Diskursi politik: Kulti i individit i dëmshëm për demokraci

November 30, 2009   | Shoqëria / Društvo

retorika-e-partive-shqiptare-ne-mal-te-ziPothuaj të gjitha subjektet politike legjitimitetin e tyre nuk e vendosin te programi i tyre apo te profilizimi ideologjik por te kulti i individit të liderit të tyre, nga del qartë se virusi i trashëguar nga koha e monizmit ndon;se i modifikuar është i pranishëm edhe tash në pluralizëm, çka paraqet një dukuri negative për demokracinë në përgjithësi.

  • 1.Kulti i individit dhe pluralizmi

Nëse është menduar se me miratimin e pluralizmit politik sintagma kulti i individit do t’i takojë periudhës së kaluar ka qenë një dëshirë e asgjë më shumë. Sepse të gjithë jemi dëshmitarë se kjo dukuri vazhdon edhe në pluralizëm, duke të përkujtuar të kaluarën, edhe pse në formë të modifikuar.
Formimi i partive të ndryshme politike qofshin ato nacionale apo të ashtuquajtura qytetare, mundësoi formimin e stafit të tyre drejtues me lidershipin e tyre. Dhe me kalimin e kohës lideri partiak u bë i pazë-vëndësueshëm, sepse rreth vetes krijoi stafin e bashkëpunëtoreve të devotshëm të cilët i jepnin përkrahje të vazhdueshme.
Ndërsa në raste ku kishte kundërshtime për çështje kryesisht individuale e jo kadrovike apo programore, për të forcuar poziten e vet lideret rreth vetes ofronin individë servilë, anonimus dhe mediokër. Ishte ky një veprim perfid për të ruajtur pozitën ekzistuese, ndërsa në anën tjetër bëhej spastrimi i brendshëm nga individet e padegjueshëm.
Dhe në situata të tilla, lideri partiak i cili ka krijuar kultin e individit tek elektorati i subjektit përkatës nuk zgjedh mjete madje duke shkelur rregulloren dhe statutin e subjektit për t’i mundesuar vetes rizgjedhje ne postin përkatës.
Andaj nuk është për të çuditur që disa subjekte politike ende janë me ato figura udhëheqëse pothuaj tash njezet vite, athua se nuk ekziston njeri tjetër që mund ti zëvendësojë. Por, kush shqetësohet për ate se kulti i individit është i dëmshëm për demokracinë, sepse në rend të parë janë interesat personale dhe më pas ato klanore. Ndërsa është çështje tjeter se sa janë bërë transparente veprimet e tilla karieriste dhe egoiste të individeve të kësaj kategorie tek elektorati.
Por pothuaj të gjitha subjektet politike legjitimitetin e tyre nuk e vendosin të programi i tyre apo te profilizimi ideologjik por te kulti i individit të liderit të tyre, nga del qartë se virusi i trashëguar nga koha e monizmit ndonëse i modifikuar është i pranishëm edhe tash në pluralizëm, çka paraqet një dukuri negative për demokracinë në përgjithësi

  • 2.Pluralizmi dhe liria e mendimit

Nëse liria e fjalës në monizëm ishte e kufizuar dhe e sanksionuar me ligj, që varej nga strukturat përkatëse të pushtetit, në pluralizëm, kjo është fitorja më e madhe madje për të mos thënë edhe e vetmja. Nuk ka dilemë së në aspektin politik, kjo çështje ka peshë të veçantë që varët nga subjektet e ndryshme politike. Pa dyshim së një konstatim i tillë ka vlerë relevante sidomos për ato subjekte të cilat janë autoritare, që çdo gjë varët nga udhëheqja apo lideri i tyre politik.
Përfaqësimi i subjekteve politike në pushtetin qendror dhe ate lokal paraqet sfidë të veçantë si për indvidet ashtu edhe për strukturat e tyre udhëheqëse. Fjala është tek pjesëmarrja e tyre në procesin e votimit, kur miratohen vendime të ndryshme. Përfaqësuesit e tyre deputetë apo këshilltarë kryesisht votojnë sipas rekomandimeve nga partia, edhe pse ndoshta ka raste që nuk janë dakord më qendrime të tilla.
Në raste të tilla individet të cilët kanë pikëpamje te ndryshme nga subjekti i tyre politik apo grupi parlamentar, nuk do të thot se ato janë antiparti, por ato kanë ruajtur integritetin personal. Subjektet politike të cilat miratojnë në praktikë një veprim të tillë dëshmojnë se kanë demokraci të brendshme, ndërsa në të kundërtën janë autoritare, që i ngjasojnë kohës së monizmit. Dhe nuk ka dilemë së të ardhme kanë subjektet politike me demokraci të brendshme, sepse duke përkrahur diversitetin e pikëpamjeve nuk humbin pikë politike, por përkundrazi forcojnë individet përfaqësues. Madje individet e tillë dëshmojnë në praktikë se nuk janë robër të partive politike, por ruajnë dinjitetin e tyre personal dhe profesional, që janë vlera të pakontestueshme për çdo shoqëri demokratike.

