Intervistë me Prenkë Gjokaj, veprimtar i shoqatës shqiptaro-amerikane “Malësia e madhe” nga Miçigeni

November 13, 2009   | Intervista / Intervju

Prenk GjokajAktivitete për njerëzit në nevojë

Një aktivitet mjaft me rëndësi është edhe binjakëzimi i qyteteve Roçester Hills dhe Tuzit, që u realizua me ndërmjetësimin e Shoqatës, e si rezultat i këtij aktivteti, përpos ndihmave që qytetarët e Roçester Hills dërguan për shkollat në Malësi.

Koha javore: Z. Gjokaj, na tregoni diçka për jetën tuaj para dhe pas shpërnguljes në SHBA?
P.Gjokaj: U linda në fshatin Dushiq të Malësisë nga prindërit Gjergj Zefi dhe Mare Nikollë Hasani, të cilët u shpërngulën këtu nga fshati Muzheçk i Triepshit para Luftës së Dytë Botërore. Jam fëmija i tetë në familje, ku përveç vëllait Markut, i cili ndërroi jetë para më se një viti, të gjithë jemi në jetë, disa këtu në Malësi, të tjerët në Amerikë dhe Australi.
Shkollën fillore dhe dy vite të gjimnazit i kam mbaruar në Malësi, kurse dy vitet e fundit të gjimnazit dhe vitin e parë të shkollës së Lartë Pedagogjike i kam vijuar në Gjakovë.
Gjendja jo e lakmueshme ekonomike dhe situata e tensionuar politike më shtynë që të largohem nga vendlindja në shtator të vitit 1982.
Jam martuar me Marie Mark Gojçaj dhe zoti na ka dhuruar dy vajza dhe një djal. Që prej ditës së parë në Amerikë, jetoj, punoj dhe veproj në Detroit, Michigan.

Koha Javore: Cilat kanë qenë aktivitetet Tuaja të para dhe kontributi i dhënë vendlindjes?
P. Gjokaj: Si aktivtet i parë dhe mjaft i vështirë ishte pjesëmarrja në protesta në Uashington, para Shtëpisë së Bardhë dhe Ambasadës jugosllave për të kërkuar të drjtat e kosovarëve, me moton “Kosova Republikë”.
Asohere ishte mjaft e vështirë për të marrë pjesë në to, ngase para Ambasadës jugosllave na merrnin me kamera dhe regjimi i atëhershëm jugosllav nuk lejonte udhëtimin e këtyre njerëzve në vendlindje ose ka pasur raste që disa nga ata të arrestohen dhe keqtrajtohen nga ajo qeveri.
Pra, duke kërkuar të drejta për Kosovën kishim vendosur të braktisim familjet dhe vendlindjen për një kohë të pacaktuar, e kjo ishte mjaft e vështirë.
Përveç kësaj, kam marrë pjesë në shumë aktivitete për të ndihmuar vendlindjen, siç është ndërtimi i shtëpive të kulturës, i objekteve fetare, ndihma për shkollim, ndihma për të sëmurët dhe skamnorët ,ndihmat për rrugë dhe elektrifikim etj.

Koha Javore: Pasi që Ju jeni anëtar i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Malësia e Madhe”, a mund të na thoni diçka për veprimtarinë e kësaj shoqate?
P. Gjokaj: Me përfundimin e luftës në Kosovë, në Detroit gjendej një numër i konsiderueshëm aktivistësh dhe në vitin 2001 u vendos që të formohet një shoqatë që si objektiv kryesor do ta kishte Malësinë.
Për tetë vjet veprimtari, Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Malësia e Madhe” ka dhënë një kontribut mjaft të madh në lëminë e bamirësisë, arsimit, kulturës, sportit, si dhe në avancimin e të drejtave të shqiptarëve në këto troje, duke ngritur zërin kundër padrejtësive që u bëheshin shqiptarëve në vendlindje. Shoqata bëri edhe protesta për rilirimin e 18 të arrestuarve në aksionin policor famëkeq “Fluturimi i Shqiponjës”.
Jam anëtar i Shoqatës që nga themelimi, por për momentin nuk jam anëtar i kryesisë dhe nuk posedoj të gjitha të dhënat relevante për aktivitetet e saj.
Një aktivitet mjaft me rëndësi është edhe binjakëzimi i qyteteve Roçester Hills dhe Tuzit, që u realizua me ndërmjetësimin e Shoqatës, e si rezultat i këtij aktivteti, përpos ndihmave që qytetarët e Roçester Hills dërguan për shkollat në Malësi, tani atje studion e reja nga Malësia, Drita Nikollë Dushaj, me një bursë të garantuar katërvjeçare në një nga Kolegjet e këtij qyteti, me nj ëvlerë prej 110.000 USD.

