Kultura shqiptare dhe pluralizmi kulturor në Mal të Zi

December 18, 2009   | Shoqëria / Društvo

festivali_folkloritkPër shqiptarët duhet të themelohet Qendra Kulturore e Shqiptarëve në Mal të Zi. Ky institucion kulturor do të mbante tërë përgjegjësinë për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës për pjesëtarët e këtij populli në këtë mjedis. Vetëm në këtë mënyrë do të kemi pluralizmin kulturor në praktikë, e jo siç është tani një nebulozë terminologjike e cila iriton pjesëtarët e këtij populli. Mirëpo, për të gjitha këto duhet të ndryshojë mentaliteti i pushtetit si dhe strategjia kulturore e institucioneve të kulturës në shkallë lokale dhe atë shtetërore.

Regjistrimi i fundit i popullsisë (2003) edhe de-facto tregon se Mali i Zi është mjedis multinacional, multikonfesional, multikulturor dhe multigjuhësor. Shikuar nga ky aspekt, Mali i Zi është mjedis specifik jo vetëm për mjediset nga ish-Jugosllavia por edhe për Europën Juglindore, sepse asnjë popull nuk përbën shumicën. Për këtë arsye ky mjedis është specifik edhe për analiza nga sfera e kulturës, përkatësisht e pluralizmit kulturor. Në anën tjetër, çështje e veçantë është mungesa e strategjisë shtetërore në lidhje me multikulturën në këtë mjedis. Pa kurrëfarë dyshimi, objektiv i një shoqërie demokratike dhe institucioneve të saj nuk duhet të jetë jeta e përbashkët formale e grupimeve të ndryshme, veçse të izoluara, por qëndrimi tolerant ndaj njëri tjetrit, si dhe pranimi i Tjetrit pa formimin paraprak të paragjykimeve dhe stereotipeve. Natyrisht, për diçka të tillë është i domosdoshëm vullneti dhe shkalla e lartë e kulturës së individit, por jo vetëm e tij, sepse është detyrim i çdo qeverie demokratike, apo e asaj qeverie që synon të bëhet e tillë, realizimi i të drejtave të barabarta të të gjitha kulturave që të zhvillohen dhe të kultivojnë specifikat e veta. Ekzistimi i diversitetit të kulturave në Mal të Zi është begati për këtë mjedis. Por, në mënyrë që kjo begati të jetë edhe në vepër, duhet të ekzistojë një model i ri kulturor e jo stereotipet nga kohët e monizmit.

Amatorizmi – simbol i kulturës së pakicave

Nëse këtë çështje e trajtojmë në retrospektivën e kohës së monizmit, kultura e shqiptarëve në Mal të Zi është zhvilluar nëpërmjet amatorizmit, përkatësisht SHKA-ve të ndryshme, pikërisht duke filluar nga viti 1968. Fuhë e veprimtarisë së këtyre shoqatave ka qenë folklori, ku janë arritur rezultate të lakmueshme. Mirëpo, pas ngjarjeve të marsit të vitit 1981 në Kosovë, veprimtaria e këtyre shoqërive u pezullua ngase pushteti i atëhershëm zhvilloi fushatë antishqiptare.
Shqiptarët në Mal të Zi përqafën pluralizmin (1990) si realitet dhe me të drejtë shpresuan që të avancohej pozita dhe statusi i tyre edhe në sferën e kulturës. Por, për fat të keq jemi të zhgënjyer, sepse nga pluralizmi kulturor ku do të zhvilloheshin dhe financoheshin veprimtaritë kulturore të popujve pakicë, siç janë edhe shqiptarët në këtë shtet, në praktikë mbeti i njëjti klishe nga koha e monizmit. Kjo sepse faktet tregojnë që nga institucionet e buxhetit shtetëror u financua vetëm një kulturë, e kjo është kultura malazeze. Edhe pse Kushtetuta e Malit të Zi de-iure garanton financimin e veprimtarive kulturore edhe për shqiptarët, por de-facto në praktikë është ndryshe, që nuk është kontribut për pluralizmin kulturor dhe për ruajtjen e identitetit nacional në këtë mjedis.

