit II, bashkëkohësit, bashkëpunëtorit dhe mikut të Nënës Terezë. Këto dy figura i dhanë aq shumë Kishës katolike në botë, e bënë të respektuar për kritikët dhe besimtarët, e bënë të afërt dhe joshëse për të rinjtë. Të dy këto figura luajtën rol pozitiv për çështjet shqiptare, si për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri, ashtu edhe për afirmimin e përpjekjeve të shqiptarëve të Kosovës në rrugën e tyre drejt lirisë.
Një kapitull të librit Lekë Gojçaj ia dedikon kujtimit të miqësisë së vet me ish – presidentin e Kosovës, dr Ibrahim Rugovën. Pas Nënës Terezë, Leka sikur më së shumti e nderon, pse jo edhe e adhuron, udhëheqësin e lëvizjes paqësore të popullit kosovar. Është i bindur, këtë e thekson disa herë në libër, se edhe Rugova ishte – I dërguari i Zotit për t’i prirë popullit të vet në rrugën e lirisë. Respekti që autori ka për Rugovën del nga çdo fjali, miqësia e sinqertë mes tyre vuloset me amanetin e Rugovës që ta varrosin në arkivolin, arkmortin, që për të do e blejnë vëllezërit Gojçaj. Dhe megjithëse kjo që do them tani do të kumbojë si një fantazi e tepruar dhe ndoshta pa sens, nuk mund t’e kapërcej një koincidence që e trondit dhe e pështjellon edhe një mendje shumë racionale. Në librin e vet Lekë Gojçaj shkruan, se pasi e vendosën shtatoren e Nënës Terezë në Prishtinë, Ibrahim Rugova ia zbuloi Lekës në konfidencë se pikërisht aty ku tani shenjtëresha kishte fituar vendin e vet, ai, Ibrahimi pra, ditën e parë kur erdhi për studime në Prishtinë, i vetmuar e i varfër, fjeti jashtë në një bankë që gjendej pikërisht në atë vend. Çfarë loje e jashtëzakonshme e fateve njerëzore, apo ndoshta edhe nuk ishte vetëm lojë e rastësi. Botës (pra edhe popullit shqiptar) i është dashur një Nënë Terezë dhe ajo u paraqit në mesin tonë. Popullit të Kosovës iu desh një prijës paqësor dhe ai u mishërua në Rugovën. E pastaj vijnë dy vëllezër nga Malësia dhe bëjnë një koneksion të këtyre dy personaliteteve të jashtëzakonshme. Një koincidencë tjetër është po aq tronditëse: edhe Gonxhe Bojaxhiu, edhe Ibrahim Rugova, por edhe Lekë (e Pashko) Gojçaj në moshë shumë të njomë e humbën babain, mbetën jetimë… Veç kësaj të gjithë lindën jashtë kufijve të shtetit amë. Si në ungjill, ku Maria detyrohet që birin e vet ta lindë larg Jeruzalemit… Nuk është gjithmonë e lehtë t’i ndash jetën dhe përrallën, nganjëherë ata kufij shlyhen dhe ti e sheh se në botë ndodhin disa gjëra të pashpjegueshme.
E nëse pas gjithë kësaj themi se libri mban si nëntitull “Jeta e familjes Gojçaj mes Malësisë dhe Amerikës”, dikush mund të pyesë: a mos Nëna Terezë dhe Ibrahim Rugova ishin edhe ata Gojçaj? Jo, ata nuk ishin Gojçaj, por u bënë pjesë e kësaj familjeje, natyrisht secili në mënyrën e vet. Lekë Gojçaj që në fillim thotë: “Kurrë ndonjëherë nuk e kam takuar në të gjallë të saj, e kam adhuruar nga larg!” Por fryma e saj, figura e saj, e pushtoi këtë familje dhe ata këtë jo që nuk e fshehin por vazhdojnë ta përhapin te populli i vet dhe më gjerë. Ky është shndërruar në pasionin e jetës së tyre. Ndërkaq Rugova ishte mik i ngushtë, sa që këta e konsideronin si një njeri të familjes së vet. Ndoshta, një psikanalist, do të kishte zbuluar këtu se Rugova për Lekën ishte zëvendësimi i babait të cilin e humbi ende pa i mbushur shtatë vjet.
