Piktori Liridon Mustafa hap ekspoziten e parë individuale në Ulqin – Video

December 6, 2009   | Kulturë / Kultura

Piktori Liridon Mustafa hap ekspoziten ne ulqinMbrëmë në Galerinë e arteve në Qendrën për kulturë të Ulqinit në prani të dashamirëve të artit u hap ekspozita e parë individuale e piktorit të ri Liridon Mustafa. Organizator i këtij aktiviteti kulturor ishte shoqata ORA në bashkëpunim me Qendrën për kulturë.

Në kërkim të poetikës së veçantë
„Ajo që bie fuqishëm në sy në punimet e ekspozuara, e që duhet kuptuar si hap shumë pozitiv për çdo krijues të ri, është këmbëngulja e autorit që shpirtërisht të gjendet brenda ambientit të tij jetësor dhe këtë ta shfrytëzojë si pikënisje, duke lëvruar peizazhin nga ky ambient dhe njëkohësisht portretin, gjegjësisht figurën njerëzore“, tha piktori dhe kritiku i artit Qazim Muja.
Piktori Liridon Mustafa hapi të enjten në Galerinë „Art“ të Qendrës së Kulturës në Ulqin ekspozitën e tij të parë individuale.
Shumica e veprave të ekspozuara, pjesa më e madhe portrete dhe peizazhe, janë pjesë e krijimeve të tij gjatë kohës së studimeve.
Piktori dhe kritiku i artit Qazim Muja në fjalën e tij tha se si çdo autor i ri, edhe Liridoni mëton të hyjë me guxim në rrugën e vet të artit, në kërkim të poetikës së veçantë, duke patur si ëndërr veprat e piktorëve të mëdhenj, të absorbuara dhe të kaluara nëpër “filtrat” e tij të ndërtuar mbi emocionet e përjetimet personale, për të ruajtur sadopak ekuivalencën artistike.
„Ajo që bie fuqishëm në sy në punimet e ekspozuara, e që duhet kuptuar si hap shumë pozitiv për çdo krijues të ri, është këmbëngulja e autorit që shpirtërisht të gjendet brenda ambientit të tij jetësor dhe këtë ta shfrytëzojë si pikënisje, duke lëvruar peizazhin nga ky ambient dhe njëkohësisht portretin, gjegjësisht figurën njerëzore“, tha ai.
Muja tha se Mustafa e bën këtë pa ndonjë abstragim të tepruar dhe pa atribute të veçanta, që do ta ngarkonin pikturën, por duke përcjellur me ngjyra dhe forma të gjitha dukuritë brenda tij.
„Këtu nuk kemi të bëjmë me diçka të stilit déjà vue, të stilit panoramik, sepse ai nuk kopjon, por e ribën atë, duke krijuar edhe qiell, edhe ujë, edhe tokë të re, pamje të reja me fuqinë e ngjyrës dhe penelit, duke na futur në një montemplacion të domosdoshëm, për t`u thelluar në kërkim të domethënies së artit të tij“, theksoi ai.
Kryetari i Organizatës Joqeveritare „Ora“, Ismet Kallaba, në fjalën përshëndetëse tha se në Ulqin ka shumë talentë në fushën e pikturës.
“Është për të ardhur mirë që komuniteti i piktorëve në qytetin tonë sa vjen e rritet dhe që përveç piktorëve që tashmë kanë bërë emër, po lind një gjeneratë e re piktorësh duke dëshmuar vijimësinë dhe traditën në këtë fushë. Ata kanë mbaruar shkollat në qendra të ndryshme, te pedagogë të ndryshëm, dhe sjellin përvoja të ndryshme në fushën e artit në qytetin tonë”, tha ai.
Por, sipas tij, piktorët e rinj kanë nevojë për ndihmë në fazën fillestare të karrierës së tyre.
“Pikërisht ky është edhe qëllimi i organizimit të kësaj ekspozite. Ne duhet t’u japim atyre shansin për t’u dëshmuar, ndërsa institucionet kompetente duhet të bëjnë më shumë për t’i ndihmuar artistët”, tha ai.
Ekspozita u organizua nga Organizata Joqeveritare „Ora“ në bashkëpunim me Qendrën e Kulturës Ulqin.
Liridon Mustafa u lind në Tivar në vitin 1985. Ai ka mbaruar Akademinë e Arteve në Tiranë më 2008, në degën e Dizajnit grafik, te prof. Ali Oseku. Ka marrë pjesë në disa ekspozita kolektive të studentëve të Akademisë së Arteve në Tiranë.

Kohapress

Piktori Liridon Mustafa hap ekspoziten ne ulqin.16

YouTube Preview Image