Mali i Zi: Do të rregullohet shtrati i Bunës

January 20, 2010   | Shoqëria / Društvo
Rafet HusovicNjoftimet nga Mali i Zi thonë se përmbytjet e këtij fillim muaji edhe në këtë vend kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Anëtari i qeverisë malazeze dhe kryetar i komisionit qeveritar për fatkeqësi elementare, Rafet Husoviq, thotë për BBC-në se pret që pas qetësimit të plotë të situatës Shqipëria dhe Mali i Zi të konkretizojnë projektin e përbashkët për rregullimin e shtratit të lumit të Bunës.

Ky projekt, sipas zyrtarit të lartë malazez mund të marrë edhe mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Me ministrin Husoviq bisedoi Seladin Xhezairi dhe fillimisht e pyeti se cili është epilogu i përmbytjeve të ditëve të kaluara në këtë vend?

Husoviq: Dëm i madh i është shkaktuar komunës së Cetinës, Gollubovcit dhe gjithësesi komunës së Ulqinit. Në Ulqin niveli i Bunës u rrit shumë, u përmbytën edhe disa vendbanime. Ndodhi që të paraqitet edhe era e jugut që pengoi derdhjen e Bunës në det dhe u regjistrua një kthim mbrapa, gjë që ndikoi që edhe niveli i liqenit të Shkodrës të rritet për nja një metër e gjysëm. Prandaj, gjithë kjo shkaktoi shumë dëme, por njoftimet më të fundit flasin se kemi një tërheqje të dukshme të ujit dhe në Ulqin situata paraqitet paksa më e mirë.

BBC: A posedoni të dhëna të përafërta për dëmet e shkaktuara?

Husoviq: Ne kemi inspektuar në hollësi të gjitha këto terrene, e angazhuar ka qenë Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes, si dhe komisioni që unë drejtoj, por është ende herët të flitet për dëmet, sepse thjesht uji ende nuk është tërhequr nga të gjitha shtëpitë dhe vendbanimet, kështu që presim që brenda një apo dy ditësh komisionet për vlerësimin e dëmeve të nisin punën dhe shpresoj se brenda nja dhjetë ditësh do të njoftohet se cilat janë dëmet e përafërta. Në këtë moment me të vërtetë nuk mund të flitet për dëmet.

BBC: Zoti ministër, në Shqipërinë fqinje, autoritete shqiptare kanë thënë se dëmet e shkaktuara do të kompensohen nga buxheti i shtetit. Si do të veprohet tek ju në Mal të Zi?

Husoviq: Edhe ne do të veprojmë ngjashëm, vetëmse Qeveria e Malit të Zi nuk mund të kompensojë në tërësi të gjitha dëmet e shkaktuara, por më duhet të theksoj se qysh tash janë paraqitur disa donatorë, shoqata biznesmenësh, organizma të tjerë të ndryshëm si Kryqi i Kuq e të tjerë. Ne presim edhe më shumë ndihmë nga ekonomia dhe gjithësesi se edhe qeveria do të ketë një pjesëmarrje të konsiderueshme, me qëllim që qytetarëve t’ju kompensohet një pjesë e madhe e dëmit të shkaktuar.

BBC: Ditë më parë, kryeministri i Shqipërisë fqinje, Sali Berisha, duke folur për masat që do ndërmerren me qëllim të zbutjes së pasojave të vërshimeve eventuale, paralajmëroi bashkëpunimin me Ju, Malin e Zi, me qëllim të rregullimit të shtratit të lumit të Bunës. Çfarë mund të thoni më shumë?

Husoviq: Gjithësesi se edhe ne jemi të interesuar që ky problem të zgjidhet. Ministria e Punëve të Brendshme dhe kryetari i komunës së Ulqinit kanë biseduar për këtë çështje me njerëzit relevantë në Shqipëri dhe mendojmë se një projekt i përbashkët që do të paraqitej edhe para Bashkimit Europian do të kishte jehonë të mirë dhe sigurisht se do të akordoheshin edhe mjete të caktuara, duke marrë parasysh se fjala është për mbrojtjen e mjedisit dhe të thuash për një problem rajonal. Presim se në këtë plan mund të bëhet shumë. Janë planifikuar aktivitete për periudhëm menjëherë pas qetësimit dhe tërheqjes përfundimtare të ujit. Atëherë ministritë e ngarkuara për këtë pjesë të punës do të vazhdojnë veprimet e përcaktuara dhe mendoj se do të kemi një zgjidhje pozitive.

BBC: Dhe, krejtësisht në fund, zoti ministër, në Shqipëri lidhur me përmbytjet zhvillohen polemika të ashpra mes qeverisë dhe opozitës. Kjo e fundit thotë se fajtore për to nuk është natyra por faktori njeri, respektivisht qeveria. Si është atmosfera tek ju kur është fjala për këtë?

Husoviq: Tek ne gjendja është krejtësisht tjetër. Thjesht, njerëzit e kanë kuptuar se këto janë fatkeqësi elementare, se natyra e ka kryer një pjesë të punës së vetë dhe vërtet është vështitë t’i kundërvëhesh asaj mase të madhe të ujit e cila për shkak të detit nuk mundi të derdhet, por u kthye mbrapsht. Njerëzit të cilët ne i vizituam këto ditë e kishin të qartë se kjo do të ndodhte edhe sikur dikush tjetër të ishte në pushtet, prandaj këso ndarjesh tek ne nuk janë të theksuara dhe mendoj se për to, në këtë rast konkret, nuk ka vend.

BBC

5FrdkYQGbpg

Video nga Ana e Malit – Permbytjet 2010
YouTube Preview Image