Buna shndërrohet në leverdi ndërshtetërore

January 31, 2010   | Shtypi / Mediji

Lumi Buna_ulqinUlqin, 27 janar – Ministri malazias i Transporit, Detarisë dhe Komunikacionit, Andria Lompar me homologun e tij shqiptar, Sokol Olldashi, në mbrëmjen e së martës kanë konfirmuar idenë e valorizimit të lumit Buna, njofton KosovaLive.
“Ekziston interesi i dyanshëm për hartimin e një elaborati për thellimin e Bunës edhe për ta ribërë atë të lundrueshëm”, u shpreh ministri shqiptar i Transportit , Sokol Olldashi.
Pas takimit në kabinetin e kryetarit të Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, pa praninë e medias, dy ministrat në një konferencë të gazetarëve të shumtë të interesuar, deklaruan se me këtë rast është aktualizuar ideja e ndërtimit të rrugëve rajonale ndërkufitare Plavë-Vermosh-Podgoricë, Velipojë-Ulqin.
Në një prononcim për KosovaLive, Olldashi tha se tashmë 75 për qind të punimeve ndërtimore të këtij objekti janë kryer, por nuk fiksoi ndonjë datë se kur mund të përurohet ajo.
Nga ana tjetër, edhe ministri malazias, Andria Lompar e quajti shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me Shqipërinë në ndërtimin rrugëve kufitare, mbi të gjitha të pjesës që kalon nëpër Mal të Zi, përkatësisht Plavë-Guci-Shqipëri-Podgoricë.
“Do të kandidojmë iniciativa të përbashkëta rajonale. Mali i Zi projekteve të Shqipërisë në këtë frymë do t’u japë përkrahje të plotë”, tha ministri malazias i transportit.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga u shpreh se Ulqini po konfirmohet si një qendër e rëndësishme diplomatike edhe urë lidhëse midis Malit të Zi dhe Shqipërisë.

Koha Net