  • 3.Mendimi ndryshe vlerë e demokracisë

Në ato subjekte politike autoritare ku kulti i liderit është bërë ligj prezantimi i mendimit ndryshe pothuaj është i pamundur, madje ai është i denueshëm, e kjo ka të bëjë në veçanti nëse vjen nga individë apo grupe të ndryshme të cilët cilësohen si të “papërshtatshëm”. Dhe një veprim i tillë nuk ka dilemë se është i papranueshëm, sepse nuk ka ardhur nga lideri, andaj çdo gjë që nuk vjen nga ai nuk vlen. Në raste të tilla del qartë së mungon kultura politike e sidomos ajo e dialogut e më ketë e demokracisë së brendshme.
Dukuritë e tilla të kujtojnë bajraktarizmin që janë bërë shkak edhe për përçarjet e subjekteve politike, ku si pasoj ishte formimi i subjekteve të reja politike.
Një veprim i tillë nuk ka dilemë se krijon huti të elektorati votues duke bërë përçarjen e tij, ndërsa nga ana tjetër shkon në favor të subjekteve të mëdha politike e më ketë edhe të vet pushtetit. Në ketë dimension skena politike te shqiptarët në Mal të Zi paraqet rast tipik që meriton të hulumtohet në mënyrë të veçantë.

  • 4. Partitë e vogla duhet t’iu bashkohën atyre të mëdha

Nëse më miratimin e pluralizmit shqiptarët në Mal të Zi kishin një subjekt politik nacional (LDMZ) që më tepër i gjasonte një lëvizjeje kombëtare më kalimin e kohës gjendja ndryshoj dukshëm. Sepse në sajë të animozitetit, egoizmit dhe atavizmit politik që ishte i pranishëm të stafi drejtues i këtij subjekti ndodhi përçarja e parë e cila pasoj më vonë edhe më ca të tjera, duke u formuar një numër enormë i subjekteve politike.
Dhe sot nuk janë pak por janë gjashtë subjekte politike në skenën politike të shqiptarët në Mal të Zi, që duke marrë parasysh numrin e vogël të elektoratit është një numër i lartë dhe i palogjikshëm.
Andaj, duke pasur parasysh gjendjen ekzistuese të shqiptarët në Mal të Zi, ka kohë që ekzistojnë zëra të ndryshëm këshillues qoftë nga Prishtina apo Tirana, së është më së e nevojshme të punohet në drejtimin e bashkimit të disa subjekteve politike. Fjala është për subjektet e vogla politike të cilat në sajë të rrethanave aktuale të ardhmën e tyre e kanë në pikëpyetje. Një konstatim i tillë mbeshtetet në faktin së subjektet e tilla nuk kanë mundësi të ofrojnë diçka më rendësi në aspektin programor por edhe kadrovik, ndërsa nga ana tjetër elektorati i tyre votues është labil që u dëshmu edhe me zgjedhjet e 29 marsit të këtij viti. Nuk ka dilemë së në disfavor të tyre shkon edhe ligji zgjedhor, sepse formula e Dontonit më së shumti dëmton subjektet e vogla politike.
Andaj, bashkimi apo shkrirja e tyre në subjekte më të mëdha do të ishte zgjidhja më e duhur. Por, nuk ka dilemë se për arritjen e një kompromisi të tillë konkret duhet të ekzistojë vullneti politik nga dy apo më shumë palë. Duke e parë ketë çështje si pengesë objektive për konsolidimin e skenës politike të shqiptarët në Mal të Zi, sipas informacioneve që disponojmë një ide e tillë është prezantuar edhe në takimin që kanë pasur me 18 shtator 2009 përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Budva me presidentin e Shqipërisë z.Bamir Topi.
Andaj do të ishte e udhës që një ide e tillë të mos jetë formale si rezultat i takimit të rastit, por qellim që ajo të finalizohet. Por, për konkretizimin e një ideje të tillë duke marrë parasysh raportet jo të favorshme në mes liderëve të subjekteve politike është e nevojshme të ekzistojë një ndërmjetës për të ndikuar në imponimin e një veprim të tillë, që do të ishte në favor të shqiptarëve në ketë mjedis.

Nail Draga
Koha Javore