“Art Club” sinonim i kulturës shqiptare në Malin e Zi

January 24, 2010   | Kulturë / Kultura

Ulqin, 22 janar – Drejtues të Shoqatës së artistëve dhe intelektualëve “Art Club” e Ulqinit, thanë për KosovaLive se në 20 vjetorin e themelimit, kjo shoqatë mund të mburret se ka arritur të sfidojë vështirësitë dhe të nxjerr në pah vlerat e kulturës së shqiptarëve në këtë shtet.
Kryetari i “Art Club”, Haxhi Shabani thotë për Kosovalive se me firmën e kësaj shoqate janë botuar rreth 100 tituj veprash nga fusha e letërsisë, shkencës, publicistikës të autorëve shqiptarë.
“Tashmë kemi nisur me një kolonë të botimit të veprave të zgjedhura të shkrimtarëve shqiptarë në Malin e Zi, të cilët këtë letërsi, si pjesë e asaj shqiptare, e kanë themeluar dhe vazhdojnë ta mbajnë gjallë”, tha ai.
Ai thotë se redaksia e botimeve të shoqatës është duke punuar intensivisht që një përzgjedhje e autorëve shqiptarë të përkthehet e botohet në gjuhën malazeze, për të dëshmuar se shqiptarët edhe në këtë segment të kulturës i kanë vlerat e dëshmuara.
Shabani shton se shoqata sivjet do të nxjerrë një botim shumë të rëndësishëm mbi pozitën e sotme të gjuhës shqipe në Mal të Zi. Në këtë ndërlidhje, në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, në Ulqin “Art Club” mblodhi studiuesit më eminentë të hapësirës shqiptare dhe kumtesat janë një kontribut shumë i rëndësishëm i pozitës së gjuhës shqipe në Malin e Zi.
Ai paralajmëroi rikthimin e karvanit të shkrimtarëve shqiptarë për fëmijë nga Mali i Zi, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia në shkollat shqipe në Mal të Zi, si dhe vazhdimin e takimeve të mirënjohura tradicionale ndërkombëtare “Kalimerja poetike“ në Ulqin.

Koha NET

2