Në maj fillon ndërtimi i urës mbi Port Milenë

February 28, 2010   | Lajmet / Vijesti

“Ura do të punohet këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Presim që javën e ardhshme Qeveria të shpallë interesin publik, në mënyrë që më pas të bëhet ekspropriimi i tokës. Të gjitha punët përgatitore janë kryer dhe unë pres që të fitojmë lejen e ndërtimit në mënyrë që më 1 maj të nisim ndërtimin e këtij objekti, vërtet impozant”, ka thënë Grboviq.

Ulqin – Drejtori i Drejtorisë së Komunikacionit, Veselin Grboviq, ka premtuar se ndërtimi i urës mbi Port Milenë do të fillojë në maj, në takimin që ka zhvilluar të premten me kryetarin e komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga.
“Të gjitha punët e domosdoshme për fillimin e realizimit të këtij projekti janë kryer. Projekti është reviduar. Ai është punuar në mënyrë cilësore. Prandaj presim që ndërmjet datës 1-5 mars të hapet tenderi. Ne presim një interesim të madh jo vetëm të ndërmarrjeve vendore, por edhe të firmave të huaja për të marrë pjesë në tender”, ka thënë Grboviq.
Ai ka theksuar se mjetet financiare për ndërtimin e urës, që sipas përllogaritjeve paraprake kap vlerën 18 milionë euro, janë siguruar nga buxheti.
“Ura do të punohet këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Presim që javën e ardhshme Qeveria të shpallë interesin publik, në mënyrë që më pas të bëhet ekspropriimi i tokës. Të gjitha punët përgatitore janë kryer dhe unë pres që të fitojmë lejen e ndërtimit në mënyrë që më 1 maj të nisim ndërtimin e këtij objekti, vërtet impozant”, ka thënë ai.
Nga kjo drejtori kanë paralajmëruar më parë se ndërtimi i urës do të fillojë në tetor të vitit të kaluar, por fillimi i punimeve është shtyrë.
Kryetari i komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, ka shprehur kënaqësi për lajmin e mirë të fillimit të këtij projekti shumë të rëndësishëm.
“Jam shumë i kënaqur që para opinionit po transmetojmë një lajm të gëzuar. Përfundimisht kemi marrë dritën jeshile që në muajin maj do të fillojnë punimet në Urën e Port Milenës”, ka thënë ai.
Ai edhe me këtë rast ka kritikuar ata që, sipas tij, kanë dashur që ky projekt të mos realizohet duke thënë se kanë bërë gabim dhe se vërtet kanë dashur që ky projekt të mos jetë pjesë e ofertës turistike të Ulqinit.
Drejtori i Drejtorisë së Komunikacionit, Veselin Grboviq, dhe kryetari i komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, kanë paralajmëruar po ashtu se së shpejti do të fillojnë punimet për asfaltimin e rrugës nga Krytha e Katërkollës deri në pikën kufitare në Sukubinë, si dhe se do të ndërhyhet pjesërisht në disa pjesë në aksin Krythë e Katërkollës – Ulqin.
Lidhur me këtë, kryetari i komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, ka thënë se përkundër qëllimit të komunës së Ulqinit dhe gatishmërisë së Qeverisë së Malit të Zi dhe Drejtorisë së Komunikacionit për zgjerimin e kësaj rruge, janë përcaktuar për variantin në fjalë.
“Jemi marrë vesh që edhe për shkak të kohës që na pret, për shkak të fillimit të sezonit turistik, të heqim dorë për momentin nga zgjerimi i saj”, ka thënë ai.
Drejtori i Drejtorisë së Komunikacionit, Veselin Grboviq, ka premtuar se kjo drejtori do të jetë sivjet më e pranishme sesa vitet e kaluara në komunën e Ulqinit sa i përket investimeve.

(Kohapress)
Koha Javore
YouTube Preview Image

3