Sezoni turistik në Ulqin,vlerësimet e kundërta

November 12, 2009   | Turizmi / Turizam

Sezoni turistik në UlqinNëse ekzistojnë mendime dhe vlerësime të ndryshme sa i përket suksesit të sezonit turistik të kaluar, besoj se të gjithë pajtohen se ai ka qenë më i mirë seç kemi pritur në fillim të tij për shkak të krizës ekonomike. Por edhe nëse kjo është e vërtetë, të gjithë besoj pajtohen se të ardhurat dhe efektet financiare kanë qenë shumë më të vogla.
Në pyetjen se si ka qenë sezoni i sivjetshëm turistik në komunën e Ulqinit, do të fitoni përgjigje të ndryshme. Nga njëra anë, zyrtarët e Komunës së Ulqinit kanë deklaruar vazhdimisht se ai ka qenë i ngjashëm me atë të vitit të kaluar, por mbase në disa segmente edhe më i mirë, kurse nga ana tjetër opozita dhe punëtorët turistikë të cilët janë ankuar për sezonin e sivjetshëm turistik.
Gjatë gjithë sezonit turistik, statistika zyrtare në Mal të Zi ka treguar për një numër relativisht të ngjashëm të turistëve me atë të vitit të kaluar. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Ulqinin po t’i referohemi statistikës zyrtare.
Sipas të dhënave zyrtare, Ulqinin këtë vit e kanë vizituar më shumë se 97 mijë mysafirë, gjë që përbën shtatë për qind më tepër se vitin e kaluar. Ata kanë realizuar rreth 645 mijë fjetje apo dy për qind më pak se vitin e kaluar.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur ditë më parë, kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga e ka cilësuar të suksesshëm sezonin turistik dhe madje në disa parametra edhe më të mirë se sezonin e kaluar, përkundër dukurive të papritura, siç ka thënë ai.
“Më kujtohen fjalët e disa hotelierëve se do të ishin të kënaqur sikur të përsëritej sezoni i vitit 2008. Ja, sot jemi dëshmitarë se sezonin e kaluar në segmente të veçantë madje e kemi tejkaluar. Sidomos më gëzon fakti se numri i turistëve të huaj është në rritje të vazhdueshme dhe që këtë sezon ky trend ka qenë sidomos i theksuar”, ka thënë ai duke nënvizuar se e gëzon fakti i kthimit të mysafirëve nga Bosnja dhe fakti se turistët nga Kosova vazhdojnë t’i qëndrojnë besnikë Ulqinit.
Po sipas tij, sezoni do të kishte qenë edhe më i mirë dhe do të kishte zgjatur edhe më shumë sikur të mos kishte rënë shi në fund të majit dhe fillim të qershorit gjë që ka ndikuar që një numër i madh i turistëve të largohen.
“Përveç kësaj, në muajin gusht ka filluar muaji i madhërueshëm i Ramazanit, gjë që ka ndikuar po ashtu ndjeshëm në vizitë, e të mos flas për tërmetet në fund të verës”, ka thënë Hajdinaga.

Të dhënat që shqetësojnë

Por opozita dhe shumë qytetarë nuk u besojnë të dhënave zyrtare dhe deklaratave që vijnë nga Komuna e Ulqinit. Për ta është evidente rënia e numrit të turistëve këtë sezon turistik.
Lidhja Demokratike në Mal të Zi ka fajësuar për këtë pushtetin ekzekutiv në Ulqin.
“Si pasojë e mospërgatitjeve të nevojshme për sezonin turistik dhe mungesës së investimeve në infrastrukturë ishte evidente se oferta turistike ishte e dobët. Kjo rezultoi me rënie të numrit të mysafirëve”, vlerësojnë në këtë parti.
Sipas kësaj partie, këtë e ka pranuar edhe vetë kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, por çudia, sipas tyre, qëndron në faktin se ai ka fajësuar për këtë muajin e Ramazanit e jo vetveten dhe ekzekutivin që ai udhëheq.
“Shtrohet pyetja, po vitin e ardhshëm që do të kemi prapë Ramazan, si do ia bëjmë?!”, pyesin në LD në MZ.
Edhe Forca e Re Demokratike ka kritikuar vazhdimisht jo vetëm pushtetin lokal, por edhe atë shtetëror për diskriminimin që, sipas kësaj partie, i është bërë Ulqinit, sidomos në fushën e turizmit.
Në Ditën Botërore të Turizmit kjo parti i ka dërguar një letër të hapur ministrit të Turizmit Predrag Neneziq duke vënë në pah lënien pas dore të Ulqinit dhe të dhënat alarmante që përkeqësohen nga viti në vit.
“Para 20 vitesh, zoti Neneziq, pra në vitin 1989, Ulqini ka pasur mbi 1.7 milion fjetje të regjistruara, kurse tash pas 20 vitesh, një milion fjetje më pak. Pjesëmarrja e Ulqinit në qarkullimin turistik, në nivel të Malit të Zi ishte rreth 19%, kurse tash që Ju jeni ministër, kjo pjesëmarrje është nën 9%”, kanë përkujtuar ministrin Neneziq me këtë rast, duke i shtruar edhe pyetjen se “si e shpjegon ai faktin që në Ulqin janë të regjistruar vetëm dy hotele me mbi tre yje, kurse në Budvë 86 hotele?”
Forca ka kritikuar Ministrinë e Turizmit dhe Qeverinë e Malit të Zi edhe për politikën shkatërruese të privatizimit të objekteve hotelierike në komunën e Ulqinit që ka çuar në shkatërrimin e NHT “Riviera e Ulqinit”, dikur bartëse e turizmit në këtë qytet, e sidomos disa hoteleve që simbolizonin turizmin e këtij qyteti.
“Hoteli ”Jadran” nuk ekziston. Hoteli “Galeb”, simbol i turizmit të Malit të Zi, i shkatërruar pa asnjë shpjegim. Hoteli “Mediteran” pret planet urbanistike. Hoteli “Albatros” është duke pritur ndonjë blerës të majmë. Hoteli “Otrant” i privatizuar prej taksistit rus – partner strategjik. Hoteli “Grand Lido” dhe “Lido bungalow” presin ditë më të mira. “Riviera e Ulqinit” është në pritje të ndonjë blerësi strategjik”, thuhet në letrën dërguar ministrit Neneziq.
Nëse ekzistojnë mendime dhe vlerësime të ndryshme sa i përket suksesit të sezonit turistik të kaluar, besoj se të gjithë pajtohen se ai ka qenë më i mirë seç kemi pritur në fillim të tij për shkak të krizës ekonomike. Por edhe nëse kjo është e vërtetë, të gjithë besoj pajtohen se të ardhurat dhe efektet financiare kanë qenë shumë më të vogla.

I. Kallaba
Koha Javore

http://www.rtcg.me/images/biblioteka/audio_video_arhiva/Nedjeljom%20u%2016%20-%20Predrag%20Nenezic.flv