Rezarta Shkurta: Ermalin e propozova unë e para..

January 23, 2010   | Lajmet / Vijesti

Rezarta ShkurtaNdërsa rreket të na tregojë për fillimet në botën e artit që i konsideron si një nga dashuritë e jetës, përplaset me një tjetër dashuri. Po, po, përplaset! Kështu e ka njohur Rezarta Shkurta bashkëshortin e saj, Ermalin. Ai me makinën e tij, ka goditur makinën e Shkurtës në sheshin “Nënë Tereza” dhe në këtë rast në vend të “plasë” një sherr mes të dëmtuarit dhe fajtorit shfaqet diçka tjetër. Duket se nga shkëndija e përplasjes së makinave lindi një dashuri që sot është kurorëzuar në martesë. Në fakt mbiemri i tij të thotë shumë gjëra. Ai është nipi i ish-udhëheqësit të Shqipërisë për 50 vjet, Enver Hoxha. Po çfarë rëndësie ka, Rezarta dashuron njeriun dhe në këtë rast Ermalin… Shpesh ajo është e paparashikueshme në gjerat që bën.

Rezi nuk ka vetëm një profesion. Nuk është vetëm këngëtare, vetëm piktore apo vetëm modele…i ka të gjitha. Momenti kur ajo merr telajon dhe penelin për të hedhur ndjesitë e saj në tablo pikturash janë orët e vona të natës kur qytetit i ka rënë qetësia. Më punimet e fundit ajo premton se do të vijë pranë publikut me një ekspozitë, e cila është e dyta për Rezartën. Këngët që ajo këndon dhe daljet në ekran janë vazhdimisht të kuruara deri në detaje. Respekti për imazhin duket se e ka bërë Shkurtën të jetë e kujdesshme në këtë pikë. Këngë dhe një videoklip tërësisht “fringo” janë prurjet më të reja të personazhit tonë, e cila duket se po ja merr shijen dita-ditës. Në këtë rrëfim ajo tregon gjithçka që nga fëmijëria e deri te martesa. Që nga piktura, pasioni për fotografin e deri te dëshira e momentit për t’i braktisur të gjitha…

Rezarta, me çfarë melodie u zgjuat sot në mëngjes?

Nën melodinë e telefonit tim, ku si gjithmonë u zgjova me vonesë ndaj punëve që kisha caktuar.

Je bërë pjesë e artit dhe e modës në një moshë të vogël, ndiheni e lodhur apo jeni vazhdimisht energjike dhe në kërkim të të rejave?

Të dyja këto faza i kaloj, ka raste që ndjehem e poshtëruar, por edhe raste kur ndjehem e lodhur gati për të braktisur shumë punë.

Së fundi, keni ardhur me një këngë dhe bashkëpunim krejtësisht të veçantë. Ishte ideja juaj?

Si fillim mora ftesën për këtë bashkëpunim, ku pasi dëgjova këngën e pranova me shumë kënaqësi e më pas për sa i përket klipit i lashë dorë të lirë “Max Production”.

Na tregoni pak për fëmijërinë tuaj, si ka kaluar ajo, e kishit menduar se një ditë do të ishit kaq e famshme?

Kam kaluar një fëmijëri të lumtur, por gjithashtu të ngjeshur me aktivitete. Unë kam qenë pjesë e pallatit të pionierëve, ku është një qendër që angazhon fëmijët artistë. Nuk e kisha menduar që do të isha këtu për vet moshën.

Një nga pasionet tuaja është dhe fotografia, kur keni fotografuar për herë të parë?

Nuk mund të them kohën saktë, por më kujtohet që kam qenë në tetëvjeçare ku im vëlla më solli si dhuratë aparatin e parë profesional “Canon”, ku unë eksperimentova fotot e para.

Pse ju pëlqen ky art? Dashuria kundrejt diçkaje që të fal kënaqësi nuk ka pse, thjesht e dashuron dhe kaq.Çfarë do të donit më shumë të fotografonit?

Zakonisht më pëlqen të fotografoj model, jam më shumë e tërhequr nga fotot “fashion” ndryshe nga piktura, ku me tërheq më shumë piktura klasike.

Dëshironi më shumë të jeni para apo pas aparatit?

Pa diskutim pas.

Cila është fotoja më e bukur që keni realizuar deri më tani?

