Libër ‘Dermatologjia’ nga prof.dr.Simë Dobreci

February 23, 2010   | Shoqëria / Društvo

Libër i sëmundjeve të lëkurës
Në Prishtinë, në fillim të shtatorit më 2009, doli nga shtypi teksti universitar për sëmundjet e lëkurës i prof. Dr Simë Gjon Dobrecit, DERMATOLOGJIA, botim i katërt i përmirësuar dhe i plotësuar. Në ditët e sotme, ku pavarësisht se informacioni është i shumtë, por duke qenë kaotik, botimi i librave të këtillë në fushën e mjekësisë me një përzgjedhje dhe cilësi të lartë të informacionit, është një ndihmesë e madhe për përgatitjen teorike dhe profesionale të studentëve dhe të specializantëve.
Prof. Dr Simë Gjon Dobreci ka realizuar ribotimin e tekstit mësimor të sëmundjeve të lëkurës në përputhje me ndryshimet që kanë ndodhur në këtë disiplinë në vite, për këtë arsye kjo ndërmarrje me përmirësimet e veta vlen të lavdërohet.
Librit ia rrit vlerën mënyra koncize dhe e kuptueshme e të shkruarit. Terminologjia profesionale kryesisht është shqipëruar, që është për çdo lëvdatë. Termi shqip aty-këtu duket i panatyrshëm në krahasim me termin e huaj, të huazuar, por populli i cili mund të krenohet me mjekësinë tradicionale 2400 vjeçare, ka edhe obligim t’i respektojë dhe t’i forcojë rregullat e veta të terminologjisë mjekësore. Gjatë plotësimit me të dhëna të reja të botimit të katërt të tekstit DERMATOLOGJIA, autori ka angazhuar edhe bashkëpunëtorët e tij të rinj, me çka si pedagog i mirëfilltë ka përcjellë përvojën e tij të çmueshme te pedagogët e ardhshëm të dermatologjisë, përvojën se si shkruhet një tekst universitar.
Libri përbëhet nga pjesa e përgjithshme dhe ajo e veçantë. Në pjesën e përgjithshme jepen nocionet bazë të dermatologjisë. Përshkruhen me hollësi elementët morfologjikë të rëndësishëm për të kuptuar pjesën e veçantë. Në këtë ribotim, përshkrimi i njohurive të reja diagnostikuese dhe mjekuese, është në përshtatje me ndryshimet e reja në fushën e dermatologjisë. Në pjesën e veçantë përshkruhen të gjitha patologjitë më të rëndësishme dhe më të shpeshta të sëmundjeve të lëkurës.
Për hartimin e këtij libri është shfrytëzuar gjerësisht literatura profesionale e shënuar në fund të tekstit. Autori ka arritur të na japë një tekst shumë të vlefshëm. Ai në mënyrë racionale pasqyron njohuritë e reja dermatologjike si në fushën diagnostikimit ashtu edhe në fushën terapeutike.
Në fund, mund të them me bindje që ky libër ka vlera të mëdha shkencore, teorike dhe praktike. Teksti është i përshtatshëm për studentët e fakultetit të mjekësisë, për stomatologët, si dhe për specialistët dhe specializantët e sëmundjeve të lëkurës.
Prof. Dr Mentor Disha, Prishtinë, më 08.10.2009.
*Kumtesë me rastin e 75-vjetorit të prof. dr. Simë Gjon Dobrecit dhe promovimit të librit “Dermatologjia”, organizuar nga Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Malin e Zi dhe Qendra për Kulturë e Ulqinit, më 10 tetor 2009.

www.buzuku.info

13