Etika njerëzore; Morali që na ka humbur

November 20, 2009   | Shoqëria / Društvo

Etika njerëzore; Morali që na ka humburËshtë tjetër të jesh i ditur, e tjetër të jesh njeri! Duke hyrë me diturinë e vet nën urdhrin e njerëzimit, dijetari shpëton nga hamallëku i kujtesës dhe arrin të bëhet një njeri i lartë në atë masë që, me moralin dhe virtytshmërinë e vet, ta përfaqësojë diturinë e vet. “Në të kundërtën s’ka ndonjë ndryshim prej një të mjeri që e ka çuar jetën kot. Fundja, vetëm morali dhe virtyti janë ato që e bëjnë injorancën- hekur të çmuar e të dobishëm si floriri”.
Në ditët tona, morali, më në fund nuk kuptohet, ashtu siç e kuptonin të parët, një tërsi virtytesh. Njeriu i ditëve të sotme mundohet ta kuptojë atë më shumë në formën e edukatës që ka, e fituar kjo nga mungesa e parimeve në sjelljet e tij, duke krijuar kështu vështirësi me rregullat e moralit. Këtë problem duket se e kanë politikanët tonë, andaj asnjëherë dhe në asnjë rast nuk mund të dëgjosh nga goja e tyre se kerkojnë falje, qoftë edhe një rast i vetëm. Të bindur se fjalët e tyre i “ha pazari”, ata mendojnë se me të bëmat e tyre bëjnë punë të mira e të dobishme, së pari për vete. e pastaj për shoqërinë. Po a qendron kjo? Jo, sepse ata shkelin konceptet e moralit dhe nuk pranojnë t’u dalë emri e të merren me famën e të parëve, gjë që për vete fitojnë një famë mjaft të keqe.Ata asnjëherë nuk kërkojnë falje, dhe kur duan të arsyetojnë veprimin, kalojnë në fyerje, sharje madje edhe shpifje që kanë bërë për kundërshtarët politikë të pak kohëve më parë apo aleatë të sotëm. Në një demokraci, si kjo e jona, ku individë të caktuar vrapojnë për të realizuar qëllimet vetjake, pa pranuar mendimet alternative harrojnë se janë tre elementë të rëndësishëm që i mbajnë gjallë: urtësia, feja dhe arma. Edhe njëra edhe tjetra duhet të jenë të lidhura ngusht me jetën. Këta nuk i njohin këto parime,
bëjnë gabime duke e kuptuar politikën vetëm në formën e partisë, propagandës dhe luftës për pushtet. Disa nga partitë politike shqiptare në Mal të Zi janë aq të mbyllura, të zhurshme e false, madje në raste të veçanta të pakuptimta sa që veprimtaria e tyre vërtitet ose rreth miqësisë, ose interesit.Ata që u prijnë këtyre partive duket se kërkojnë rreth vetes sa më shumë “shikues” për një qëllim të vetëm, që të krijojnë kriza duke tentuar kështu lëkundje të reja brenda komunitetit sipas parullës: “përçaj e sundo”. Ja, pra sot, ne jemi para një gjendjeje të tillë: ku sharjet, shpifjet nuk mungojnë nga disa politikanë shqiptarë në Mal të Zi, të cilët demonstrojnë mungesë të civilizimit dhe të tolerancës. Këtu në këtë pikë kemi ardhur, në një realitet aspak të dëshiruar nga pjesa shumicë e cila është paralizuar falë mungesës së moralit dhe etikës së tyre.
Sipas kësaj, ata me vetëdije krijojnë probleme, për të mos pasur paqë e qetësi, për hir të një sërë llogarish dhe interesash të vogla, me një kuptim dhe qëndrim që do t’i bënte të pafrytshme të gjitha vuajtjet e atyre që në ato vite sakrifikuan gjithçka për të pasur një rehati si të gjithë të tjerët në botë. Po qe se ligjet shoqërore nuk njihen nga këta politikanë, e kjo tashmë është evidente, të njëjtit gjithë potencialin e vet e derdhin në përfitime personale, ndaj qëndrimet e tyre negative kanë përmbysur çdo gjë, që nga përçarja e deri te fotelet që mbajnë, faturën e së cilës po e pagun populli.
