Zhdukja e NHT “Riviera e Ulqinit”

November 12, 2009   | Reportazh / Reportaža

NHT “RIVIERA E ULQINIT”“Riviera e Ulqinit” pothuajse tashmë gjashtë vite është gjunjëzuar. Asaj tani nuk i nevojitet tenderi me të cilin do të mbusheshin fondet e zbrazëta të shtetit, por një ristrukturim afarist dhe financiar, me një rikapitalizim të domosdoshëm, siç është vepruar, për shembull, me Elektroekonominë.
Stina e sivjetme turistike në Rivierën e Ulqinit, siç pohojnë krerët e saj, ka qenë dy deri tri herë më e mirë sesa vitin e kaluar. “Gjysma e dytë e korrikut dhe gushti i rrafshuan minuset”, deklaruan ata.
Mirëpo, këtë nuk e konfirmojnë punëtorët e këtij gjiganti të dikurshëm. Atyre për muajin shtator rrogat u janë zvogëluar për 50 euro.
Në të njëjtën kohë, Qeveria e Malit të Zi shpalli tenderin për shitjen e 61 përqind të aksioneve të “Rivierës së Ulqinit”, që janë në pronësinë e fondeve shtetërore, me çka u vulos thelbësisht zhdukja e kompanisë e cila ndërtoi Ulqinin modern.
“Mënyra sipas të cilës është shpallur ky tender flet për faktin që në Qeverinë e Malit të Zi nuk ekziston strategjia për valorizimin e këtyre resurseve më të vlefshme në Malin e Zi. Edhe vetë qëllimi i këtij tenderi që të shitet diçka që ka mbetur nga ndërmarrja dikur e fuqishme në fakt tregon se po punohet në mënyrë stihike dhe se Qeveria dhe Këshilli i Privatizimit nuk kanë dëshirë që të valorizohen drejt resurset e Ulqinit”, thotë deputeti i Partisë Popullore Socialiste Aleksandar Damjanoviq.
Deputeti i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi Mehmet Bardhi konsideron se është skandaloze që nga i tërë procesi përjashtohet pushteti lokal, duke marrë parasysh rëndësinë dhe pozitën e “Rivierës së Ulqinit”. Ai thekson se Komuna e ka dhënë në shfrytëzim tokën të cilën tani e menaxhon Riviera e Ulqinit.
Banorët vendës të Shtojit paralajmëruan gjithashtu se një pjesë e tokës në të cilën ndodhen objektet e kësaj ndërmarrjeje janë objekt i restituimit.
Bardhi shfaq dyshimin ndaj mundësisë së gjetjes së investitorit serioz i cili nuk do të ndërmarrë investime spekulative, siç ka ndodhur me rastin e të gjitha privatizimeve në këtë qytet, e të cilat, siç shprehet ai, mund të cilësohen si kolonizuese.
“Është më se i qartë qëllimi që përmes derës së vogël të gjendet blerësi i përshtatshëm, vendas apo i huaj, i cili në mënyrë të vet do ta valorizonte atë që është e vlefshme dhe që duhet ruajtur”, shton Damjanoviq. Siç duket, shpallja e tenderit është epilog i falimentimit në të cilin kjo ndërmarrje u hodh në fillim të vitit 2004 për shkak të borxhit prej 230 mijë euro ndaj “Elektrodistribucionit”, mbase tani të gjithë e kanë të qartë “që falimentimi është bërë vetëm me një qëllim: që të plaçkitet hapësira e mrekullueshme e “Rivierës së Ulqinit”, e që potencialet e saj të vlefshme të derdhen në xhepa private”, thotë bashkërenduesi i Grupit të organizatave joqeveritare dhe intelektualëve të pavarur nga Ulqini, Xhemal Peroviq.
Në këtë mënyrë përfundoi faktikisht dhe simbolikisht një etapë në historinë më të re të Ulqinit, periudhë kjo e cila për një numër të madh të ulqinakëve ka qenë periudha më e bukur e jetërave të tyre. Ishte ky një çast i hidhur për të gjitha gjeneratat e pasluftës në Ulqin. Sidomos për kamarierët, gjellëbërësit, recepcionistët dhe personelin ndihmës, përkatësisht për njerëzit e zakonshëm, specialistë në profesionin e vet, të cilët nuk mundën t’i kuptojmë trendet dhe të imagjinojnë skenarin e kësaj drame të tmerrshme. E në “Rivierën e Ulqinit” kanë punuar dy mijë njerëz, përfshirë edhe punëtorët stinorë. Sot ka gjashtë herë më pak sish!
Brenda katër viteve sa zgjati falimentimi u shitën hotelet Otrant, Mediteran, Galeb dhe Lido, Stacioni i autobusëve, Kulla e Ballshajve në Qytetin e Vjetër.
“Qëllimi i falimentimit do të duhej të ishte amputimi i objekteve që janë balast, e jo që ato të shiten në mënyrë joselektive dhe të ndahet dividenda”, thotë Peroviq.
Ai rikujton se aksionarëve të kësaj ndërmarrjeje në vitin 2007 u janë paguar 5,8 milionë euro dividenda, pikërisht aq sa është shitur Hoteli “Galeb”, simbol i Rivierës së Ulqinit dhe i tërë qytetit.
Sidoqoftë, “Riviera e Ulqinit” pothuajse tashmë gjashtë vite është gjunjëzuar. Asaj tani nuk i nevojitet tenderi me të cilin do të mbusheshin fondet e zbrazëta të shtetit, por një ristrukturim afarist dhe financiar, me një rikapitalizim të domosdoshëm, siç është vepruar, për shembull, me Elektroekonominë. Përmes rikapitalizimit partneri strategjik do të duhej të siguronte rikonstruksionin e Olimpikut dhe të objekteve në Adë, rrënimin dhe rindërtimin e “Bellevu”-së, zhvillimin dhe përmirësimin e shërbimeve.
Më në fund, Ulqinit i duhet një kompani hoteliere moderne e fokusuar në hotele cilësore të rangut të lartë, selia e së cilës do të ishte në këtë qytet.

Mustafa Canka
Koha Javore