Në fakt, drejtpërdrejt për familjen e vet, Autori fillon të flasë veç në kapitullin e katërt, diku pas 160 faqesh. Shikoni, edhe kur shkruan historinë e familjes së vet, Lekë Gojçaj së pari shkruan për të tjerët, kjo është më tepër se një modesti, ky është një model kulturor i vërtetë.
Qartë që kjo pjesë është më emocionuesja, më subjektivja, sepse pavarësisht nga adhurimi ekstrem që mund të ketë dikush për dikënd jashtë familjes, lidhjet familjare janë më delikatet, më stresantet, me pasojat më të mëdha pozitive e negative në jetën psikologjike dhe emocionale. Kushdo që ta lexojë këtë kapitull, do të marr informacione të besueshme e shpesh edhe të dhimbshme, lidhur me gjenealogjinë dhe historinë fisnike të familjes Gojçaj, sidomos të “barkut” të Lulash Hasit, por edhe për realitetin jetësor në Malësi para e sidomos pas Luftës II Botërore. Janë këto rrëfime të sinqerta, me shumë informacione me interes, që nuk i gjen të gjitha në shtypin dhe librat e kohës.
Përpjekjen e Lekë Gojçajt dhe disa autorëve të tjerë malësorë, që vërtet nuk janë shkolluar nëpër institucione, por të cilët janë “akademikë të shkollës së jetës”, e kuptoj si një sprovë për ta mbushur zbrazëtinë e dokumenteve, për ta korrigjuar historinë zyrtare që shkruhet nëpër kabinete dhe për fat të keq shpesh dirigjohet nga intereset politike të kësaj apo asaj pale.
Lekë Gojçaj me kujtimet e veta, do të përcjell një mesazh, një porosi, e cila e sfidon atë që është mësuar nëpër shkollat tona. Ai provon dhe kisha thënë ia del që ta japë realitetin politiko-shoqëror në Malësi, sidomos në shekullin XX. Gjithashtu ai përshkruan, me shumë energji edhe për jetën e mërgimtarëve tanë në SHBA.
Lexuesi ka për ta njohur edhe si polemist të zjarrtë Lekë Gojçajn në këtë libër.
Nëse dikush njerëzit i çmon sipas asaj popullores “më trego se me kë rri, e të tregoj se kush je”, mjafton veç një shfletim, pa pasur nevojë ta lexojë fare librin, për të krijuar parafytyrimin se me kë kemi të bëjmë, sepse autori del në fotografi me: Ibrahim Rugovën, Sali Berishën, Ismail Kadarenë, Bill Clintonin, imzot Mark Sopin, imzot Rrok Mirditën, Eliot Engelin, monsinjor Dodë Gjergjin, kongresisten Sue Kelli, ambasadorin William Walker, dom Lush Gjergjin etj. etj.
Ativitetet filantropike të vëllezërve Gojçaj kanë qenë gjithmonë në fokusin e gazetarëve dhe mediave të shumta shqiptare e të huaja. Janë rreth 30 shkrime, artikuj që sjell libri, të cilët i kanë shkruar të tjerët, pra gazetarë dhe autorë të ndryshëm në mediat e shtypura, në SHBA, Kosovë, Malin e Zi, Shqipëri…, për jetën dhe aktivitetet e familjes Gojçaj.
Kapitulli i fundit është më “familjari” në kuptimin e ngushtë të fjalës, sepse aty mbizotërojnë fotografi të anëtarëve të familjes së ngushtë dhe pak më të gjerë Gojçaj.
I gjendur në një përzierje të panumërt racash, kombesh, fesh, origjinash, në SHBA, e duke dashur ta ruajë identitetin e vet njerëzor, kombëtar, fetar e kulturor, Lekë Gojçaj si referenca të forta orientuese i ka Gjergj Kastriotin, Nënën Terezë, e së fundi edhe Ibrahim Rugovën.
Vërtet, të moçmit kanë pas thënë: “guri randë peshon në vend të vet”… Kjo vlen për gurët e thjeshtë, të zakonshëm, por kurrsesi kur janë në pyetje gurët e çmuar, sepse ata në vendet e zhvilluara jo vetëm që nuk humbin në peshë, por edhe vlera e tyre shumëfishohet. Lekë dhe Pashko Gojçaj janë dy gurë të tillë, të çmuar.

Anton Gojçaj
Koha Javore

YouTube Preview Image

2