Tadic: E palogjikshme që serbët të jenë pakicë në Mal të Zi

January 26, 2010   | Rajoni / Region

Boris TadicGjatë një interviste për gazetën malazeze ‘Dan’, presidenti serb, Boris Tadic, kritikoi themelimin e Këshillit Nacional Serb në Mal të Zi. Sipas tij, është e palogjikshme që serbët të jenë pakicë në Mal të Zi.
“Konsideroj se ai(Këshilli) është i padobishëm për popullin serb që jeton në Mal të Zi, dhe në këtë kontekst Serbia nuk mund të qëndrojë pas vendimeve të tilla, e as t’i përkrahë vendimet e tilla”, tha Tadic.
Presidenti serb vlerësoi se është e panatyrshme dhe e pabazuar historikisht që populli serb të jetë pakicë kombëtare në Mal të Zi.
“Serbia nuk po përzihet në punët e brendshme të secilit shtet, por është detyrë e imja që ta përsërisë edhe njëherë se, e konsideroj jo të natyrshme dhe plotësisht të pabazuar historikisht që populli serb në Mal të Zi të fitojë trajtimin si pakicë kombëtare, sepse serbët në Mal të Zi janë autokton dhe ata kanë marrë pjesë në historinë dhe krijimin e tij”, theksoi Tadic, derisa shtoi edhe atë se “sot është shumë komplekse të vendoset një kufi i qartë i identitetit të popullit serb dhe atij malazez”.

Duke folur për marrëdhëniet në mes të dy shteteve, presidenti Tadic nënvizoi se vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Malit të Zi dhe Kosovës ka thelluar dallimet ndërmjet politikave zyrtare të Beogradit dhe Podgoricës, megjithëse ka shprehur shpresën se me kohë do të vije deri te përmirësimi i marrëdhënieve.

RFE


1