Ferhat Dinosha: Kriza e Tiranës kapërcen kufijtë

February 12, 2010   | Shtypi / Mediji

“Tensioni ndikon edhe te faktori politik shqiptar jashtë kufijve shtetërorë”
Një tjetër sinjal i rëndësishëm për uljen e tensioneve politike në Shqipëri dhe nisjen e dialogut mes mazhorancës dhe opozitës ka ardhur nga një prej personaliteteve të rëndësishme të jetës politike të hapësirës mbarëshqiptare. Është pikërisht Ferhat Dinosha, ministër i Pakicave Kombëtare në Mal të Zi dhe kreu i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, i cili në një intervistë për “Shqip” lëshon një mesazh të fortë, por që sipas tij është jetik për normalizimin e politikës së shqiptarëve kudo që jetojnë…

Zoti ministër, tani dy vjet pas pavarësisë së Malit të Zi, si është pozita e shqiptarëve këtu, duke u bazuar me standardet e të drejtave të tyre?

Shqiptarët janë një faktor i pakapërcyeshëm dhe definitivisht përbëjnë një shtyllë relevante të të gjitha fazave kyçe të shtetit të ri të Malit të Zi. Pavarësia ishte një zhvillim i rëndësishëm, që përbën stadin e parë vital edhe për shqiptarët, pasi është hequr varësia nga Beogradi, i cili ishte pengesa e madhe e plotësimit të të drejtave tona. Tani duhet një qasje tjetër dhe ne po punojmë në një kuadër të ndryshëm. Mali i Zi është vendi i parë ballkanik që ka një ministri për pakicat kombëtare, dikaster që ka rëndësi për të institucionalizuar kërkesat e minoriteteve. Megjithatë mund të themi se ende nuk ia kemi dalë për të implementuar të gjitha standardet. Më e rëndësishmi nga këto standarde është përfaqësimi proporcional i minoriteteve në institucionet dhe administratën e Republikës së Malit të Zi. Shqiptarët përbëjnë 7% të popullsisë së këtushme, ndërsa në institucionet republikane apo edhe organet e tjera të shtetit është përfaqësuar vetëm 2% e tyre. Ne kemi një ligj zgjedhor që përcakton se Shqiptarët duhet të kenë 5 deputetë në Parlamentin malazez, por ne kemi pasur një problem se një pjesë e votave të shqiptarëve shkojnë për partitë në pushtet në Mal të Zi, ndaj dhe kemi kërkuar që 5 parlamentarët t‘u përkasin subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi. Shpresojmë se do ta kalojmë sa më shpejt këtë problem. Por ne mund të themi hapur që në forcimin e pozitës sonë presim një ndihmë të madhe edhe nga Tirana zyrtare, e cila realisht nuk ka qenë shumë prezente për shqiptarët në Mal të Zi.

Ju thoni që Tirana nuk ka qenë prezente. A mund të na e shpjegoni më mirë këtë? Para pak kohësh në Podgoricë ishte për vizitë edhe zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta. A ia keni bërë prezent këtë kërkesë?

Ne kemi kontakte të vazhdueshme me autoritetet më të larta të Shqipërisë dhe këto kontakte ne do t‘i forcojmë edhe më shumë. Por mendoj se Tirana duhet të bëjë më shumë për shqiptarët e Malit të Zi. Kur them ndihmë, unë nuk nënkuptoj për një mbështetje direkte financiare, pasi ne nuk duhet t‘i hymë në hak buxhetit të Shqipërisë. Por ne mendojmë se ka rrugë për një bashkëpunim më intensiv në këtë aspekt. Një moment i rëndësishëm është lidhja e terrenit shqiptar me projektet e reja infrastrukturore, që janë bërë dhe do të përgatiten nga Shqipëria. Nisja e një rruge të re që lidh Plavën me Podgoricën, duke kaluar nëpër Shqipëri, nga Vermoshi, do ta kthejë këtë projekt infrastrukturor në një rrugë ndërshtetërore, që do të jetë një plus i madh jo vetëm për banorët e Plavës, por edhe për lidhjen me Kosovën. Një projekt tjetër do të ishte rruga që lidh Shëngjinin me Velipojën dhe më pas me Ulqinin, duke e forcuar më shumë aksin turistik të trevave shqiptare. Deri tani kemi një numër të konsiderueshëm turistësh nga Shqipëria, që preferojnë zonat turistike joshqiptare në Mal të Zi. Është një zgjedhje preferenciale e tyre, pasi ndoshta kapacitetet e Bidvas janë më të mëdha se Ulqini. Por ne mendojmë se zhvillimi i zonës së Ulqinit, duke sjellë këtu investime të mëdha me kapitale të huaja, do ta kthejë këtë zonë me një potencial ekonomik, ku mund të punësohen edhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Shkodrës, pasi Ulqini nuk ka një potencial të madh për punësim, kështu përfitimet janë të dyanshme.

Z.Dinosha, politika shqiptare prej kohësh është bllokuar nga një krizë e cila është përforcuar edhe me një tensionim të klimës politike. Përfaqësues të rëndësishëm ndërkombëtarë kanë kërkuar nisjen e një dialogu dhe uljen e konfliktualitetit. Por këto apele i kanë bërë edhe personalitete të njohur shqiptarë të të gjitha fushave, duke u nisur që nga Presidenti i Republikës, ish-presidentët Moisiu e Meidani, z.Godo etj. Ndërsa Z.Arbën Xhaferri, në një intervistë për “Shqip”, theksonte se ka rrezik të dështojë demokracia shqiptare. Ju, si një përfaqësues i rëndësishëm i politikës mbarëkombëtare, çfarë mesazhi do të kishit për klasën politike në Shqipëri?

Më duket se nuk është aspak e nevojshme për tensionim të skenës politike shqiptare, kudo qoftë ajo. Klasa politike, qoftë në pozitë, qoftë në opozitë, duhet të jetë e vetëdijshme se zhvillimet e reja demokratike sot nuk kanë nevojë për çjerrje, por kanë nevojë për forcim të institucioneve, por edhe jetës institucionale të subjekteve politike, sepse mendoj se kështu na duan edhe më tepër miqtë tanë, pa të cilët nuk do të ishin realizuar projektet me të cilat sot shqiptarët mund të mburren. Natyrisht ecja e proceseve politike në Shqipëri ndikon më së shumti në sjelljen e faktorit politik shqiptar jashtë kufijve dhe nuk më vjen mirë që aktualisht skena politike e Shqipërisë ngarkohet me sjellje dhe fjalë të panevojshme, që nuk u bëjnë mirë as vetë klasës politike brenda Shqipërisë e as klasës politike jashtë saj. Nga pozicioni i një shqiptari “të vogël”, i bëj apel faktorit politik në Shqipëri që të na lenë rehat me akuzat e ndërsjella, madje edhe të karakterit personal. Do të ishte e rëndësishme që porositë konstruktive që kanë për publikun t‘i bëjnë para mikrofonave të institucioneve dhe medias shqiptare.

Ylli Pata
Gazeta Shqip