Koha Javore: na tregoni për projektin e shoqatës suaj në lidhje me përkrahjen e skamnorëve nga treva e Malësisë?
P. Gjokaj: Vizitat e shpeshta të anëtarëve të Shoqatës në vendlindje, njohja e drejtpërdrejtë e tyre me individë dhe familje në nevojë, na shtyri që të organizojmë grumbullimin e mjeteve financiare për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Ky aktivitet ka filluar para pesë viteve, kurse do të organizohet edhe këtë vit me mbrëmjen e caktuar më 22 Nëntor në sallën e komunitetit shqiptar të Shën Palit.
Urojmë që Malësia dhe mbarë shqiptarizmi të kenë sa më pak njerëz në nevojë prë ndihma të tilla, në mënyrë që të mund të përqendrohemi më tepër për t’u dhënë ndihmë studentëve, aktivitet ky që është filluar këtë vit.

Koha Javore: Në këtë të fundit, Shoqata Juaj është aktive në gjetjen e modusit për bahskëpunim me organizatat e tjera simotra në SHBA, që Malësia të fitojë statusin e komunës me të drejta të plota. Çfarë mund të na thoni në lidhje me këtë?
P. Gjokaj: Shoqata “Malësia e Madhe” para katër vitesh mori iniciativën për themelimin e një trupi zëdhënës, që do të përfaqësonte të gjitha shoqatat e shqiptarëve nga Mali i Zi që veprojnë në Amerikë.
Takimi i parë u mbajt në Detroit dhe të gjithë pjesëmarrësit u dakorduan për një organizim të tillë.
Mbledhja e dytë u mbajt në Çikago, kurse e treta në Nju-Jork. Në mbledhjen e tretë, në vend që të vazhdohej puna në formimin e një trupi sëdhënës, u themelua Lëvizja “Atëdheu na Bashkon” dhe ç’prej atëherë Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Malësia e Madhe” nuk merr pjesë në kët organizatë.
Dua të ceki se Shoqata Shqiptare-Amerikane “Malësia e Madhe” ishte ideatore dhe financuese kryesore e takimit të para gjashtë viteve në Uashington, me pjesëmarrje të partive shqiptare, organizatave joqeveritre dhe përfaqësuesve fetare të shqiptarëve në Mal të Zi, e për fat të keq nuk dha rezultate të pritura.
Në kohë të fundit gjendja ka ndryshuar dhe më 24 tetor 2009 në Du Bois të Pensilvanisë u organizua një konferencë, në të cilën morën pjesë katër organizatat më me ndikim në diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Malësia e Madhe”, Lëvizja “Atëdheu na Bashkon”, Fondi Humanitar “Malësia” dhe Shoqata Dedë Gjo’Luli”, ku për herë të parë biseduan bashkërisht për projektet që kanë për qëllim njohjen e Malësisë si etnitet të veçantë dhe funksional, duke ia dhënë statusin e Komunës së plotë, që është e drejtë themelore e popullit tonë autokton.
Në këtë takim, kryetar i grupit të punës u zgjodh z. Gjergj Ivezaj, i cili njëherit është edhe kryetar i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Malësia e Madhe” dhe kjo tregon për respektin që shoqatat e tjera kanë për shoqatën tonë. Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Malësia e Madhe”, në bashkëveprim me shoqatat e tjera simotra, nuk do të pushojë asnjëherë veprimtarinë e vet për avancimin e të drejtave tona dhe për të dhënë ndihmë morale dhe materiale për vendlindjen.

Koha Javore: Përveç ndihmave humanitare, a ka diaspora shqiptare plane kkonkrete për investime në Malësi?
P. Gjokaj: Në mungesë të administratës vendore dhe departamenteve përkatëse këtu në Malësi si dhe nga frika e korrupsionit në këtë shtet, investimet nga diaspora kryesisht janë përqendruar në blerjen e trojeve dhe në ndërtimin e shtëpive private. Me themelimin e Komunës së Malësisë me të drjta dhe ingerenca të plota sikurse 21 komunat e tjera të Malit të Zi, shpresoj që investimet do të rriten. Kjo mund të realizohet përmes Dhomës së Tregëtisë dhe Sekretariatit për Financa, që do të duhej të dalin me projekte konkrete, kurse Diaspora të ketë mundësi për të marrë pjesë me aksione.
Shpresoj që kjo të realizohet dhe mirupafshim herave të tjera në një komunë të plotë.

Bisedoi: Muhamed Gjokaj
Koha Javore

1