Kontributi i madh i shoqërisë civile

Nga viti 1990, për zhvillimin e kulturës shqiptare në Mal të Zi një kontribut të madh e dha shoqëria civile përkatësisht sektori joqeveritar përmes shoqatave të ndryshme (“At Club” ,”Illyricum”, “Gjon Buzuku”etj.).
Është meritë e tyre që u organizuan manifestime të ndryshme kulturore, tubime shkencore, simpoziume, festivale, promovime, dhe u publikuan dhjetëra botime dhe disa revista. Kjo veprimtari u financua nga fondacione dhe donatorë të ndryshëm, kurse barrën kryesore e përballuan sidomos bashkëkombësit tanë në botën e jashtme. Ndonëse është pritur ndihma materiale nga organet e pushtetit lokal, e sidomos nga buxheti i Republikës (Ministria e Kulturës), ndihma e tyre për fat të keq ka qenë e rrallë dhe minimale. Mënyra e këtillë e veprimit të këtyre institucioneve tregon “respektin” e tyre për pluralizmin kulturor në këtë mjedis. Mirëpo, një përparim në këtë drejtim në kohë të fundit bëri Fondi i Pakicave, e gjithashtu, nga ana e vet, edhe Ministria e Kulturës, duke aplikuar institucionin e konkursit, i cili të paktën ofron mundësinë e konkurrimit në garën për mjetet edhe ashtu të vogla që veçohen për kulturë.

Përparim pozitiv, por i pamjaftueshëm

Nga sfera e veprimtarisë botuese, përkatësisht e botimit të revistave në vitet e fundit është bërë një përparim pozitiv, sepse ndër pesë revistat në Mal të Zi mori dritë jeshile edhe “Lemba” e cila është e vetmja revistë në gjuhën shqipe. Mirëpo shqiptarët rrallëherë kanë shans në këto konkurse, ngase ekziston një nepotizëm i pashkruar, kurse nga ana tjetër në këto komisione nuk figuron asnjë anëtar shqiptar i cili do të mund të jepte mendimin e vet lidhur me projektin e caktuar, për ç’arsye finansohet tërësisht kultura malazeze.
Për t’u përmirësuar në njëfarë dore kjo gjendje e paprënueshme jam i mendimit që është detyrë e Ministrisë së Kulturës që të hapë konkurs të posaçëm për kulturat e popujve pakicë, në të cilat do të konkurronin me projektet e veta subjektet kulturore apo individët nga këta popuj.
Trashëgimia kulturore e shqiptarëve është pjesë e mozaikut të gjithëmbarshëm kulturor të Malit të Zi dhe si e tillë duhet të ketë të njëjtën mbrojtje dhe kushtet e avancimit, studimit dhe prezantimit para publikut. Së këndejmi për ne është i papranueshëm veprimi që institucionet e Malit të Zi, të cilat financohen nga buxheti i shtetit, në të ardhurat e të cilit participojnë edhe qytetarët e kombësisë shqiptare, nuk shfaqin interesim që të mbështesin edhe kulturën shqiptare në këtë mjedis.
Për shkak të një qëndrimi dhe veprimi të këtillë askush nuk mund të sqarojë përse nuk financohet asnjë projekt nga lëmi i kulturës shqiptare nga ana e Ministrisë së Kulturës, në të njëjtën mënyrë sikurse për kulturën malazeze.
Gjithëherë kam apostrofuar se është e domosdoshme të financohen projektet cilësore, e jo cilatdo projekte nga kultura shqiptare, sepse ka kaluar koha e diletantizmit kulturor.

Mungesa e një modeli kulturor

Ndonëse Mali i Zi është mjedis multikulturor, ai nuk ka modelin e vet të zhvillimit kulturor, si mjediset e tjera bashkëkohore demokratike dhe multikulturore. Së këndejmi si model analog nga kjo sferë mund të shërbejnë Belgjika, Zvicra, Finlanda etj. Për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës së vet, popujt pakicë duhet të kenë subjektet e veta kulturore, të cilat do të financoheshin nga buxheti i shtetit. Nga ky aspekt, për pjesëtarët e popujve pakicë duhet të themelohen institucione të posaçme të kulturës si kudo në mjediset demokratike miltinacionale dhe multikulturore.

Subjekti kulturor i veçantë

Konkretisht për shqiptarët duhet të themelohet Qendra Kulturore e Shqiptarëve në Mal të Zi. Ky institucion kulturor do të mbante tërë përgjegjësinë për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës për pjesëtarët e këtij populli në këtë mjedis. Vetëm në këtë mënyrë do të kemi pluralizmin kulturor në praktikë, e jo siç është tani një nebulozë terminologjike e cila iriton pjesëtarët e këtij populli. Mirëpo, për të gjitha këto duhet të ndryshojë mentaliteti i pushtetit si dhe strategjia kulturore e institucioneve të kulturës në shkallë lokale dhe atë shtetërore.

(Autori është redaktor përgjegjës i revistës “Lemba”)

Dr. Nail Draga
Koha Javore

YouTube Preview Image
1