Mendoj se nuk e kam realizuar ende foton më të bukur.

Cili është raporti juaj me ngjyrat?

Është i njëjti raport që kam me ajrin.

Në çfarë momentesh frymëzoheni për të pikturuar?

Zakonisht mbrëmjeve ku e gjithë jeta bie në një relaks.

I keni pasur idetë e qarta vazhdimisht se do të bëheshit, modele, këngëtare, piktore, fotografe apo gjithçka ka evoluar me kohën?

Thjesht unë kam ndjekur ëndrrat, dëshirat dhe pasionet e mia pa menduar shumë.

Keni përmasa trupi thuajse perfekte, si ja bëni për të ruajtur këtë linjë që shumë femra e kanë zili?

Në fakt deri më tani ka qenë metabolizmi i mirë, por kohët e fundit kam ndjerë nevojshmërinë e palestrës, kështu që shumë shpejt më pret një punë e madhe.

Jeni një nga ish-Miss-et më të preferuara të aparateve, por edhe një nga më të paguarat, pas këtyre sukseseve, ndiheni e pasur! Jo vetëm nga ana e realizimit tuaj si femër, por edhe nga ana monetare?

Për sa i përket vetëkënaqësisë po dhe jo pasi mendoj se ende kam shumë për të punuar. Ndërsa në lidhje me atë monetare zakonisht në Shqipëri pagesat janë qesharake kështu që asnjë artist nuk mund të bëhet i pasur vetëm me art.

Rezarta, e konsideroni veten me fat që në një periudhë kohe kaq të shkurtër, keni arritur të bëni emër dhe të jeni e suksesshme?

Nuk ka lidhje fati, kam punuar për të qenë këtu. Nëse i futesh me përkushtim diçkaje e arrin.

Ka ndonjë person të cilit ja dedikoni këto suksese?

Absolutisht që po… Rrezartës që nuk është dorëzuar nga asgjë dhe familjes për mbështetjen.

Për çfarë arsye do të mund ta braktisnit karrierën tuaj?

Nëse do të më vinin si kusht që të zgjohesha gjithmonë në mëngjes herët do të ishte një arsye shumë e fortë për ta braktisur (qesh).

Në cilën fushë jeni më shumë e përkushtuar në modë, apo muzikë?

Në pikturë, aktualisht po punoj për ekspozitën time të dytë.

Tani jeni e re dhe e bukur, si e mendon veten plakë, ke frikë nga plakja?

Edhe pse ka kohë për ta menduar, por gjithsesi me shumë qejf nuk po e pres.

Do të realizoje ndonjëherë ndërhyrje në trupin tënd, operacione plastike, në qoftë se po, ku?

Patjetër që po. Ne momentin e parë që do ta shoh të arsyeshme. Për fat të mirë ende s’ia ndjej nevojën

Ju jeni modele, do të pozonit nudo në një revistë, në shkëmbim të një shume të madhe lekësh?

Në momentin që do ta kisha primare si profesion, mbase… Por, unë bëra disa kohë që nuk e ushtroj si profesion modelimin.

Cila është surpriza më e madhe dhe interesante që i keni bërë ndonjëherë të dashurit tuaj?

Çdo ditë ne kemi surpriza midis njeri-tjetrit nuk di të të them diçka të veçantë në këto momente.

Dimë që jeni e martuar zyrtarisht me Ermal Hoxhën, por nuk kemi marrë vesh ende për ndonjë ceremoni martesore, si e imagjinoni atë ditë dhe si e dëshiron?

Të jem e sinqertë nuk jam shumë e tërhequr nga ceremonitë, kjo është edhe arsyeja që është shtyrë.

Bashkëshorti juaj është nipi i ish-udhëheqësit të Shqipërisë, si ndiheni krah tij, ju bezdis ky fakt?

Për mua ka rëndësi njeriu që kam pranë dhe që më bën të ndjehem e lumtur.

Na tregoni pak ju lutem se si ka ardhur njohja juaj me Ermalin?

Kemi bërë aksident me makinë. Kemi qenë tek sheshi “Nënë Tereza”, ku Ermali më përplasi pak nga mbrapa. U takuam nja dy ditë për të sistemuar gjërat. Dhe më pas ndodhi aq shpejt e gjitha sa nuk di të të them më shumë.

