Dinosha: Ndryshimet për përmirësimin e punës së këshillave – Video

November 30, 2009   | Politika

Ferhat DinoshaPodgoricë – Ndryshimet e Ligjit mbi të drejtat dhe liritë e pakicave janë të orientuara para së gjithash në përmirësimin e punës së këshillave nacionale, ka thënë ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Ferhat Dinosha.
Ai ka thenë se nuk bëhet fjalë për qëllimin e Ministrisë që të përzihet në punën e këshillave nacionale, por që ajo është “e obliguar të sigurojë logjistikën më të mirë për punë të suksesshme të këtyre trupave”.
“Si ministër kam pasur intencën dhe kam përfunduar diçka që, sipas meje, përmirëson disa dobësi të cilat janë shfaqur në praktikë kur bëhet fjalë për Ligjin mbi të drejtat dhe liritë e pakicave”, ka sqaruar ai.
Dinosha ka precizuar se me ligjin e ri është parashikuar që bartësit e funksioneve politike në përbërjen e këshillave të hyjnë sipas parimit të automatizmit, gjë që nënkupton se Kuvendi i elektorëve duhet të shfrytëzohet për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të cilët do të përfaqësonin sektorin civil apo intelektualët e njohur, të cilët janë të dobishëm për punën e këtij trupi.
“Kjo nuk ka qenë mjaft e qartë në rastin e zgjedhjeve të para, dhe tani kam dashur që kjo të sqarohet përmes ligjit dhe kam thënë se në Kuvendin e elektorëve mund të marrin pjesë vetëm përfaqësuesit e sektorit civil”, ka thënë ai.
Dinosha ka thënë se ka pasur raste që edhe në kuvendin e elektorëve të marrin pjesë përfaqësues të partive politike dhe faktikisht të zënë hapësirën e sektorit civil.
“Për këtë arsye, ta zëmë, Këshilli Nacional Shqiptar nuk ka sot apo ka shumë pak përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe intelektualë të njohur”, ka thënë ai.
“Kjo përbën ndryshimin e parë që është propozuar dhe që, shpresoj, do të marrë mbështetjen, ndërsa ndryshimi i dytë ka të bëjë me mjetet financiare të cilat i disponojnë këshillat nacionale dhe të cilat i jep shteti”, ka thënë Dinosha.
Sipas tij, shteti “jep megjithatë një shumë parash e cila, në këtë fazë, nuk është aq e madhe, por e cila, mund të jetë nesër më e madhe dhe është mirë që të dihet se si shpenzohen ato”.
Kryetarët e këshillave nacionale të pakicave kanë kërkuar nga institucionet kompetente që të ndalojnë procedurën e miratimit të ndryshimeve në fjalë, duke theksuar se propozimi i Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave është “joligjor, në konflikt me Ligjin ekzistues dhe normat ndërkombëtare, si dhe kundër interesave të popujve pakicë dhe bashkësive të tjera nacionale në Mal të Zi”.
Pas takimit të zhvilluar të enjten në Podgoricë, kryetarët e KNSH-së Tahir Tahiri, Këshillit Nacional Boshnjak, Sherbo Rastoder, Këshillit Nacional Musliman Sabrija Vuliq, atij Rom Isen Gashi dhe Këshillit Nacional Serb Momçillo Vuksanoviq i janë drejtuar me këtë kërkesë institucioneve kompetente dhe kanë thënë se janë të befasuar për të keq me iniciativën e ministrit Dinosha për miratimin e këtyre ndryshimeve.
Në kumtesën për opinion të lëshuar pas këtij takimi thuhet se kryetarët e këshillave nacionale i shohin këto aktivitete të ministrit Dinosha “si kontinuitet i refuzimit të tij që këshillat nacionale, në pajtim me Ligjin ekzistues, t’i pranojë si përfaqësuesit më të lartë dhe të vetëm të popujve pakicë dhe bashkësive nacionale dhe refuzimit këmbëngulës që, në pajtim me Ligjin, të kryejë konsultimet e domosdoshme me ta”.
“E gjithë kjo na çon në përfundimin se qëllimi i ministrit aktual nuk është përmirësimi i statusit të popujve pakicë, por përpjekje që këshillat nacionale të vihen nën kontrollin e partisë së tij dhe shtetit”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Në këtë debat janë përfshirë edhe përfaqësuesit e institucioneve më të larta shtetërore të Malit të Zi.
Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, ka thënë se Mali i Zi, kur bëhet fjalë për të drejtat e pakicave, edhe në legjislacionin e ardhshëm do të respektojë standardet më të larta të bashkësisë ndërkombëtare.
“Jam i bindur se edhe më tej do të vazhdojmë të jemi shembull i një normative të tillë dhe i zbatimit të ligjeve të tilla, dhe se Mali i Zi do të mund të lavdërohet vërtet, dhe mendoj se kjo do të jetë vlerë e shtetit tonë”, ka thënë ai.

Kohapress
YouTube Preview Image

2