Deti është fati ynë
Apel për t’iu kthyer detit
Ne ende nuk jemi mjaft të vetëdijshëm për rëndësinë e arës që quhet det. Deti është arë e cila mund të japë tri korrje turistike, por këtë arë, sikurse çdo arë tjetër, duhet ruajtur, kultivuar dhe punuar
Shumë njerëz konsiderojnë se njëri nga shkaqet kryesore të ngecjes së Ulqinit qëndron në faktin se banorët e tij aktualë ia kanë kthyer shpinën detit. E tërë jeta, sidomos jashtë sezonit, zhvillohet në prapavijë, ose siç do të thonin gjermanët, në hinterland. Madje edhe pranë detit apo në Pyllin e Pishave, si dhe në Ullishta shetitet fare pak. Të gjithë ulqinakët do t’u thonë mysafirëve se kjo është një gjë e mirë dhe e dobishme, edhe pse ata vetë rrallëherë e bëjnë një gjë të tillë.
Nëse do të kërkohej arsyeja e kësaj dukurie të pakuptueshme, atëherë së pari të shkon mendja në gjeografinë e qytetit. Edhe atëherë kur vini në Ulqin, nuk keni përshtypjen se po shkoni në një qytet bregdetar. Në qytetin që ka 33 kilometra breg të mrekullueshëm.
Por, në kaudër të gjithë kësaj gjithësesi ekziston njëfarë sistemi: nuk ka qenë e rastësishme që dajaku gjithëherë ka qenë i lidhur me tokën, kurse autonomia me detin. Deti duron kapitenë të panumërt, e megjithatë ka të njëjtat rregulla të lojës. Mendoj se ky është ideal i botës bashkëkohore: pajise anijen tënde, ngarko çka të duash, lundro atje ku ta ketë qejfi – por lëri të qetë të tjerët. Dhe paç detin e qetë!
Dhe natyrisht nuk është e rastësishme që gjithëherë gjatë historisë arenat e çudirave dhe nënat e civilizimit kanë qenë shtetet bregdetare. Sepse, shtetet pa det dhe qytetet pa lumenj janë të mbyllur në mënyrë paranoike dhe për këtë arsye mjaft shpesh janë potencialisht të rrezikshëm.
Kurse, mesdhetarët gjithëherë i kanë takuar më shumë qytetetit sesa shtetit apo kombit. Qytetet për ta kanë qenë edhe shteti edhe kombi dhe akoma diç më tepër.
Historia gjithashtu është dëshmitare se në Ulqin gjithëherë ka qenë kënaqësi për të jetuar kur është lundruar, kur është zhvilluar tregti me botën, kur është thithur ajri të cilin e ka sjellë maestrali, punenati apo shroku. Për këtë arsye turizmi dhe hoteleria kanë qenë vazhdimi i natyrshëm i detarisë dhe tregtisë.
Konstanta e vetme ka qenë peshkataria. Duket se ajo ka qenë pothuajse e vetmja hallkë lidhëse me kohët e shkuara. Sepse, peshkatarët e vërtetë edhe tutje cakulitin dhe shajnë, por nuk vjedhin. Zemërohen dhe shamatohen, por nuk vërsulen mbi njëri tjetrin: nuk rrahen ashtu siç bëjnë nganjëherë punëtorët e limaneve apo fshatarët e thjeshtë. Ka edhe ndër ta konflikte (kush në cilën anë do ta hedhë rrjetin, e tani mbase edhe dinamitin), por nuk ka as përafërsisht aq ngatërresa sa ka rreth pronësisë së tokës. Më lehtë është të ndash tokën sesa detin, por është më e vështirë ta posedosh.
Sido që të jetë, deti dhe gjithçka në lidhje me detin është fati ynë.
Mbase ka ardhur koha që të kthehemi përsëri në këtë rrugë, të cilën e kemi lënë kaherë në dëmin tonë, tani me brengë në zemër dhe me plagë në shpirt, si dhe me xhepa të zbrazët. T’i rikthehemi traditës sonë, bukurisë, zhvillimit, me një fjalë, t’i rikthehemi vetvetes.
Mustafa Canka
Koha Javore





