“Kultura kozmopolite dhe drejtësia globale”, një libër origjinal shkencor – Video

March 18, 2010   | Intervista / Intervju

Dritan Abazi_Kultura kozmopolite dhe drejtesia globale– Në sallën e Qendrës për Kulturë të Ulqinit, në prani të personaliteteve të shumta kulturore, politike, fetare e publike u promovua libri i parë i politologut ulqinak magjistër Dritan Abazit me titull “Kultura kozmopolite dhe drejtësia globale”, e që referuesit e cilësuan si vepër origjinale shkencore, nga e cila mund të mësohet shumë.

Udhëheqësja e Biblioteksë së Ulqinit, Ardita Rama, në fjalën përshëndetëse në emër të organizatorit theksoi se libri i politologut të ri ulqinak magjistër Dritan Abazit i botuar në shqip dhe në gjuhën zyrtare ka një rëndësi të veçantë, sepse autori ka shtruar shumë çështje të rëndësishme nga kjo fushë në të cilat mundohet të japë përgjigje, duke shtuar vlerë këtij libri shkencor i japin edhe 75 njësi bibliografike.

Referuesi i parë i kësaj mbrëmje prof. dr. Ismet Dizdareviq nga universiteti i Sarajevës, i cili njëherazi është edhe recensent i këtij libri u shpreh se ky studim vjen në kohën e duhur, kur ende nuk e dimë se në ç’drejtim jemi duke shkuar, kah po shkon shteti, kah po shkon Evropa, kah po shkon bota, ç’ka na sjell e ardhmja etj. Mr. Dritan Abazi, pohoi profesor Dizdareviqi, edhe pse i ri për nga mosha, por shkencërisht i pjekur, mundohet të japë përgjigje në këto dhe pyetje që kanë të bëjnë me kulturën kozmopolite dhe drejtësinë globale. Sipas Dizdareviqit ky libër është një vepër origjinale shkencore nga e cila shumë njerëz nga ky ambient do të mësojnë shumë, sepse është shkruar me stil preciz dhe me argumente shkencore. Shkrimtari dhe kritiku i njohur Andria Nikollaidis tha se autori e ka të qartë se çka shkruan në këtë libër çka është shumë e vështirë.

Dritani, nënvizoi Nikollaidisi, në këtë studim shkencor shtjellon tema të rëndësishme nga bota e sotme e cila përgatitet për ndryshime. “Të gjitha këto tema autori i qartëson dhe i argumenton qartë, duke dhënë edhe ide të reja”, pohoi Nikollaidis.

Teologu i njohur nga Ulqini, mr. Edi Gjoni nënvizoi se libri “Kultura kozmopolite dhe drejtësia globale“ i mr. Dritan Abazit është përgjigje në lakminë e njeriut e cila në globalizëm merr përmasa globale, dhe ka tendencë të hartojë një të ardhme tejet apokaliptike për njerëzimin”.

Vlerësime pozitive për librin shprehu edhe profesori i filozofisë Vuksan Vuksanoviq. Të gjithë referuesit u pajtuan në konstatimin se magjistër Dritan Abazi u prezantua denjësisht para lexuesve dhe se nga ai presim edhe vepra të tjera shkencore, pasi. siç thanë ata, para këtij studiuesi këmbëngulës, inteligjent dhe me intuitë shkencore, ndodhet një e ardhme e ndritur.

LIBRI (download)

Gjekë Gjonaj
zeri.info
YouTube Preview Image