Mund të them me shumë lehtësi që, për rilindjen tonë, është e pamundur të përfytyrohet një rrezik më i madh se ky! Me një strukurë të tillë politikanësh që kemi ne sot, me një jetë ndiesore mjaft të varfër, me një përbërje kuadri e udhëheqjeje të paqenë, shoqëria jonë sot ndodhet në një gjendje për të ardhur keq. Pa asgjësuar një mjedis si ky të ushqyer prej fanatizmit dhe intolerancës, duhet të jetë mjaft e vështirë të mendohet se të njëjtit kanë për të sjellur diçka më mirë, mirëpo ç’e do se sot bëhet fjalë për një bashkim më shumë sentimental i cili është i dobët, i pamjaftueshëm e jetëshkurtër. Grumbullimet e tyre që deri dje ishin “armiq” të politikës kundër një grupi të caktuar ose bashkimet mbi bazën e ndnjejave armiqësore janë dallgëzime kalimtare të bashkimeve sentimentale. Një bashkim i tillë kurrsesi nuk mund të quhet i lejueshëm për nga këndvështrimi i parimeve tona dhe nuk mund të shpreh asgjë kombëtare. Atëherë, është jashtëzakonisht e nevojshme që, duke llogaritur edhe faktorët përçarës me çka i kontribuojnë këta politikanë përçarës, të shtrohen për diskutim pikat tona të përbashkëta si dhe të trajtohen çështjet e unitetit në mënyrë të arsyeshme e të logjikshme. Kjo është e vetmja mënyrë për t’u realizuar, por vetëm me një kusht, që të njëjtit të mos paraqiten më, së paku jo atje ku kanë përgatitur fundin tonë me dorën e tyre. Natyrisht një ndikim të madh duhet ta luajnë tribunat, përfaqësuesit tanë atje ku duhet të bëhet kuvendi, për t’u ballafaqua me problemet e shumta, të krijuara falë atyre që janë mësuar të kalojnë për këto njëzetë vjet duke hapur “kurse”politike e duke përgatitur kuadro nën nivel intelektuali. Ndryshe, fakti që secili nga këto e sheh udhëheqësin si “novator”, i jep shkak përçarjes edhe më të madhe edhe nëse ky vështrim është naiv. Këta persona të pranishëm në jetën tonë politike, veprimet e të cilëve kanë për t’u shndërruar në mediokër e naivë e që janë element të përçarjes, do të jenë të pashmangshëm nesër. Një epidemi pa moral e etikë që e ka përfshirë tërë shoqërinë tonë, falë këtyre që sot na paraqiten sikur fluturojnë nga “rezultatet” , pa ndjerë qoftë edhe një çast përgjegjësi për të bëmat. Te qëllimi real i drejtë e i vërtetë nuk arrihet me pretekste, siç mundohen të bëjnë disa politikanë shqiptarë në Mal të Zi, edhe pretekstet që do të përdoren, duhet të jenë reale. Ata që nuk munden ta shpëtojnë veten prej këtyre komplekseve, mund të bëhen shumë të rrezikshëm, si për vete, ashtu edhe për shoqërinë ku jetojnë. Se kjo është kështu dëshmon puna a tyre, ndaj shoqëria jonë duhet t’i peshojë me të njëjtin kandar edhe politikanët, pavarësisht cilit krah i përkasin. Në të kundërten edhe për shumë kohë do të vuajmë nga shpifjet, agresiviteti i tyre, pa treguar moral e etikë njerëzore.

Shaban Peraj
Koha Javore

1