Kohë të reja; Dofarë flamujsh të rinj

November 12, 2009   | Reportazh / Reportaža

ulqiniShtresa e mesme e popullatës në të gjitha shoqëritë fatlume është themeli i saj: kemi të bëjmë me njerëz të shkolluar, të cilët lexojnë, shkruajnë libra, shkojnë në kinema, vizitojnë manifestimet kulturore, udhëtojnë.
Ata janë “konsumatorë të kulturës”, shtyllë e demokracisë dhe stabilitetit shoqëror. Me zhdukjen e tyre vdes arsimi, kultura, besimi.
Tani e shohim se aksioni i shkatërrimit të planifikuar të shtresës së mesme brenda 20, më saktësisht 65 viteve të shkuara, në këtë vend, sikurse edhe në qytetin e Ulqinit është kryer në mënyrë të suksesshme!.
Për këtë arsye ndoshta nuk duhet të na habitë fakti që shpirti i intelektualit mesatar është aq i varfër dhe i kufizuar, i përgjumur dhe i ideologjizuar, saqë me siguri as për disa dekada të ardhshme nuk do të çlirohet nga servilizmi tradicional ndaj regjimit dhe shtresës sunduese.
Në të gjitha nivelet kemi “intelektualë” të tillë. Madje edhe kjo është kohë e renesansës së tyre! Kjo është një shtresë që është e gatshme që për privilegje të vogla të përkrahë të gjitha llojet e regjimeve autoritare, e cila është e prirur të përkrahë të gjithë ata që janë për zgjidhje radikale, e cila pikërisht për shkak se nuk di asgjë apo di fare pak – është e prirur të mendojë që gjërat mund të zgjidhen shpejtë dhe lehtë, dhe e cila nuk i përfillë nevojat, dëshirat, preferencat dhe ndjenjat e njerëzve të tjerë.
Unë vërej çdo ditë se njerëzit nën maskën e vet janë të palezetshëm, të ftohtë, skajshmërisht indiferentë ndaj çdo gjëje që për momentin nuk bën pjesë në sferën e interesit të tyre të drejtpërdrejtë dhe më shumë i gëzohen fatkeqësisë së tjetrit sesa suksesit të vet, duke harruar apo anashkaluar se fatkeqësia e të tjerëve në realitet është edhe fatkeqësi e tyre.
Por, një thënie e vjetër thotë: populli nuk mendon, por populli ndjen! Ai në radhë të parë ndjen frikën. Këtu gjithëherë është jetuar bashkë me frikën. Me frikën nga luftërat, nga varfëria, nga ushtria, UDB-ja, tërmetet. Frika dhe pasiguria, bashkë me dëshirën e fuqishme për grumbullimin e parasë, kësaj shprese të rrejshme dhe mendjelehtë të stabilitetit, kushtëzuan që tani, sikur në shuplakë të dorës, gjatë shëtitjes nëpër qytet dhe në bisedë me bashkëqytetarët, të mund t’i vërejmë pasojat tragjike dhe shkatërruese të veprimit të tyre paralel dekada me radhë.
Së këndejmi këtij populli dhe këtij qyteti i nevojiten ajri i pastër dhe e vërteta e mirëfilltë mbi vetveten. Këtu, me zemër të shtrënguar, tashmë një shekull të tërë rënkohet për një frymëmarrje të lirë me mushkëri të plota. Por, nuk duhet pasur kurrëfarë iluzionesh: masat janë inerte, lëvizin me vështirësi, janë konservatore, besojnë vetëm në para, janë të ngarkuara me frikë dhe bashkë me to, me kanonadën e serialeve latinoamerikane dhe të këngëtareve gjysmëlakuriqe nga ekranet televizive.
Prandaj keni njerëz me të cilët bisedoni, e për të cilët mendoni se treni u ka kaluar nëpër kokë. Dhe këtu merr fund çdo bisedë frytdhënëse mbi ardhmërinë, kurse hapet fusha e gjerë për manipuluesit, demagogët dhe fiqfiriqët!
Erdhi përsëri koha e tyre.
Historia njëzetepesë shekullore e Ulqinit është produkt i mobilizimit, vitalitetit, forcës dhe begatisë së jashtëzakonshme. Dhe banorëve të një qyteti të këtillë nuk u ka hije të qahen mbi fatin e vet dhe të frikohen nga cilido, deri te Zoti i Madh. Në vend të kësaj, gjithë angazhimin, vullnetin dhe vendosmërinë duhet investuar në përtëritjen shpirtërore të individit dhe në rindërtimin e qytetit. Pra, është koha që me mundin dhe mençurinë e përbashkët të zhvillohen disa flamuj të rinj të kohës sonë.

Mustafa Canka
Koha Javore
YouTube Preview Image