Në ulqin u mbajt manifestimi “ditët e kulturës së pakicave në Mal të Zi 2009”

November 30, 2009   | Kulturë / Kultura

kultura e kultures komtare te ulqinitPër afirmimin e multikulturës
Drejtori i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave, Mirsad Muliq, tha se qëllimi i këtij manifestimi është prezantimi i trashëgimisë kulturore të pakicave, eliminimi i paragjykimeve eventuale ndaj pakicave dhe afirmimi i multikulturës.
Ulqin – Me moton “Mali i Zi – Shtëpia jonë”, Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave organizoi të martën në Qendrën e Kulturës në Ulqin aktivitetin e radhës në kuadër të manifestimit “Ditët e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi 2009”.
Në program morën pjesë përfaqësuesit e pakicës shqiptare, rome, kroate dhe myslimane: Grupi i burrave “Burimi”, Grupi i grave “Bisernice Boke” – Kotorr, Rako Bend nga Podgorica, Omer Hoxhiq dhe Anida Idrizoviq, poeti Ibrahim Berjashi, SHKA “Ulqini” dhe mysafirët e mbrëmjes kantautori Sllobodan Kovaçeviq dhe aktori Sllobodan Marunoviq.
Në fjalën përshëndetëse, drejtori i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave, Mirsad Muliq, tha se qëllimi i këtij manifestimi është prezantimi i trashëgimisë kulturore të pakicave, eliminimi i paragjykimeve eventuale ndaj pakicave dhe afirmimi i multikulturës.
“Pakicat ruajnë kulturën e vet, ndërsa respektojnë kulturën e tjetrit. Ju ftoj që të gjithë të bëjmë të paktën një gjest për afirmimin e multikulturës”, tha ai.
Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Ferhat Dinosha, tha se procesi i partneritetit ndërmjet pakicave dhe Qeverisë së Malit të Zi është proces i pakthyeshëm.
“Ne do ta vazhdojmë këtë partneritet. Mali i Zi do të vazhdojë të jetë i vetëdijshëm që pa pakica nuk do të ishte në këtë nivel demokratik ku është sot”, tha ai.
Edicioni i sivjetshëm i Manifestimit “Ditët e kulturës së pakicave në Mal të Zi” ka filluar në Podgoricë, për të vazhduar në Tuz, ndërsa pas Ulqinit gjatë ditëve të ardhshme do të mbahen veprimtari të ngjashme kulturore në Tivar, Tivat, Kotorr, Petnjicë, Berane dhe Plavë.

I.Kallaba
Koha Javore