Propozimi i parë ishte nga ju, apo nga Ermali?

Nga unë.

E kuptuat menjëherë që diçka po linde mes jush, apo u desh kohë?

Dashuri me shikim të parë.

Cila është ajo gjë që pëlqeni më shumë tek ai?

Gjithçka.

Po ai tek ju ?

Duhet të pyesësh atë.

Ju këshilloni apo sugjeron ai për punët e tua, qoftë në muzikë apo pikturë?

Mua më pëlqen të kërkoj mendimin e tij.

Cili është komplimenti më i veçantë që ju ka bërë ndonjëherë?

Sekret.

Sipas jush, çfarë duhet të ekzistojë mes një çifti që një lidhje të jetojë gjatë?

Midis një çifti për mendimin tim duhet të ketë dhe miqësi, ku me personin që ke pranë të ndash çdo mendim, tamam si një mik të mirë.

Kur nuk do ta falnit një tradhti?

Nëse do të ishte më shumë se një herë. (qesh) Keni mbaruar për pikturë, madje keni hapur edhe ekspozitë, vazhdoni për psikologji, jeni modele dhe këngëtare.

Keni bërë një “mix” pasionesh dhe profesionesh. Çfarë i lidh të gjitha këto bashkë për të qenë tek Rrezarta?

Dashuria për Artin.

Bota me ngjyra e Rezarta Shkurtës!

Rezarta nuk bën dallime për ngjyrat. I gjithë spektri është i preferuari i saj. Marrëdhënia me to është aq e afërt sa ajo nuk ndan dot një si më të preferuarën. Në fakt duket se dhe jeta dhe karakteri i Rezartës i ka të gjitha ngjyrat në brendësi. Një dashuri të mbushur me surpriza, një karrierë të suksesshme dhe jetë që rrezaton paqe.

PYETSORI I PRUSTIT

“E lumtur më shumë seç duhet”
Çfarë është lumturia absolute për ju?
Diçka që nuk ekziston, nuk ka lumturi absolute.
Çfarë ju bën të zgjoheni në mëngjes?
Diçka e pashmangshme, duhet të zgjohesh s’ke ç’bën.
Hera e fundit që keni qeshur me shpirt?
Dje.
Tipari kryesor i karakterit tuaj?
Vendosmëria.
Defekti juaj kryesor?
Vendosmëria e tepërt edhe kur mund ta kem gabim.
Ndaj cilave gabime jeni më tolerante?
Gabimeve që bëhen pa dashje.
Hera e fundit që u përlotët?
Para pak ditësh gjatë një filmi në kinema.
Udhëtimi juaj i preferuar?
Paris.
Shkrimtarët tuaj më të dashur?
“Khaled Hussein”
Cilin virtyt vlerësoni më shumë tek një burrë?
Burrërinë.
Tek një grua?
Forcën, pamposhtmërinë.
Kompozitori juaj i preferuar?
Kam shumë.
Kënga që fërshëlleni kur bëni dush?
“O nënë” nga Sherif Merdani. (qesh)
Libri që ju la mbresë të pashlyeshme?
“Gjuetari i Balonave”
Filmi që ju la mbresë të thellë?
“The new moon”
Piktori juaj i dashur?
“Clode Monet”
Ngjyra juaj e preferuar?
I gjithë spektri.
Kë konsideroni si suksesin tuaj më të madh?
Ende se kam bërë.
Çfarë është ajo për të cilën pendoheni më shumë?
S’jam penduar ende asgjë.
Çfarë urreni më shumë në këtë botë?
Hipokrizinë dhe gënjeshtrën.
Frika juaj më e madhe?
Insektet.
Në çfarë rastesh zgjidhni të thoni gënjeshtra?
Për të shpëtuar nga ndonjë situatë e pakëndshme.
Keni dhënë ndonjëherë ryshfet?
Po.
Cila është motoja juaj?
Puno, fito.
Si do të dëshironit të vdisnit?
Preferoj të mos vdes.
Po të ndodhte të takonit Zotin, çfarë do t’i thoshit?
A e lexove intervistën time? (qesh)
Në çfarë gjendje shpirtërore gjendeni kohët e fundit?
E lumtur më shumë seç duhet! (qesh)

Gazeta Shekulli

YouTube Preview Image

1